Opozitës i mbyllen dyert e Kuvendit

Deputetët e opozitës i kanë gjetur sot mbyllur dyert e sallës në Kuvend ku duhej të vazhdonte punën Komisioni për Financa dhe Buxhet.

Edhe pse kryetari i këtij trupi parlamentar, Marjanco Nikolov, kishte njoftuar mbrëmjen e shkuar, pas përfundimit të seancës së këtij Komisioni, se puna do të vazhdonte sot në ora 12, shërbimet e Kuvendit nuk kanë mundësuar kushte për punë.

Në arsyetimin që ka marrë Nikolov nga shërbimet e Kuvendit, është thënë se ato nuk kanë qenë të njoftuara se do të zhvillojë punimet Komisioni për Financa dhe Buxhet, gjë të cilën e quan të pavërtetë deputeti Nikolov, transmeton Zhurnal.

Ai ka paralajmëruar se nëse nuk krijohen deri në ora 14 kushte për punë, ata do të largohen nga Kuvendi.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme, grindjet mes deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së kanë vazhduar me të shara, kërcënime dhe bllokim të punës.

Opozita kundërshton ashpër zhvillimin e seancave të Komisionit Juridik-Ligjvënës paralelisht me ato të Komisionit për Financa dhe Buxhet.
Sipas tyre, pa u ezauruar procedura e shqyrtimit të amendamenteve për projektbuxhetin e vitit 2013 në Komisionin për Financa dhe Buxhet, nuk mund të fillojë procedura e shqyrtimit të tyre në Komisionin Juridik-Ligjvënës.

Lajme të ngjashme

Back to top button