8 vjet burg për ish kryetarin e Komunës së Manastirit Vlladimir Taleski në lëndën “Transportuesi”

Ish kryetari i Komunës së Manastirit, Vlladimir Taleski, është dënuar me 8 vjet burg për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar në rastin “Transportuesi”, njofton Portalb.mk,

Edhe 20 të akuzuarit e tjerë, me aktgjykimin e sotëm janë shpallur fajtorë. Në mesin e tyre janë edhe udhëheqësi i Sektorit në Komunën e Manastirit në kohën e mandatit të Talevskit, ish drejtorët e shkollave dhe udhëheqësve të ndërmarrjeve. Një pjesë e tyre morën dënime me burg, ndërkaq pjesa tjetër dënime me kusht. Në mesin e të cilëve morën dënim me burg janë shumica e të akuzuarve-udhëheqës të ndërmarrjeve për transport, dënimet e të cilëve lëvizin prej 2 deri në 3 vjet burg. Pas Taleskit, dënimin më të madh e mori ish udhëheqësi i Sektorit nga Komuna e Manastirit, i cili u dënua me 6 vjet e 6 muaj burg.

Me dënime me kusht janë ndëshkuar, ish drejtorët e shkollave në Manastir dhe një pjesë e vogël e udhëheqësve të ndërmarrjeve.

Përveç dënimeve, ndërmarrjeve do t’u konfiskohet edhe prona në vlerën e dëmit të bërë. Nëse ndërmarrjet nuk kanë pronë të mjaftueshme, atëherë do të konfiskohet prona e të udhëheqësve të ndërmarrjeve.

Gjykatësja, Dobrilla Kacarska, e cila e ka udhëhequr lëndën, përpara shqiptimit të aktgjykimit tha se gjykata gjatë miratimit të vendimit i ka marrë parasysh rrethanat rënduese.

Sipas Kacarskës, rrethana rënduese janë të llojit, karakterit dhe peshës së veprës penale, por edhe shkallës së pronës së përvetësuar e cila shkon direkt tek ata, ndërkaq rrethana lehtësuese janë se të pandehurit nuk janë të dënuar, se nuk udhëhiqen procedura tjera, por edhe mosha dhe gjendja familjare.

“Kryetari i Komunës duhet që të kujdeset për paratë e komunës si për shtëpinë e vet. Për personat juridik ekziston vjetërsim i përndjekjes penale, mbrojtja theksoi se nuk ka paramendim, por gjykata vlerëson se ata kanë qenë të vetëdijshëm dhe kanë dashur ta kryejnë veprën dhe pavarësisht pasojave të dëmshme ata e kanë kryer. Te pjesa e të akuzuarve, bëhet fjalë për paramendim eventual, gjatë së cilës duhet të ndiqet fakti se ata drejtorë dhe profesorë nuk mund të thuhet se nuk e kanë ditur procedurën. Ata edhe pse nuk i kanë marrë të gjitha dokumentet, vullnetarisht i kanë nënshkruar marrëveshjet”, sqaroi Kacarska.

Të gjitha provat me detaje do të sqarohen me shkrim në aktgjykimin e shkallës së parë, ndaj të cilës palët kanë afat prej 15 ditëve që të ankohen.

Në këtë rast bëhet fjalë për keqpërdorim të pozitës zyrtare nga ish kryetari i Komunës së Manastirit, Vlladimir Taleski, me njohuri të ministrit të Financave, Zoran Stavreski. Ata kanë bërë disa marrëveshje për transportimin e nxënësve në mënyrë të paligjshme më të cilat shtetit i kanë bërë dëm rreth 360.000 euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button