Vrimat në gypa e harxhojnë pjesën më të madhe të ujit të pijshëm në Maqedoni (INFOGRAFIK)

Disa pjesë të Maqedonisë do të përballen me mungesë të ujit të pijshëm nëse, në periudhën e ardhshme, nuk ndahen fonde të konsiderueshme për rindërtimin dhe përmirësimin e sistemeve të furnizimit me ujë në të gjitha komunat. Të dhënat aktuale tregojnë se konsumatori më i madh i ujit të pijshëm në shkallë vendi është pikërisht uji i cili nuk sjellë të ardhura, kategori në të cilën përfshihen humbjet fizike nga vrimat në gypat e ujësjellësit, vjedhjet e ujit dhe pasaktësitë në matjen e ujit të konsumuar nga shfrytëzuesit, shkruan Meta.mk, njofton Portalb.mk.

Raporti i Bankës Botërore të vitit të kaluar për qëndrueshmërinë e dhënies së shërbimeve komunale dhe financimin e infrastrukturës së tyre thotë se madje 61 përqind e ujit të pijshëm të prodhuar në të gjithë vendin nuk mund të arkëtohet. Nëse analizohet sipas komunave, përqindja e ujit që nuk sjellë të ardhura në vitin 2018 shkon prej 32 deri 78 përqind, tregon Raportit vjetor të Komisionit rregullator për energjetikë dhe shërbime të ujërave.

Nëse merren parasysh të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave, një shifër marramendëse prej 140 milion metra kub ujë janë humbur, në vitin 2018, në rrjedhën nga kapja në natyrë deri te konsumatorët e fundit. Se bëhet fjalë për humbje jashtëzakonisht të mëdha të ujit në nivel kombëtar, mjafton të përmendet se kjo shifër është e barabartë me të gjithë ujin e pijshëm të prodhuar nga PE “Ujësjellës Kanalizime” – Shkup për një vit e gjysmë për nevojat e kryeqytetit.

Në vitin 2013, u përgatit një studim i Bankës Botërore për zhvillimin e sektorit të ujit në Maqedoni. Qysh atëherë, ekspertët kanë sugjeruar që pas vitin 2020 do të ndjehen efektet e para nga ndryshimet klimatike në furnizimin e komunave me ujë. Në tre dekadat e ardhshme, sasia e reshjeve do të ulet, vëllimi i ujit në lumenj do të ulet, dhe temperaturat e ajrit do të rriten.

Mënyra e vetme për të siguruar sasinë e nevojshme të ujit të pijshëm për të gjithë është zvogëlimi i humbjeve ekzistuese të ujit që ne si qytetarë po harxhojmë pa kontroll ose ato janë humbur përmes sistemeve të ujësjellësve në komunat e Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button