Art në karantinë, ”Puthja” e Klimt vishet me kostum tradicional shqiptar nga shkodrania Nermin Shurdha

Orët e gjata të mbylljes në shtëpi duket se ia kanë nxitur edhe më shumë frymëzimin Nermin Shurdhës, një piktore nga Shkodra e cila sapo ka përfunduar një version shqiptar të pikturës së njohur të Gustav Klimt të titulluar “Puthja”, shkruan Euronews, transmeton Portalb.mk.

Piktorja tha për Euronews Albania se vendosi të mos i lërë bojërat t’i thahen gjatë kohës kur karantina ia ndalon vazhdimësinë e muraleve të shumta që bën në qytetin e Shkodrës.

“Ideja për Klimt ishte krejt e thjeshtë, duke parë pikturën e tij “Puthja” një nga më të famshmet në botë, bëra kërkime në internet për të parë nëse më përpara e kishte bërë ndokush versionin shqiptar. Meqë nuk rezultoi gjë, mendova ta përshtas me veshjet dhe kulturën tonë,” thotë Shurdha, duke shtuar se “Puthjen e Veriut” e bëri në një mur pranë shtëpisë së saj me përmasa rreth 2 metra.

Ajo tregon se pjesa më e vështirë e punës ishte të gjente balancën midis ruajtjes së origjinalitetit të pikturës së austriakut me qëndrimin besnike ndaj detajeve të kostumeve tradicionale të veriut, sidomos xhubletës malësore. Megjithëse sipas saj përvoja e punës me organizatën Vis-Albania në Malësinë e Madhe dhe njohjet me ekspertët i erdhën në ndihmë.

“Realizimi ishte pak i vështirë, jo për idenë se sa për detajet, se doja që mos t’i ik krejt origjinalit por edhe ta përshtas pak me natyrën tonë si shqiptarë, kjo është edhe arsyeja që mimikën e fytyrës së vajzës nuk e kam bërë aq romantike siç është tek origjinali, por pak më kryeneçe siç janë vajzat shqiptare,” thotë Nermin Shurdha.

“Kjo kuptohet pak edhe për humor për ta lidhur me situatën aktuale, sikur kërkon mbajtjen e distancës në kohën e virusit,” shton ajo në mënyrë gazmore.

Duket se përvoja 15-vjeçare në profesionin e ekonomistes po i shërben 39-vjeçares të bëjë mirë llogaritë e kohës së lirë të krijuar nga urdhri i përkohshëm i qeverisë për kufizimin e lëvizjeve.

“Tani për tani vetëm koha nuk na mungon, të shohim anën pozitive, jemi në shtëpi me familjen, njerëzit tonë më të dashur, dhe mund të bëjmë gjërat që na pëlqejnë. Ndoshta nuk do të kemi më kaq kohë për veten kur t’i rikthehemi rutinës së përditshme, pra ta shfrytëzojmë këtë periudhë për të bërë gjëra të bukura dhe transmetuar mesazhe pozitive tek të tjerët, pasi është koha kur secili nga ne, më shumë se gjithçka ka nevojë për shpresë,” nxit piktorja nga Shkodra, e cila megjithatë rrëfen se i mungojnë ecjet e zakonshme në mal fundjavave.

Nga ana tjetër, shkodranët duket se po i shfrytëzojnë orët e kufizuara të lëvizjes edhe për të parë dhe vlerësuar artin në rrugët e qytetit.

“Çdo ditë më vijnë foto të qytetarëve të ndryshëm që bëjnë foto tek muralet që kam realizuar nëpër qytet. Nga të njohurit dhe shoqëria që kam më vijnë sugjerime e ide për tema të ndryshme për t’i paraqitur nëpërmjet pikturave të mia,” tha piktorja për Euronews Albania.

Ajo rrëfen se synon të mbushë Shkodrën me sa më shumë art dhe ngjyra.

Artistja Nermin Shurdha sigurohet që të përcjellë një mesazh frymëzues për këdo që po përjeton kohën e vështirë të coronavirusit.

“Nëse nuk mund të shkosh jashtë, futu brenda vetes. Secili mund t’i rikthehet një pasioni apo hobi që i ka pëlqyer gjithmonë por që nuk ka pasur kohën e mjaftueshme për ta ushtruar”.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button