Kosovë, Reziston Presidenca

Atifete Jahjaga po u reziston skenarëve për rikonfigurimin e skenës politike që ia rrezikojnë pozitën.

Një zyrtar në Presidencë ka thënë se largimi para kohe i Jahjagës mund të ndodhë vetëm pas zgjedhjeve të drejtpërdrejta presidenciale. Në PDK pohojnë se plani i Ramush Haradinajt për t’u bërë kryeministër e Hashim Thaçi president është i vështirë për t’u realizuar.

Ndërkaq këto zhvillime zyrtarët e LDK-së po i përqeshin.

Skenari i Liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, që në kuadër të marrëveshjes eventuale për koalicion me PDK-në t’i merret posti i Presidentes Atifete Jahjagës, duke ia dhënë atë Hashim Thaçit, është kundërshtuar nga Presidenca, shkruan “Express”.

Një zyrtar i afërt me Jahjagën, i cili ka folur në kushte anonimiteti, ka thënë se pavarësisht përpjekjeve për rikonfigurim të skenës politike, presidentja nuk e ka në plan të japë dorëheqje dhe as të lëshojë pozitën që e ka fituar në bazë të marrëveshjes PDK-LDK-AKR.

Sipas tij, Jahjaga do të pajtohet për largimin nga Zyra vetëm nëse kompletohet reforma kushtetuese, shpallen zgjedhjet e drejtpërdrejta presidenciale dhe bëhet pranim dorëzimi i detyrës, pavarësisht se mandati i saj nuk ka përfunduar.

Sipas këtij zyrtari, në një variant të tillë Presidentja nuk do të kandidojë për të kërkuar votën e qytetarëve, por as nuk do ta çojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese për të kundërshtuar shkurtimin e mandatit. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button