Biskota

Ishin një herë dy njerëz. I pari mbante një biskotë në dorë. I pari e pyeti të dytin: “A ke ti biskotë?” I dyti u përgjigj: “Unë kam tri shtëpi dhe një Ferari”. I pari e pyeti sërish të dytin: “A ke biskotë?” I dyti u përgjigj: “Kam një milion euro në llogarinë time bankare, dhe kam një jahtë shumë të bukur”. I pari e pyeti për të tretën herë: “Po biskotë a ke?” I dyti u përgjigj: “Jo, nuk kam biskotë”. Atëherë i pari e ndau biskotën e tij dhe gjymën ia dha të dytit. Sipas fjalëve të Erih From të shprehura në librin “Të kesh apo të jesh”, i pari është ndërsa i dyti vetëm ka. Poashtu një thënie e bukur thotë: disa njerëz janë aq të varfër sa që gjithçka që ata kanë janë paratë.

Në kohën e izolimit dita zgjatet, jo vetëm sepse ora ka ndryshuar si pasojë e llogaritjes verore të kohës, e megjithatë jashtë bie borë sikur të ishte viti i ri. Dita zgjatet sepse kemi një resurs i cili nuk blihet me asnjërën nga ato që i posedon personazhi i dytë në tregimin e mësipërm: pra kemi kohë. Në ditët e gjata të këtij izolimi të qëllimshëm njeriu ka kohë të reflektojë për gjëra të cilat i mer si të gatshme në dinamikën e përditshmërisë së zakonshme kur i gjithë kuptimi i ditës është të vraposh në punë dhe të bësh para pa e ditur a do të kesh kohë ti harxhosh të njëjtat. Në ditët e izolimit fillon ti shohësh më qartë gjërat që nuk blihen me para, e rëndësinë e të cilave ke filluar ta harrosh.

Në ditët e izolimit, kur të gjithëve na duhen vetëm gjërat esenciale për të jetuar, bëhet i rëndësishëm debati mbi solidaritetin. Sepse koha e krizës nuk duhet të jetë kohë përfitimi por kohë reflektimi dhe solidariteti. Sepse është pikërisht solidariteti ai që na bën të jemi fisnikë e jo gjakpirës. E solidariteti mund të vijë çdoherë nga çdokush, por çuditërisht më së shpeshti vjen nga ata që paraqiten si personazhi i parë në tregimin e mësipërm, pra nga ata që nuk kanë Ferari, shtëpi e jahte luksoze por kanë thjeshtë një biskotë që duan ta ndajnë përgjys me dikë që nuk ka biskotë, sepse përndryshe biskota nuk u shijon mirë as atyre që e kanë. Janë këto gjëra për të cilat duhet të reflektojë secili, e veçanërisht ata që kanë mundësi të jenë më solidarë se të tjerët.

Është e qartë që pasi të vendoset nën kontroll pandemia, pasi të stabilizohet numri i të sëmurëve, pasi ta tejkalojmë vështërsinë e parë, do të përballemi me vështërsinë tjetër që është kriza ekonomike dhe recesioni që do të pasojnë. Sektori privat tani më i ndjen këto pasoja. Ata të cilët punojnë në sektorin privat tani më përballen me situatën e palakmueshme të jolikuiditetit. Dhe prandaj janë të kuptueshme masat e propozuara për ulje të përkohshme të pagave, e veçanërisht tek ata që realizojnë paga më të larta, në mënyrë që të vendoset një balans dhe të gjithë të kenë mundësi të marrin paga në muajt në vijim. Një gjë është e qartë, që nëse sektori privat nuk arrin të realizojë paga dhe pagesa, atëherë edhe sektori publik rrezikohet. Sepse të gjitha hallkat janë të lidhura ndërmjet vete dhe këputja e njërës e çrregullon sistemin në tërësi.

Është vërtet e vështirë të mendohet jetesa me më pak para se sa ke planifikuar të realizosh gjatë atij muaji. Por duhet ta kuptojmë që kjo është gjendje e jashtëzakonshme, ashtu si edhe është shpallur nga institucionet shtetërore e në bazë të kushtetutës së vendit. Dhe kjo gjendje e jashtëzakonshme do të kalojë. Ajo që do mbetet pas saj është perceptimi për karakterin tonë dhe sjellja jonë me njëri-tjetrin gjatë kësaj periudhe.

Prandaj le të tregohemi solidarë gjatë këtyre kohërave të vështira, me aq sa mudnemi në bazë të mundësive tona. Le të ndajmë biskotën tonë me ata që nuk e kanë. Le të tregojmë se ka gjëra të cilat janë aq të çmueshme sa nuk blihen me para. Le ta çmojmë vlerën e vërtetë të tyre dhe le të kënaqemi me to. Le ta kujtojmë këtë kohë si një periudhë të rritjes sonë shpirtërore e jo të dështimit, si një periudhë e cila do të reflektojë urtësi në vitet e ardhshme, kur kjo krizë do të kalojë e ne do i kthehemi realitetit si dikush që ka ose si dikush që është.

Le të jemi para se të kemi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button