Masat kundër koronavirusit në SHBA do të vazhdojnë deri në fund të prillit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se udhëzimet federale kundër koronavirusit, të tillat si distancimi fizik, do të vazhdojnë në gjithë SHBA-në së paku deri më 30 prill.

“Numri më i lartë i vdekjeve ka të ngjarë të ndodhë brenda dy javësh”, tha ai.

Më herët, Trump ka thënë se masat kundër koronavirusit mund të lehtësohen për Festën e Pashkëve, që i bie në mes të prillit, transmeton REL.

Shtetet e Bashkuara kanë tani mbi 140,000 raste të të infektuarve me koronavirus.

Deri të dielën mbrëma, atje kanë qenë të regjistruara 2,493 viktima.

Këshilltari mjekësor i Shtëpisë së Bardhë, Anthony Fauci, ka paralajmëruar më herët se koronavirusi mund të prekë miliona amerikanë.

SHBA-ja, javën e kaluar, ka tejkaluar edhe Kinën, edhe Italinë me numrin e rasteve të raportuara.

“Do të doja që t’i ktheheshim jetës sonë të vjetër … Ne po punojmë shumë, kjo është gjithçka që di. Shoh gjëra, shoh numra… nuk kanë rëndësi për mua. Ajo që ka rëndësi për mua është që ne të fitojmë sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Trump.

Javën e kaluar, Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka miratuar një paketë financiare, në vlerë prej dy trilionë dollarësh, për të luftuar pandeminë e koronavirusit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button