Thaçi takoi ambasadorët e Quint-it, thotë se duhet qeveri gjithëpërfshirëse

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, takoi të hënën ambasadorët e Quint-it dhe atë të Bashkimit Evropian në Prishtinë, për t’i informuar për, siç tha, hapat që do t’i ndërmarrë pas shkarkimit të Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti nga Kuvendi i Kosovës, javën e kaluar.

Te vendet e Quint-it bëjnë pjesë: Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.

Në një njoftim për media të Presidencës së Kosovës thuhet se gjatë kësaj jave presidenti do të ketë konsultime me të gjitha partitë parlamentare, për t’i marrë sugjerimet dhe këshillat e tyre se cilën rrugë duhet ndjekur, duke u bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, transmeton REL.

“Pas shkarkimit të Qeverisë nga Kuvendi i Kosovës, më 25 mars, do të marr hapa gjithnjë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me ligjet e Kosovës dhe me detyrat si president i Republikës së Kosovës”, citohet të ketë thënë Thaçi.

“Shteti ka nevojë për një qeveri që do të sjellë stabilitet, unitet sa më të madh politik dhe qytetar, që do të jetë gjithëpërfshirëse dhe e orientimit të qartë euroatlantik”, ka thënë ai.

Kuvendi i Kosovës, më 25 mars, ka votuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Kurti, ka deklaruar se pas votimit të mocionit duhet të mbahen zgjedhje, por pasi Kosova ta ketë kaluar pandeminë e koronavirusit.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se duhet të ketë qeveri të re, por vetëm pas mbajtjes së zgjedhjeve, duke kundërshtuar kështu iniciativën e Thaçit për t’u konsultuar me partitë, me qëllim që të krijohet ekzekutivi i ri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button