Rama: Lista e riatdhesimeve nga jashtë është mbyllur

Pas riatdhesimit mbrëmjen e së shtunës së 120 shqiptarëve që kishin mbetur në Itali pas mbylljes së kufijve, këtë të diel, avioni i Air Albania ka fluturuar për në Gjermani, për të sjellë në Shqipëri të gjithë qytetarët që kanë kërkuar të kthehen, kryesisht studentë dhe turistë.

Por kryeministri Edi Rama ka sqaruar se “nuk do të riatdhesojmë në masë bashkëqytetarë jashtë kufijve”. Sipas tij ka patur një keqkuptim dhe ka vërshuar një fluks telefonatash, që siç mësohet nga Ministria e Jashtme janë afro 15 mijë shqiptarë në vende të ndryshme të botës, që kërkojnë të përfitojnë për t’u kthyer në atdhe me Air Albanian, transmeton Tv Klan.

“Të dashur motra e vëllezër, kudo që ndodheni e merrni pa pushim në telefon ambasadat tona, ju lutem mos shpenzoni më kohë e të ardhura për telefonata, sepse nuk ktheheni dot në Shqipëri deri në mbarimin e luftës! Ndjesë 1000 herë, po kjo është një luftë ku ne duhet të ruajmë njëri-tjetrin dhe misionet tona të riatdhesimit (kemi shpjeguar, rishpjeguar, stërshpjeguar) do të kthejnë në atdhe vetëm një numër të kufizuar personash, të mbetur rrugëve në kuptimin më të drejtpërdrejtë të fjalës; bashkëqytetarë që nuk paguanin dot më hotelet, ku ngecën keq në minutën e fundit apo një numër studentësh të mbetur në pikë të hallit; njerëz që u listuan përpara shpalljes së misioneve të fluturimit nga përfaqësitë tona dhe u verifikuan një për një, për situatën e tyre të rënduar. Prandaj e kam thënë, qysh në momentin e parë të lajmërimit të iniciativës sonë për t’i kthyer këta persona, se lista është e mbyllur, me numër të saktë, por fatkeqësisht shumëkush nuk e ka dëgjuar dhe vazhdon të mos e dëgjojë, madje disa në vend që të dëgjojnë akuzojnë, shajnë e mallkojnë! Po s’ka problem për akuzat, sharjet e mallkimet, thjesht mos u mundoni më për të gjetur vend në avion, sepse nuk ka dhe nuk do të ketë deri në përfundimin e luftës!”

Rama thotë se i vjen keq, por kërkon mirëkuptimin e gjithsecilit. Ndërkohë ai u kërkon të rikthyerve të mos luajnë me jetën e familjarëve dhe të afërmve të tyre, por të vetëkarantinohen duke respektuar rregullat strikte. Policia e Shtetit do të publikojë emrat e të gjithë të kthyerve, sipas një praktike të dobishme të disa vendeve, në mënyrë që po e shkelën ligjin e vetëkarantinimit, askush që i njeh të mos u afrohet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button