Kurti: Taksa ndaj Serbisë zëvendësohet me reciprocitet

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Kosovë, Rozeta Hajdari, në një konferencë të përbashkët për media thanë se ekzekutivi është mbledhur për të marrë vendim për masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

Sipas, Kurtit vendimi do të hyjë në fuqi sonte apo pasi të votohet nga ministrat e qeverisë.

“Unë i kam ftuar të gjithë anëtarët e kabinetit që ta votojnë këtë propozim-vendim dhe ai të jetë qysh sonte para mesnatës në fuqi. Ky vendim mbetet në fuqi deri më 15 qershor me ç’rast ne do ta bëjmë një vlerësim të gjithëmbarshëm të asaj se si ka ecur mbarëvajtja e këtij vendimi”, tha Kurti.

“Në ketë rast ne i referohemi vetëm reciprocitetit me Serbinë që do të thotë me Bosnje e Hercegovinën e heqim tarifën 100% pa asnjë shtesë tjetër”, tha Kurti.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Kosovë, Rozeta Hajdari, tha se ky vendim është i bazuar në shumë argumente.

Zyrtarë të Doganave të Kosovës kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm të zbatojnë çdo vendim të Qeverisë së Kosovës.

Adriatik Stavileci, në një prononcim për REL, thekson se Dogana vetëm pret udhëzimet nga Qeveria e Kosovës.

“Normalisht, Dogana zbaton masat që merr Qeveria e Kosovës. Normalisht edhe vendimin për reciprocitet dhe secilin vendim të Qeverisë së Republikës se Kosovës, Dogana do të respektojë në maksimum”, tha ai.

Që nga heqja e taksës për importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, Stavileci tha se në Kosovë kanë hyrë mallra në vlerë prej rreth 1 milion euro.

Ndryshe, tarifën doganore 100 për qind e kishte vendosur Qeveria e kaluar e Kosovës, e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në nëntor të vitit 2018.
Që nga vendosja e taksës për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, importi nga këto shtete ka rënë për 99 për qind.

Para vendosjes së taksës doganore, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë. Ky shtet, para 21 nëntorit, të vitit 2018 – kur u vendos taksa 100 për qind – gjatë një dite ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion euro apo rreth 450 milionë euro brenda një viti.

Taksa 100 për qind për importet nga Serbia ka ndikuar që dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërpritet.

Kundër kësaj takse, që nga vendosja e saj, ishin deklaruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, pasi që nga ajo kohë, dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë ishte ndërprerë.

Një masë reciprociteti ndaj Serbisë, Kosova e kishte aplikuar edhe në korrik të vitit 2011.

Kjo masë e reciprocitetit në atë kohë ishte marrë pasi që Serbia për tre vite pas shpalljes së pavarësisë në Kosovën në vitin 2008, kishte bllokuar mallrat nga Kosova për shkak të ndërrimit të vulave nga ato të UNMIK-ut në ato të Republikës së Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button