RMV, “Kalliri i Mirësisë” shpërndan 1000 pako ushqimore për nevojtarët

Kriza ekonomike që ka trokitur pothuajse në çdo dërë, nga situata e krijuar pas paraqitjes së virusit korona në Maqedoninë e Veriut, ka vënë në pah edhe virtytin e solidaritetit dhe bamirësisë së organizatave të ndryshme në vend. Në këtë kohë, kur pothuajse të gjithë janë të prekur nga kriza që ka goditur ekonominë e vendit, organizata humanitare “Kalliri i Mirësisë”, nëpërmjet një aksioni humanitar, po bën përpjekje për të ndihmuar ata për të cilët kjo gjendje është barrë më e rëndë për ta përballur vetë, njofton Portalb.mk.

Kryetari i OH Kalliri i Mirësisë, Rufat Sherifi, tha për Portalb se me mbështetjen e afaristëve të vendit, kanë përgatitur 1000 pako ushqimor me 12 artikuj dhe me nga 25 kg miell dhe që nga 30 marsi ka filluar shpërndarja e tyre. Ai tha se, synimi i tyre është që përveç Shkupit, aksioni humanitar të përfshijë sa më shumë qytete të vendit.

Kalliri i Mirësisë

“Por, sot do të shkojë edhe kontingjenti i parë i ndihmave për në Kumanovë, me 100 pako me 100 thasë miell, të cilat do të shpërndahen në bashkëpunim me shoqatën edukative “Vllaznia” nga Kumanova. I njëjti kontingjent prej 100 pakove do të shkojë edhe në qytetin e Kërçovës, ku do të bëhet shpërndarja nëpërmjet degës sonë të “Kallirit të Mirësisë”, në bashkëpunim me shtabin e emergjencës të formuar në kuadër të Komunës së Kërçovës, kurse në ditët në vijim do t’i përfshijmë edhe qytetet tjera, siç është Tetova, do të dërgojmë edhe në Dibër, do të kemi dërgesë edhe për në Maqedoninë lindore, do të kemi edhe në Manastir dhe aty ku do të paraqitet nevoja brenda ditëve”, deklaroi Sherifi.

Ai theksoi se, sot do të shpërndajnë pako edhe në Shkup dhe bëri të ditur se shpërndarja bëhet drejtpërdrejt nëpër shtëpitë e nevojtarëve, duke dashur që të ruajnë shëndetin e përfituesve, por nga ana tjetër edhe zbatimin e masave të ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria.

“Prioritet kanë jetimat e regjistruar pranë shoqatës dhe ata të cilët nuk janë të regjistruar dhe të cilët do të paraqiten. Prioritet i dytë janë rastet sociale të cilat janë të regjistruara pranë shoqatës, por nga ana tjetër duke pasur parasysh situatën, ne kemi kërkuar nga opinioni dhe nevojtarët të na shkruajnë edhe në Facebook të na paraqiten edhe në telefon për raste urgjente të cilët kanë nevojë për ndihmë dhe ata të cilët realisht na shkruajnë dhe konstatojnë se, janë me të vërtetë në situata të vështira, po të njëjtit ndihmohen”, tha Sherifi.

Sherifi tha se projekti i radhës që presin ta realizojnë brenda dy muajve, është renovimi apo pajisja e një spitali me krevate, me aparaturë, me një makinë për ndihmë të shpejtë dhe me disa pajisje tjera.

“Do të thotë bëhet fjalë për 80 krevate të reja të cilët do të pajisin një spital në një qytet, një veturë e re për ndihmë të shpejtë dhe disa aparatura të cilat do të jenë në shërbim të pediatrisë në spitalin, tani nuk po e bëjmë publik, por në një qytet këtu brenda Maqedonisë”, informoi numri një i kësaj organizate.

Ndërkohë, deri në fund të muajit organizata planifikon që të shpërndaj edhe 500 pako të tjera ushqimore dhe 200 pako me mjete higjienike dhe dezinfektuese.

Kujtojmë se rasti i parë i virusit korona në Maqedoninë e Veriut u paraqit më 26 shkurt, ndërsa numri i të infektuarve nga virusi korona momentalisht është 354 persona.

LEXO: Komuna e Gostivarit organizon trajnim për vullnetarët që do të shpërndajnë ndihma humanitare

LEXO: Të ardhurat e RTVM-së kanë vazhduar të bien edhe vjet, bashkë me numrin e të punësuarve (Infografik)

LEXO: RMV, Ministria e Shëndetësisë: Kemi kapacitete të mjaftueshme për hospitalizimin e pacinetëve me virusin korona

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button