Koreja e Veriut ka kryer teste të reja raketore

Koreja e Veriut tha se ka kryer me sukses një testim të qitësve të raketave, vetëm pak kohë pasi Koreja e Jugut e kritikoi atë për “sjellje të keqe” në kohën e pandemisë së koronavirusit.

Seuli tha se Phenjani ka hedhur të dielën dy raketa balistike, me rreze të shkurtër veprimi, nga qyteti lindor Vonsan.

Ato kanë fluturuar për 410 km, me një lartësi maksimale rreth 50 km, përpara se të binin në det, tha ushtria e Koresë së Jugut, transmeton REL.

Të hënën, media shtetërore në Korenë e Veriut tha se ky vend ka testuar me sukses qitës “super të mëdhenj” të raketave.

Sipas agjencisë Reuters, Phenjani ka kryer katër raunde të provave raketore këtë muaj.

“Në një situatë ku e gjithë bota po përjeton vështirësi për shkak të koronavirusit, ky lloj veprimi ushtarak nga Koreja e Veriut është shumë pa vend dhe ne bëjmë thirrje për ndalim të menjëhershëm të sjelljes së tillë”, tha ushtria jugkoreane.

Koreja e Veriut, deri më tash, nuk ka raportuar asnjë rast të të infektuarve me koronavirus.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button