Mjeku që luftoi kundër epidemive

Njerëzit përherë kanë kërkuar mënyra shërimi, fillimisht nëpërmjet mjekësisë popullore, por ata e kanë shfrytëzuar edhe përvojën e popujve të tjerë. Kështu ka ndodhur edhe në Pollog, ku gjatë mesjetës shiteshin barna që vinin nga Dubrovniku nëpërmjet Shkodrës dhe Prizrenit.

Në Tetovën e shekullit XV shënohen disa herbalistë, që përgatitnin produkte farmakologjike me bazë bimore, shtazore dhe minerale.

Në shekullin XVI evidentohet një kirurg. Në këtë shekull përmendet Fakiri, një poet nga Tetova, i cili kishte edhe zyrë mjekësore.

Me shumë gjasë, mjeku i parë nga Tetova, me diplomë universitare, ishte Dr. Isa, i diplomuar në Universitetin e Stambollit, si bursist i Abdurrahman Pashës. Pashallarët shqiptarë, sipas Grisebach-ut, kishin respekt të theksuar për mjekët. Grisebach-u, që e kishte vizituar Tetovën në vitin 1839, shkruan se pashallarët, që e kishin konsultuar si mjek, kërkuan nga ai që t’u bënte kontrolle mjekësore çupave të tyre. Ai kishte parë tre mjekë të shkolluar edhe pranë shëndetligut Avzi Pasha në Shkup. Paraardhësi i tyre, Rexhep Pasha, me rekomandimin e një mjeku, e ndërtoi Kullën e Kaltër në Teqenë e Harabatit, ku rrinte Fatimeja fatkeqe, me gjasë e sëmurë nga tuberkulozi.

Në shekullin XIX në Tetovë shërbyen Haxhi Xhemaili, i njohur për dije nga urologjia, Dr. Mehmed Efendiu nga Bogovina e Tetovës, i cili ndikoi në ngritjen e kulturës shëndetësore te shqiptarët dhe disa mjekë nga familja Parliqi. Më pas shërbyen edhe mjekët: Bexhet Beu, Nuriu, Fuati apo Tahir Sali Tabaku, që u shpërngulën në Stamboll më 1912, prej se Tetova u pushtua nga ushtria serbe.

Ka edhe mjekë të tjerë që i ndihmuan pacientët, por mbetet i dalluar mjeku nga Përmeti, Xhafer Sulejmani (1878 – 1953). Ai pasi diplomoi për mjekësi në Stamboll dhe u specializua në Sorbonë të Francës, punoi pak kohë në Gostivar dhe pastaj vetëm në Tetovë.

Tetovari i natyralizuar, i njohur si Xhafer Efendiu, respektohej prej qytetarëve pa dallim etnie e religjioni. Në periudha të rënda, me epidemi të shpeshta të tifos, kolerës apo malaries, shpesh shërbente si mjek i vetëm në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit. Kështu ndodhi edhe gjatë viteve 1913 dhe 1914, kur në Pollog vdiqën disa mjekë si pasojë e infektimeve nga sëmundjet ngjitëse. Doktor Xhaferi i vetëm bënte përpjekje mbinjerëzore që t’i ndihmonte të prekurit nga epidemitë.

Dr. Xhafer Sulejmani u angazhua edhe në politikë. I respektuar nga komuniteti ai u zgjodh deputet, kurse më 3 janar 1932 u zgjodh senator i Senatit të parë të Mbretërisë Jugosllave, si përfaqësues i Banovinës së Vardarit. Në këtë Senat e kundërshtoi kolonizimin dhe reformën agrare, të projektuar kundër shqiptarëve.

“Dr. Xhafer Sulejmanoviq foli për zbatimin e reformës agrare në Serbinë Jugore. Ai tha se ajo zbatohet në dëm të myslimanëve, të cilëve u është marrë toka pa iu kompensuar”, shkruante gazeta “Pravda” e 25 marsit të 1937.

Dr. Xhafer Sulejmani ishte kryetar i Bashkisë së Tetovës nga viti 1941 deri në kapitullimin e Italisë më 1943. Në këtë periudhë jetësohej projekti i ministrit Ernest Koliqi, që dërgoi 200 arsimtarë shqiptarë në trojet e Shqipërisë së Lirueme. Në qytetet shqiptare, përveç hapjes së shkollave shqipe dhe bibliotekave, u organizuan shumë aktivitete kulturore, koncerte dhe shfaqje teatrore, kurse intelektualët merrnin pjesë aty së bashku me zonjat e tyre.

Dr. Xhafer Sulejmani ishte dënuar disa herë. Në vitin 1916 u internua në Bullgari, kurse pushteti komunist e dënoi dy herë. Herën e dytë në moshë të thyer. Gjashtë vite i kaloi në burgun e Idrizovës. Pas arrestimit iu konfiskua biblioteka e pasur personale, ku kishte shumë libra nga mjekësia, farmakologjia, filozofia e religjioni.

Ka edhe shumë mjekë të tjerë që e meritojnë respektin tonë. Për ta duhet të shkruhen monografi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button