PSALM

Ma kënduan psalmin në agun e qershorit
me zemrën e mbushur helm e dhimbje
në mua, ashtu si te nëna e gratë tjera
buzëqeshje të rreme lëshuan sa për sy e faqe
se ndryshe meshtari s’do i lutej zotit
në kullën tonë të binte drita e parajsës.
Të nesërmen, sërish me psalm gdhiva ditën,
këtë herë nëna me duart kah qielli
zotit i lutej të ma bekonte jetën,
qiri të ri për mua kishte ndezur
e mbi djepin e drurit më patë vendosur kryq,
e shkreta nënë
më shumë se vetën, psalme e mesha besonte
se e kishin mësuar të mos bënte zë,
meshtari, më shumë se babai
urdhra në emër të zotit i jepte.
Të më thoshte psalme sa herë të hapja sytë
edhe për këtë e urdhëruan të shkretën,
i thanë të mos bëja zë në mesha të dielash,
të mos lidhja dashuri në kokën time,
flokët mos t’i lëshoja në ahma grash
se për këto meshtari në kryq nënën do ma dënonte,
po mua me ëndrra të varura në yje
veç psalmin e dashurisë s’ma thanë dot.

Nga Adelina Xhaferi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button