“Tesla” ofroi falas ventilatorë në mes të pandemisë së COVID-19

Kompania amerikane për prodhimin e automjeteve elektrike dhe energjisë së pastër “Tesla” njoftoi se do të dërgojë falas ventilatorë në spitalet në të gjithë botën, pajisje shumë të nevojshme në mes të pandemisë së koronavirusit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne kemi ventilatorë shtesë të aprovuara nga Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA). Do të dërgojmë në spitalet në të gjithë botën brenda rajoneve të shpërndarjes ‘Tesla’. Pajisjet dhe kostot e transportit janë falas”, tha drejtori ekzekutiv i “Tesla”-s, Elon Musk në Twitter të martën vonë.

FDA është një organ rregullator dhe agjenci federale e Departamentit Amerikan të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore.

Musk ka vetëm një kusht. “Kërkesa e vetme është që ventilatorët të dërgohen aty ku ka nevojë menjëherë për pacientët dhe të mos ruhen në depo”, tha ai.

Drejtori i përgjithshëm i kompanisë u bëri thirrje palëve të interesuara të kontaktojnë me të ose “Tesla”-n.

Javën e kaluar, Musk tha se ata kishin blerë më shumë se 1.200 ventilatorë nga Kina dhe i dërguan ato në SHBA me avion.

Guvernatori i Kalifornisë nga radhët e demokratëve, Gavin Newsom konfirmoi javën e kaluar se Musk ka dhuruar 1.000 ventilatorë për shtetin e tij.

Oferta e “Tesla”-s për ventilatorë falas vjen në një kohë kur administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump ka nxitur korporatat amerikane si General Electric që të përshpejtojnë prodhimin e tyre të ventilatorëve në përpjekje për të përmbushur kërkesat në rritje të pacientëve nga COVID-19 në vend.

SHBA-ja është kthyer në vendin me numrin më të madh të rasteve të konfirmuara me koronavirus, e ndjekur nga Italia, Spanja dhe Kina, ku virusi u shfaq për herë të parë në qytetin kinez Wuhan në dhjetor 2019. Që nga ajo kohë Covid-19 është përhapur në 200 vende dhe rajone të botës.

Numri i të prekurve nga koronavirusi në botë ka arritur në 859.796, me 42.341 të vdekur, njofton Universiteti “Johns Hopkins”. Ndërsa në total 178.301 persona janë shëruar nga sëmundja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button