(Intervistë) Elina Duni: Vetëm dashuria mund të na shpëtojë..

Ka disa vite që Elina Duni, këngëtarja simpatike shqiptare po mahnit publikun me zërin e saj të mprehtë. Me përkrahjen e orkestrës kreative, ajo depërtoi në zemrat e gjithë shqiptarëve duke gërshetuar Jazz-in dhe folklorin e bukur shqiptar. Këndon këmbëzbathur ndërsa nuk mund të jetojë pa dashuri. Ajo këta ditë vizitoi Shkupin dhe Tetovën ndërsa Portalb zhvilloi një intervistë ekskluzive me të.

Intervistoi: Elida Zylbeari  

PORTALB: Si kaluat këto ditë në Shkup dhe Tetovë? 
E.DUNI: Shumë mirë! Mora një mirënjohje nga Universiteti Shtetëror i Tetovës për faktin që po e sjell muzikën shqiptare anembanë botës. Kjo ishte diçka që sigurisht më preku shumë, këto mirënjohje janë gjëra shumë emocionuese ndërsa koncertet shkuan shumë mirë, s’kishte si më mirë.  Në Shkup mezi prisja të dal në skenë sepse kur kam qenë këtu para dy viteve publiku më befasoi për të mirë. Nuk e prisja sepse ishte hera e parë që këndoja në Maqedoni dhe kam qenë shumë e prekur nga pritja e tyre. 

PORTALB: Jeni vajza e shkrimtares Besa Myftiu dhe e regjisorit Spiro Duni. Na përshkruani si është të jetosh në një familje artistësh? Cili është ndikimi i prindërve ndaj jush? A ka ekzistuar ndonjë preson psikologjik shoqëror që të ndiqen hapat e tyre, ti ngjasosh babait apo mamasë?
E.DUNI: Për mua ka qenë fat sepse kam pasur gjithnjë shumë mbështetje dhe jam rritur në botën e artit, me dashurinë e artit dhe autenticitetin e tij. Ndoshta ka pasur ndonjë lloj presioni që unë i kam vënë vetes që kur kam qenë fëmijë për tu bërë dikush, por, në të njëjtën kohë nuk besoj sepse te unë skena është diçka e natyrshme. Që kur kam qenë shumë e vogël gjithmonë kam qenë shumë e ndjeshme ndaj muzikës, që kur isha 5 vjeç kam filluar të këndoj dhe ti bie pianos. Është më shumë dhunti se sa presion.

PORTALB: Keni lindur në Tiranë por në moshën 10 vjeçare ikët në Zvicër më shumë se një dekadë jetoni në Zvicër, si filluat të bëni këtë lloj muzike?
E.DUNI: Këngën folklorike shqipe e kam zbuluar shumë vonë në voton 2004 në Zvicër. Kur isha e vogël nuk këndoja dhe nuk dëgjonim muzikë folklorike sepse në atë kohë ajo paraqiste një lloj propagande të sistemit dhe nuk i përkiste më popullit. Ideja për të filluar këtë projekt ishte e Colin Vallon. Kështu filluam, mora pastaj këngë greke, bullgare, rumune, bëra një miks të Ballkanit që i kam vendosur në dy disqet e para. Disku i tretë “Matanë Malit” është krejt në shqip dhe i dedikohet shqipes dhe shqiptarisë, esencës poetike të saj.


PORTALB:
Grupi juaj përbëhet nga tre artistë të huaj, si filloi bashkëpunimi me to? Mbase nuk është problem barriera gjuhësore? 
E.DUNI: Janë tre muzikant të jashtëzakonshëm janë dhe profesorë të muzikës. Mënyra se si e ndjejnë muzikën shqipe është e veçantë. Unë gjithmonë sillja një ide kënge, ua tregoja origjinalin dhe ua shpjegoja se për çfarë flet. Më pas secili nga ne bënim një partiturë të veten, e ri-interpreton atë që ka dëgjuar dhe ndjen. Muzika që ndodh është rezultat i ne të katërve, është ajo magjia, ajo bashkëbiseda jonë. Jazz-i ka lirinë e improvizimit dhe gjërave spontane, asnjëherë nuk luhet një këngë në mënyrën e njëjtë edhe pse ka strukturë të njëjtë. Unë u besoj gjërave të natyrshme dhe ky është bashkëpunimi jonë, gjërat e sforcuara nuk kanë sukses. Është një demokraci e vërtetë, secili nga ne është shumë i rëndësishëm. Në Bern jemi njoftuar të gjithë, aty ku kam studiuar Jazz-in. 

PORTALB: Repertoari juaj përmban këngë ballkanike te përpunuara ne Jazz, si arrini të bëni një përzierje kaq të bukur?

E.DUNI: Që kur zbulova këtë muzikë, fillova ti interpretoj në versionin tim. Në të njëjtën kohë më kanë prekur poezia e tyre, autenticiteti, ritmet, meloditë. Këndvështrimi im ka qenë i një këngëtareje Jazz-i, marr diçka dhe mundohem ta bëj timen. Në këto kënga kam gjetur liri dhe nuk kisha shabllone apo ide, kisha diçka të virgjër përpara meje, si një fushë me dëborë ku hapat e para ishin të miat. Kam pasur mundësi të eksperimentoj me zërin tim të cilin çdoherë e shoh si një instrument të cilin duhet drejtuar.

PORTALB: Keni ndonjë ritual para këndimit?
E.DUNI: Para se të dal në skenë këndoj një këngë gregoriane, e shkruar nga një murgeshë e cila ka jetuar në shekullin e 15 me emrin Hildegard of Bingen, e kam kënduar atë në një shfaqje teatrore para disa viteve. Këndoj dhe aria klasike për ta ngrohur zërin.

PORTALB: Po pse këndoni këmbëzbathur?
E.DUNI: Mundohem të ndjej sa më shumë rrënjët, të ndjej tokën sepse për mua është shumë e rëndësishme. Kur këndoj mundohem ta ndjej veten si një pemë, ajo ka rrënjët dhe ka fletët. Mundohem të gjej një balans midis rrënjëve të cilat më mbajnë fortë në tokë dhe gjetheve që lëvizin, dhe për mua idealja është kjo. 

PORTALB: Ku e merrni frymëzimin për të shkruar?
E.DUNI: Nga jeta, nga gjërat që më ndodhin, nga ide që kam ose ajo që shoh. Zakonisht fillon me fjalë dhe me tekst, pa marrë parasysh a në anglisht ose në shqip e frëngjisht. Më pas vjen muzika. Ndërsa kur vjen muzika përpara fjalës nuk ecën dhe aq mirë sepse është shumë më vështirë të gjesh muzikën për fjalët se sa fjalët për muzikën. 

PORTALB: Ju jeni dhe aktore, planifikoni të bëni ndonjë projekt në të ardhmen në këtë sferë?
E.DUNI: Aktrimi gjithnjë ka ekzistuar si dëshirë e flaktë në mua dhe del në sipërfaqe herë-herë. E kam shumë dëshirë dhe kam ca plane, uroj që në një të ardhme jo shumë të largët të realizohen.

PORTALB: Jeni quajtur surpriza me e bukur muzikore e shekullit te 21-te ne Zvicër. Sikur artistët e mirëfilltë shqiptarë më shumë vlerësohen jashtë vend-lindjes dhe marrin famën kur dalin nga vendlindja? Pse ndodh kjo?

E.DUNI: Institucionet dhe infrastruktura e artit në vendet shqiptare janë shumë të pakta për dallim nga vendet tjera në të cilat ka komercializëm, mirëpo nga ana tjetër nuk lihet pas arti shteti dhe fondacione të ndryshme ndajnë shumë para për të. Gjithashtu ka një hapësirë dhe publik më të gjerë se sa në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni.  Do të kisha përdorur shprehjen e francezëve “Asnjëri nuk është profet në vendin e tij” dhe kjo që themi ne ndodh dhe në Zvicër. Është një kompleks që e mbajnë vendet e vogla se një artist duhet njëherë të bëjë namin jashtë vendit e më pas të njihet në shtëpi. 

PORTALB: Si e vlerësoni skenën shqiptare të muzikës sot? Bëhen shumë këngë folklorike dhe elektronike, ju pëlqejnë? 
E.DUNI: Muzika e vërtetë folklorike është duke vdekur. Ndodh eksodi i fshatrave në qytet dhe është shumë e vështirë të gjesh grupe që luajnë pa elektronikë, që bëjnë gjëra akustike. Kjo ndodh gjithandej, por shembull bullgarët kanë universitetet që studiojnë folklorin e tyre, ne nuk kemi. Duhet të mbrohet me ligj dhe të ruhet sa më shumë folklori jonë sepse është shumë i pasur. Muzika elektronike duhet të ekzistojë, por jo vetëm ajo dhe nuk lënë hapësirë për tjetrën.

PORTALB: Si pranohet muzika shqipe nëpër skenat botërore? Kanë paragjykime?
E.DUNI: Jam rritur në një mjedis artistësh dhe kam pasur fat që nuk kam ndjerë racizmin. Të ishe shqiptar ishte një krenari, diçka e veçantë dhe paragjykimet nuk i kam ndjerë asnjëherë. Publiku zviceran dhe aj më gjerë reagon shumë mirë. Publiku preket sepse janë tema universale që i trajtojmë: të dashurisë, të vdekjes, të jetës dhe lirisë të cilët na bashkojnë të gjithë neve. Me këtë muzikë dhe gërshetim të veçantë dua të ndërtoj ura mes kulturave, shqiptarëve dhe tjerëve. Përmes Jazz-it në Zvicër un sjell muzikën folklorike dhe mes muzikës folklorike këtu unë sjell Jazz-in. 

PORTALB: Cosmo Jazz ishte një festival në mal ku ju keni marrë pjesë në vitin 2011. Na përshkruani eksperiencën e të kënduarit në mbi 2 mijë metra lartësi.
E.DUNI: Ishte diçka shumë e veçantë. Gjithnjë e kam konsideruar veten si njeri i detit jo i malit. Duke jetuar në Zvicër rreth maleve më është dukur sikur ata më ngulfatin. Por, kjo eksperiencë më ka bë që ti dua ato. Është mbajtur përballë Mon Blanit, majës më së lartë në Evropë, kemi shkuar me teleferik. Këtu vërtetë kam ndjerë forcën e malit dhe jam dashuruar në to.

PORTALB:  Kur jemi te dashuria, çfarë është dashura për ju?
E.DUNI: Jam shumë e dashuruar që prej nëntë vjetësh. Është si fryma, si ajri, si diçka pa të cilën nuk do të mund të jetoja. Është dashuria në përgjithësi, nuk flas vetëm për atë mashkull me femër, por ndaj familjes, ndaj njerëzve tjerë. Është e vetmja gjë që mund të na shpëtojë.

PORTALB: Ku për fund-vit?
E.DUNI: Do të jem në shtëpi me familjen në Gjenevë.

PORTALB: Cila është motoja e jetës tuaj, çfarë mesazhi do ti përcillni lexuesve tanë?
E.DUNI: Frymëzimi nga jeta. Çdo ditë kur zgjohem falënderoj jetën për atë që më ka dhuruar. Është frymëzimi për të bë diçka. Uroj që të keni frymëzim dhe dashuri për jetën dhe njerëzit.

Video nga Elina Duni në koncertin në Tetovë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button