Trump dhe Putin kanë diskutuar rreth virusit korona në një bisedë telefonike

Presidenti i SHBA-ve dhe ai i Rusisë zhvilluan një bisedë telefonike ku kanë diskutuar rreth pandemisë botërore të koronavirusit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Donald Trump dhe Vladimir Putin shprehën shqetësimin për shkallën e përhapjes së koronavirusit të ri dhe informuan njëri-tjetrin për masat që vendi i tyre ka ndërmarrë për të frenuar infeksionin, thuhet në një njoftim nga Kremlini.

“Krerët e shteteve shprehën shqetësim serioz për shkallën e përhapjes së koronavirusit në botë dhe informuan njëri-tjetrin për masat e marra në Rusi dhe SHBA për të luftuar këtë kërcënim. U diskutuan mundësitë e një bashkëpunimi më të ngushtë midis dy vendeve në këtë fushë”, tha Kremlini.

Në mënyrë shtesë, në njoftim thuhet se Trump dhe Putin shkëmbyen pikëpamjet për gjendjen aktuale të tregut botëror të naftës dhe u pajtuan që të zhvillojnë konsultime dypalëshe për këtë çështje.

Pas bisedës mes presidentëve, bisedë telefonike realizuan edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dhe ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme njoftojnë se Lavrov dhe Pompeo shkëmbyen pikëpamjet ndaj situatës në botë të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Ata u zotuan të kontribuojnë në zbatimin e vendimeve të marra më 26 mars në samitin virtuel të grupit G20 për një përgjigje globale kundër pandemisë dhe adresuan çështje ndërkombëtare, përfshirë konfliktin sirian dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Numri i vdekjeve nga COVID-19 në Rusi është 11, ndërsa numri i personave të diagnostifikuar është rritur në 1.836, me 302 raste të reja.

Disa rajone, përfshirë kryeqytetin Moska dhe qytetin e dytë më të madh St. Petersburg, nga sot janë vendosur nën bllokim. Njerëzve u lejohet që të dalin nga shtëpia për të blerë produkte ushqimore, barëra, shëtitje të kafshëve shtëpiake brenda 100 metrave nga vendbanimi, si dhe hedhja e mbeturinave.

Përpos kësaj, Rusia ka ndaluar hyrjen e shtetasve të huaj dhe ka mbyllur trafikun ajror dhe tokësor.

Ndërkohë, sipas të dhënave të universitetit amerikan Johns Hopkins, numri i rasteve të konfirmuara në SHBA ka arritur në 144.000, ndërsa numri i vdekjeve ka tejkaluar shifrën 2.500.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button