Ditari i një mërgimtari në kohën e pandemisë

Fillimi i pranverës. E diel paradite. Qielli i kaltër dhe rrezet e diellit shkëlqejnë. Në lagjen time rruga mes liqenit artificial dhe lumit është vetëm disa dhjetra metra larg shtëpisë ku banoj. Pasi bëra një shëtitje duke thithur ajrin e pastër dhe aromën e luleve që akoma ishin duke çelur, u ula në një karrike duke shikuar patat e rosat që notonin mbi ujë. Për rreth kishte edhe pak njerëz të tjerë që kishin dalë për shëtitje. Një çift kaloi përpara meje bashkë me qenin e tyre dhe më përshëndeti. Ia ktheva përshëndetjen, por vërejta se ishin të zbehtë dhe të zymtë. ‘Pranverë e mbrapësht’, thashë me vete. Vitet e mëparshëm në pranverë kishte gjallëri këtu në fund të javës. Njerëzit shëtisnin nëpër parqe me fëmijët e me qentë e tyre, ose me biçikletë. Kurse tani, këta pak njerëz që kishin dalë si unë për të thithur pak ajër të pastër bashkë me aromën e luleve, qëndronin të mbyllur nëpër banesa në ‘arrest shtëpijak’ për ditë të tëra, si shumica e qytetarëve. Këta si unë, kishin guxuar të dilnin nga izolimi total për disa minuta për të gjetur pak paqe për shpirtin e robëruar. Pas disa minutave u ngrita dhe iu afrova lagjes. Çdo gjë dukej e shkretë. U ktheva në banesë, u mbylla përsëri në karantinë dhe fillova të lexoj një vepër të Volfang Gëtes – tragjedinë “Fausti”.

X

Unë me familjen time kemi rreth dy dekada që jetojmë në një qytezë të vogël afër qytetit Wil të Kantonit St. Gallen në Zvicrën lindore. Wil-i është një qytet i bukur me rreth 25 mijë banorë. Më se gjysma e banorëve janë të huaj dhe mbi 10 përqind janë shqiptarë. Shqiptarët e parë erdhën në këtë qytet rreth viteve ’60. Lagjet e komunitetit shqiptar në këtë qytet krijojnë një imazh që i ngjan një cope të qyteteve shqiptare. Në sheshin kryesor dhe në ‘bahnhof’ (stacionin hekurudhor) takon shumë shqiptarë të rinj. Në këtë qytet jetojnë tre breza shqiptarësh. Gjenerata e parë është duke u plakur, duke u rralluar e duke u kthyer me arkivole ne vendlindje për t’u prehur përgjithmonë pranë varreve të prindërve e gjyshërve të tyre.

X

Pas përhapjes së pandemisë çdo gjë ka ndryahuar edhe në këtë qytet zviceran. Nuk ka gjallëri. Vetëm herët në mëngjes dhe në mbrëmje ka lëvizje të makinave të punonjësve që shkojnë në punë e kthehen nga puna. Në mbarë qytetin mbretëron qetësia. Rrugët janë të zbrazura, shkollat të mbyllura, restorantet e baret të kyçura, sallat sportive, kinematë e pishinat të boshatisura.

X

Para disa viteve komuniteti shqiptar ndërtoi në Wil xhaminë e parë në Zvicër. Kurse tani në Zvicër xhamitë janë duke u shtuar dita-ditës. Ndryshe nga xhamitë në vendlindje, në Perëndim xhamitë, por edhe kishat, mendoj se kanë një rol më të rëndësishëm dhe përformancë më komplekse. Përveç ritualeve e ceremonive të zakonshme, këta tempuj të shenjtë krijojnë e forcojnë një kohezion social. Ato janë vend takimi e solidariteti dhe ndihmojnë për të ruajtur vlerat morale dhe për të mbajtur gjallë trashëgiminë kulturore e shpirtrore të shqiptarëve të mërguar sot dhe të brezave që do të vijnë.

Me përhapjen e pandemisë së koronavirusit edhe komuniteti shqiptar respekton rregullat dhe regjimin disiplinor ndaj këtij virusi vdekjeprurës. Mirëpo në këtë periudhë të vështirë për të gjithë ndodhi vdekja e një shqiptari. Ky i ndjeri bashkatdhetar u varros në varrezat e qytetit zviceran sipas ceremonive e ritualeve fetare muslimane. Komuna ka lejuar varreza edhe për komunitetin musliman. Në fakt ajo ka rezervuar sipërfaqe të tokës për varreza të veçanta jo vetëm për muslimanët, por dhe për budistët, sikët, etj.

Kjo pandemi që është përhapur në tërë globin ka krijuar një situatë kaotike e të vështirë për të gjithë të huajt në mërgim, përfshirë shqiptarët. Shqiptarët e mërguar, larg vendlindjes, të shkëputur nga familjet e tyre, janë si gjymtyrë të shkëputura nga trupi. Ata janë duke përjetuar vuajtje, dhimbje dhe peripeci të mëdha.

Autoritetet federale të Zvicrës apelojnë në mesazhet e tyre që të respektohen rregullat, vetizolimi, distancimi dhe kriteret për ta luftuar këtë pandemi. Në këtë periudhë të vështirë e tragjike të gjithë qytetarët zviceranë duhet të jenë solidarë e humanë pa marrë parasysh racën, kombësinë e fenë, të mos jenë as inferiorë dhe as egocentrikë. Zvicra është një shtet i begatshëm dhe me tradita demokratike. Ky shtet ka një elitë politike pragmatike e transparente me kuadro të zot dhe ekspertë të aftë. Populli zviceran është shoqëri post-moderne dhe post-sekulare. Është një popull i disiplinuar, pragmatik, i kulturuar dhe i emancipuar. Të gjithë i respektojnë dhe i zbatojnë rregullat, ligjet e urdhrat nga lart. Siç thotë Aristoteli, ata lart urdhërojnë, ata poshtë qeverisin. Pra, ata poshtë dëgjojnë çfarë thonë ata lart. Ky shtet i begatshëm ka një nga standartet më ta larta në Europë. Ka rezerva ushqimore të plota për katër vite. Megjithatë, po të vazhdojë edhe më tej përhapja e këtij virusi vdekjeprurës, edhe Zvicra, ndonëse është shtet i pasur, do të ketë pasoja si gjithë shtetet perëndimore, do të përballet me recesion, krizë ekonomike dhe pasoja të tjera.

“Unë jam Zot, unë jam Sovran”

Ekziston një opinion i rremë, një gënjeshtër e kulluar se perëndimorët dhe konkretisht zviceranët janë njerëz të ftohtë, jo-socialë, egoistë, superiorë.

Mendoj se popujt perëndimorë, përfshirë zviceranët, sillen e veprojnë sipas diktatit të arsyes dhe jo sipas imponimit të diktaturës. Ata nuk mendojnë vetëm për veten por dhe për të tjerët. Pavarësia individuale, idea e lirë dhe pluralizmi janë kultivuar tek ata shekuj me radhë. Individi është ‘zot’, sovran, i lirë të vendosë për gjithshka që ka të bëjë me jetën individuale, ku përfshihet martesa e lirë, prona, puna e banimi i lirë. Jeta e pavarur, individuale e qytetërimit perëndimor, distancimi social dhe karantinimi i bën ata që në këtë periudhë ta kalojnë më lehtë dhe me më pak pasoja. Ata vetizolohen më lehtë duke u marrë me lexime, muzikë, arte, etj.

“Taverna ballkanase”

Ndryshe nga populli zviceran, komunitetet e të huajve, shumica të ardhur nga Lindja dhe Ballkani, kanë diversitete kulturore, ruajnë shoqërizimin tradicional patriarkal e arkaik. Këto komunitete të shkëputur nga vendi i origjinës, larg nga vendlindja, nga fisi e familjet, janë duke e përjetuar distancimin social me shumë vuajtje e dhimbje.

Edhe komuniteti shqiptar në Zvicër e ka të vështirë të përshtaten me  distancimin social, sidomos ata që akoma ruajnë lidhjet e ngushta familjare dhe mentalitetin tradicional patriarkal, shoqërizimin kolektiv. Tradita i tërheq burrat, sidomos të moshuarit drejt tavernës ballkanase. Gjatë fundjavës ata dalin nëpër klube për të kaluar kohën e për t’u argëtuar në ambiente të mbyllura me lojra orientale passive. Edhe ne shqiptarët duhet të jemi të disiplinuar dhe të ndërgjegjshëm, të vetëdijshëm për të zbatuar regjimin, masat kufizuese të lëvizjeve dhe shoqërizimit. Thyerja e disiplinës dhe mos-zbatimi i rregullave rrezikon jo vetëm veten por dhe të tjerët, sepse bart virusin në familje dhe në shoqëri. Prandaj në këtë periudhë të vështirë me plot ankthe e strese duhen sjellje solidare, marrëdhënie të mira e të ngrohta familjare, tolerancë dhe angazhim për ta kaluar sa më lehtë, për ta luftuar me sukses këtë armik të padukshëm, enigmatik e të panjohur që ka kapëluar njerëzimin në mbi 180 shtete në të gjithë rruzullin tokësor. Kështu kam besim se do ia dalim. DO IA DALIM!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button