Thaçi, takime konsultative me krerë të partive pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur në takime të ndara sot në Presidencë krerët e partive politike për takim konsultativ për t’i ndërmarrë hapat e përcaktuar në Kushtetutë pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Thaçi ka takuar të parin kryeministrin në detyrë Albin Kurti, njëherësh kreu i partisë më të madhe parlamentare, Vetëvendosjes. Kurti, pas këtij takimi tha se në këtë takim me presidentin, folën për çështjen e pandemisë me koronavirusin e ri (COVID-19), por, më pas edhe për mundësitë për Qeveri të re dhe kandidatura të reja.

Kurti tha se sa i përket mundësisë së formimit të një qeverie të re “i jemi përgjigjur Thaçit me qëndrimin tonë për të cilin jemi të bindur se jo vetëm që është i drejtë por edhe i vetmi në bazë të Kushtetutës së Republikën e Kosovës”.

“Nuk mund të kapërcejmë diku tjetër duke shpërfillur dhe mohuar nenin 82, pika 2, të Kushtetutës së Kosovës që thotë se pas një mocioni të mosbesimit ajo çfarë ngelet është të shkohet në zgjedhje të reja. Të bindur se Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk krijon mundësinë në kontekstin aktual politik që ne të kemi Qeveri të re pa Kuvend të ri, pra pa zgjedhje të reja”, ka thënë Kurti.

Ai theksoi se presidenti nuk do të duhej të merrej me emra njerëzish e partish, por me data për zgjedhjet e reja në kalendarin e këtij viti duke shtuar se “E dimë që ndodhemi në betejën intensive kundër virusit korona dhe mbase kjo do të mund ta shtyjë ca datën e zgjedhjeve mirëpo Kushtetuta besojmë që nuk krijon mundësi apo alternativa të tjera”.

Pas takimit me Kurtin, presidenti Thaçi ka takuar Isa Mustafën, kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti e cila aktualisht është pjesë e Qeverisë në detyrë bashkë me Vetëvendosjen.

Mustafa tha se si LDK nuk janë për të shkuar në zgjedhje parlamentare për shkak të gjendjes së krijuar me pandeminë nga koronavirusi, megjithëse janë që “të bëhet një qeveri e re duke ndjekur procedurat kushtetuese”.

“Kjo qeveri do të kishte detyrë që me kapacitete të plota të angazhohet në zotimin e gjithë aktiviteteve në luftë kundër virusit korona i cili tani po zgjerohet edhe në vendin tonë sikurse në vendet e tjera. Të punojmë për zhvillimin ekonomik sepse tani do të ballafaqohemi me një situatë shumë të rëndë ekonomike, të papunësisë ashtu siç po paralajmërohet që do të ndodhë edhe me vende tjera. E po ashtu do të ballafaqohemi edhe me nevojën e dialogut me Serbinë për çfarë duhet të jemi të përgatitur dhe po ashtu të kemi një shumicë e cila më pas do ta përkrahte këtë dialog përmes Kuvendit”, tha Mustafa.

Pas takimit me Mustafën, Thaçi është takuar edhe me kreun e opozitës Kadri Veselin, ndërsa takimet konsultative do t’i vazhdojë edhe të enjten me përfaqësuesit e tjerë politik.

Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë i iniciuar nga partneri i koalicionit me Vetëvendosjen, LDK, u votua më 25 mars me shumicë votash në Kuvendin e Kosovës, rreth dy muaj pas formimit të Qeverisë VV-LDK, nën udhëheqjen e Albin Kurtit.

Deri tek inicimi i këtij mocioni erdhi pasi Vetëvendosje shkarkoi Ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike nga radhët e LDK-së, Agim Veliun, me arsyetim se “nxiti panik për koronavirusin tek qytetarët”. Për një gjë të tillë, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, theksoi se Kurti shkeli marrëveshjen e koalicionit ku sipas Mustafës largimi i ministrave të LDK-së në Qeveri do të duhej të ndodhte në konsultim me të.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button