DITAR N’KOHË PANDEMIE (I)

16 mars. E hënë. Karantinë. Mbajmë ligjëratën e parë online me studentët e UEJL-së. Më pas dëgjojmë intervistën e “pop-filozofit” slloven, filozofit politik dhe kritikut kulturor Slavoj Zhizhek dhënë për “Russia Today” (RT) lidhur me virusin Corona  që po e lëkund fuqishëm botën, që e ka shtyrë këtë mendimtar shpesh kontradiktor që te nxjerrë nga botimi librin më të ri: Pan(dem)ic (Orbooks, 2020). Në intervistën në fjalë, perifrazuar, ai thotë: “Duhet të kuptojmë se të gjithë jemi në të njëjtën anije. Nga kjo gjendje e krijuar më së tepërmi do të humbin nacionalistët dhe racistët. Duhet të ndihmohemi mes vete. Duhet që sigurimin shëndetësor ta bëjmë të qasshëm për çdokë. Na duhet shëndetësi globale, jo vetëm për në SHBA. (Sanders). Është koha që hapat t’i bëjmë bashkë. S’guxojmë që vendimet t’ia lëmë tregut dhe shteteve kombëtare. Frikohem të them, por neve na duhet një formë e komunizmit. Koordinim i fuqishëm global, bashkëpunim, transparenë, informata publike, të shkëmbyeshme… Ne perëndimorët  jemi mësuar që të kemi fruta nga katër anët e botës, të udhëtojmë lirshëm globalisht. Kjo tanimë, ka marrë fund. Na duhet një vetëdije dhe urtësi e re e përbashkët të kuptojmë fragjilitetin e jetëve tona, të marrim vesh se ç’entitet i thyeshëm jemi. Situata është tepër serioze që të bëjmë panik, të mjaftohemi me blerje të letrës së toaletit dhe të ngjashme. Normaliteti i i të ardhmes së afërme s’do të jetë normalitet që ka qenë. Duhet ta ndryshojmë kursin e jetës. Të gjithë të pasurit po ikin nga Nju Jorku, fluturojnë për në ishujt e izoluara karibiane. Por, kjo s’është zgjidhje. Ne nuk jemi të sulmuar nga alienët, por nga mekanizmi më trullaq riprodhues. Duhet të mbetemi qenie njerëzore që respekton përshpirtësinë. Nuk jemi kafshë ose racistë që të heqim dorë nga  kafshët ose popullata e sëmurë.”

18 mars. Për herë të parë, pas pleqve që s’i kemi më, fillojmë ta trajtojmë miellin (drithin) siç duhet të trajtohet. Tokat i lamë lëndina. Fjalët “arë, bereqet, bukë, kafshatë e gojës” i shpërfillëm dhe sot trishtohemi nga fjalët “Kriza në prag.” Hambarët i humbëm se u civilizuam. Arat e fushat i bëmë shtëpi e pallate. I mbuluam me beton e bekatonë. Do punojë për ne serbi se ka fusha boll – thamë. Mashtrim i madh. Të qenët katundar dhe i vyeshëm u bë demode, vrarja e kohës nëpër kafene u bë modë. Shkëputja nga toka, nga natyra, mund të ketë sjellë këtë mallkim të cilit për momentin jemi duke ia parë ndoshta vetëm fillimin. Tani te aparati Gaggia dhe De Longhi të kërkojmë bukë! Italianë u bëmë a ende “ekspreso” kërkojmë, emrin s’ia mësuam kafesë tonë më të preferuar.

19 mars. Intervistë për Zhurnal: Kjo masë nënkupton një asocialitet ekstrem, të paparë ndonjëherë në historinë e njerëzimit ngase nuk është individuale por është e sanksionuar dhe kontrolluar nga shtetet gjithandej. Karantina është një izolim që bllokon rrjedhën normale të jetës, që të ngujon, të mban brenda mureve dhe ngjallë një ndjenjë apokaliptike, të tmerrit kolektiv, kur diskutojmë fatin tonë si racë humane. Empirikja flet se asocialiteti dhe vetmia vrasin, ngjashëm siç është ekstremisht destruktive edhe shkëputja nga natyra, nga e bukura natyrore, nga rrjedha spontane e jetës. Kultura e maskave dhe medikalizimi i shoqërisë, shto kësaj edhe deklaratat e madhorëve të politikës globale ua kanë shtirë njerëzve në palcë frikën në të gjitha aspektet, nga ai i shëndetit, ekonomisë, sigurisë e të ngjashme. Ky është segmenti më destruktiv i globalizmit që s’ua kemi treguar as studentëve sepse një skenar të tillë s’është paraparë as nga futurologët e as nga regjisorët më largpamës. (Intervistë për Zhurnal)

20 mars. E premte, tradicionalisht, konservatorisht, fetarisht, myslimançe: e xhuma. Dita e tubimit, e takimit, e kuvendimit javor, në tempull, në xhami. Dita më e mbarë e javës. E kulturizimit religjioz, e socializimit, e mbushjes së baterive nga priza hyjnore. Shkollë javore, stërvitje shpirtërore. Çaste të kontaktit me metafiziken, me qielloren duke qenë përtoke, në këtë botë. Momente të kalimit në një botë tjetër, të ngjitjes drejt vertikales së pafundme. Përhumbje. Rutinë e homo religiosus-it për çdo javë. Destinacioni i mesditës premtore. Në kushte jashtëpandemike, të gjitha rrugët shpien në faltore. Kjo është pamja gjenerale, që e sheh besimtari, pa përjashtuar edhe qëndrimin e pjesës tjetër të popullatës, për të cilët e premtja është ditë si të tjerat, përgatitje për fundjavë, për uikend. Por “virusi enigmatik” neve besimtarëve myslimanë na e ndryshoi edhe jetën fetare. Zbrazi rreth-Qabenë, Medinen, shkretoi faltoret në të katër anët e botës. Sot ezani i xhumasë më dridhi të tërin, më rrëqethi. E hapa dritaren e bibliotekës shtëpiake dhe e dëgjova me mallëngjim ftesën “Ejani në shpëtim”. Një thirrje të cilës s’mund t’i përgjigjemishim. “Lutuni në shtëpi.” Kjo është më e dobishme për ne. Si ta bindim veten. Zemërthyer, ngre duart kah qielli, lus Krijuesin që të na shpëtojë nga kjo kataklizmë. Për herë të parë, sikur bëhemi besimtarë më ndryshe: lutemi për gjithë njerëzimin, për çdo frymor që ka krijuar i Madhi. Më duket se edhe toka qan, edhe kumbulla që e kam pranë dritares, madje edhe bima-topth e kuaçuktë brenda në dhomë. (vazhdon)      

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button