Stoltenberg: NATO do të sjellë prosperitet ekonomik për Maqedoninë e Veriut

Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO do të sjellë stabilitet dhe paqe në rajon që është thelbësore për prosperitetin ekonomik, tha Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg në një intervistë ekskluzive për Radio Evropën e Lirë në gjuhën maqedonase, transmeton Portalb.mk.

“Kjo është ditë historike për Maqedoninë e Veriut, Ballkanin Perëndimor dhe të gjitha vendet anëtare të Aleancës, sepse Maqedonia e Veriut u bë anëtare e Aleancës më të suksesshme në histori”.

Këtë Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg e deklaroi në intervistën ekskluzive për Radion Evropa e Lirë. Deklarata vjen pasi flamuri i Maqedonisë u ngrit së bashku me 29 shtetet e tjera anëtare të Aleancës në një ceremoni solemne sot në selinë e NATO-s në Bruksel. Stoltenberg beson se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do t’i kontribuojë stabilitetit në rajon dhe paqes ndërkombëtare, por edhe prosperitetit ekonomik të Maqedonisë së Veriut.

“Dhe duke qëndruar së bashku ne sigurojmë paqe, qëllimi i NATO-s nuk është provokimi i luftës, por parandalimi i konfliktit, parandalimi i luftës dhe duke vepruar kështu ne krijojmë stabilitet dhe paqe që janë thelbësore për prosperitetin ekonomik. Ne kemi parë që, pasi Maqedonia e Veriut u ftua në NATO një vit më parë, numri i investimeve të huaja është rritur dhe ky është model që e shohim në shumë, shumë vende të tjera, që anëtarësimi në NATO është i rëndësishëm për prosperitetin ekonomik “, tha Stoltenberg.

Sipas tij, vendet anëtare të Aleancës presin që aleati i ri të vazhdojë me reformat në sektorët e mbrojtjes dhe të sigurisë.

“Jam plotësisht i bindur që kjo do të ndodhë sepse është e mirë për Maqedoninë e Veriut dhe e mirë për të gjithë, ndërsa unë e pashë profesionalizmin e ushtarëve nga Maqedonia e Veriut të cilët takova në Shkup si dhe në Kabul, kur para do kohe e vizitova Afganistan”, ka thënë Stoltenberg.

Më parë në fjalimin e tij në ceremoninë solemne të ngritjes së flamurit të Maqedonisë para selisë së NATO-s në Bruksel, ai tha se me këtë akt i dëshiron edhe solemnisht mirëseardhje vendit në Aleancë. Stoltenberg gjithashtu përshëndeti vendimin për filluar negociatat me BE, që sipas tij është shenjë që vendi është i gatshëm për të zërë vendin e saj në familjen Euro-Atlantike.

Pas ceremonisë e cila u përcoll drejtpërdrejt në Sallën solemne të Qeverisë, Kryeministri teknik Oliver Spasovski tha se pranimi në NATO është suksesi më i madh i vendit që nga pavarësia e saj.

“Në të vërtetë ne po luftojmë sot një betejë tjetër, betejën me koronavirusin, por për një moment do t’i lejojmë vetes të gëzohemi, të shënojmë se sot është një ditë për t’u mbajt në mend, një ditë historike”, tha Spasovski.

Flamuri i Maqedonisë u ngrit sot edhe para selisë së Komandës kryesore në Medhe në komandën e NATO-s në Norfolk, ShBA, duke shënuar pranimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

Procedura zyrtare për anëtarësimin në NATO u mbyll zyrtarisht më 27 mars pas depozitimit të instrumentit të pranimit në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut nga Departamenti i Shtetit i SHBA në Uashington, pasi aleatët e NATO-s më herët e nënshkruan Protokollin e pranimit të Maqedonisë së Veriut në shkurt 2019, pasi 29 parlamentet kombëtare votuan për të ratifikuar anëtarësimin e vendit në Aleancë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button