A ka forcë lutja, që e vetme të ndalojë pandeminë e koronës? Profeti Muhamed mendon ndryshe

Shkruan Prof. Dr. Craig Considine, artikull  i botuar në versionin elektronik të revistës amerikane “Newsweek”

Pandemia COVID-19 është duke i detyruar qeveritë dhe burimet e lajmeve që t’i ofrojnë popullatës botërore këshillat sa më të sakta dhe ndihmuese, sepse kjo sëmundje vërtetë po kaplon tërë globin. Kërkesat për mjekë dhe infermierë të profesionalizuar janë të larta, ashtu si edhe kërkesat për shkencëtarë që studiojnë format e përhapjes e pandemive dhe efektet e tyre.

Ekspertët, si imunologu Dr. Anthony Fauci dhe raportuesi për çështje mjekësore Dr. Sanjay Gupta thonë se higjiena e mirë dhe kuarantinimi, ose thënë ndryshe praktika e izolimit nga të tjerët me shpresën se do të mund të parandalohet përhapja e sëmundjeve ngjitëse, janë mjetet më efektive për ta kufizuar COVID -19.

POR, A E DINI KUSH TJETËR KA SUGJERUAR HIGJIENËN E MIRË DHE KUARANTIMIN GJATË NJË PANDEMIE?

Muhammedi, Profeti i Islamit, para më shumë se 1300 vitesh.

Edhe pse ai, në asnjë formë nuk është një ekspert “tradicional” për sëmundje vdekjeprurëse, sidoqoftë Muhammedi ka dhënë këshilla shumë të shëndoshe për ta parandaluar dhe luftuar zhvillimin e sëmundjeve si COVID-19.

Muhammedi ka thënë: “Nëse do të dëgjoni se mortaja ka shpërthyer në një vend, mos hyni, mos shkoni atje, por nëse mortaja shpërthen në një vend, ndërsa ju jeni aty, mos e lëshoni atë vend!”

Ai gjithashtu ka thënë: “ Ata që kanë sëmundje ngjitëse duhet të mbahen larg nga të shëndoshët”.

Muhammedi, gjithashtu i ka nxitur njerëzit fuqimisht që të ndjekin praktika higjienike që do t’i mbanin njerëzit të shëndoshë nga infektimi. Veni re thënieve –haditheve vijuese të Profetit Muhammed:

“Pastërtia është pjesë e besimit”

“Lani duart pasi të zgjoheni, sepse nuk e dini se kah kanë lëvizur duart tuaja derisa keni qenë duke fjetur!”

“Bereqeti i ushqimit fshihet në larjen e duarve para dhe pas ushqimit”

Po sikur dikë ta kaplojë sëmundja? Çfarë këshille do t’u jepte Muhammedi njerëzve që po vuajnë nga dhimbjet?

Ai do t’i inkurajonte njerëzit që gjithmonë të kërkojnë trajtim mjekësor dhe shërim, duke thënë: “Shëroni veten tuaj me ilaçe! Sepse Zoti nuk ka krijuar asnjë sëmundje, e të mos ia këtë krijuar edhe ilaçin, përveç një sëmundjeje: pleqërisë.”

Mbase më e rëndësishmja është se ai dinte ta mbajë baraspeshën midis besimit dhe arsyes së shëndoshë. Në javët e fundit disa njerëz kanë shkuar aq larg me sugjerimet e tyre, saqë kanë sugjeruar se lutja do të ishte më e mirë për t’u mbrojtur sesa t’u përmbahesh rregullave bazë të distancimit social dhe kuarantinës. Si do të përgjigjej Profeti Muhammed idesë që lutja duhet të jetë arma e vetme, ose më e rëndësishme e shërimit?

Vini re këtij rrëfimi, të treguar nga shkencëtari persian i shekullit IX E’t-Tirmidhi që thotë: Një ditë Profeti Muhammed pa një beduin që po e linte devenë e tij pa lidhur. E pyeti beduinin: “Pse nuk e lidh devenë tënde?” Beduini u përgjigj: “I mbështetem Allahut”. Profeti i tha: “Lidhe njëherë devenë, pastaj mbështetju Allahut!”.

Muhammedi i nxiste njerëzit që të kërkojnë udhëzimin përmes fesë, por ai shpresonte gjithashtu se ata do t’i merrnin masat themelore parandaluese për të ruajtur stabilitetin, shëndetit dhe mirëqenien e të gjithëve.

Me fjalë të tjera: Ai shpresonte se njerëzit do ta përdorin arsyen e shëndoshë!

Dr. Craig Considine është një shkencëtar, profesor dhe kontribuues për mediat, që punon në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Rajsit (Rice University). Ai është autor i veprës “Humaniteti (ana njerëzore) e Profetit Muhammed – Një pikëpamje krisitane” (Bule Dome Press, 2020) dhe i veprës “Islami në Amerikë: Eksplorim çështjesh” (ABC – CLIO, 2019) ndër të tjera.

Përktheu:  Ensar Sinani

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button