Reagimi i partive politike pas zyrtarizimit të anëtarësimit në NATO

“27 marsi me shkronja të arta”, “Suksesi më i madh”, “Realizimi i njërës prej dy strategjive”, kështu kanë qenë disa nga vlerësimet për anëtarësimin e RMV-së në NATO, transmeton Portalb.mk.

“Edhe pse përskaj periudhës së vështirë përmes të cilës po kalojmë nuk mundemi t’u gëzohemi dhe t’i shënojmë këto ngjarje ashtu si i ka hije, megjithatë, bëhet fjalë për suksese historike të cilat pas tre dekadave pavarësi, përfundimisht e vërtetojnë sigurinë dhe e garantojnë të ardhmen tonë. Na qoftë gëzuar të gjithëve. E merituam!”, u shpreh presidenti Stevo Pendarovski në lidhje me zyrtarizmin e anëtarësimit të RMV-së në NATO.

Presidenti Pendarovski këtë javë e procedoi edhe hapin përfundimtar për anëtarësim në NATO, duke e nënshkruar Instrumentin për anëtarësim në NATO.

“Ia ka vlejtur investimi sepse brezave tanë të ardhshëm u mundësojmë stabilitet, siguri dhe prosperitet më të madh”, deklaroi Pendarovski.

Oliver Spasovski, kryeministri theksoi se kjo datë duhet të shënohet me shkronja të arta.

“Sot në Uashington e dorëzuam instrumentin për ratifikimin e Marrëveshjes veriatlantike në Stejt Departamentin në SHBA. RMV-ja edhe zyrtarisht është anëtarja e 30-të në NATO. 27 marsi shënohet me shkronja të arta në historinë tonë. Realizuam të parën nga dy qëllimet strategjike “, njoftoi Spasovski.

Anëtarësimin e vendit në NATO, Spasovski e vlerësoi si realizim të ëndrrës së shumë gjeneratave, duke e konsideruar si faktor për stabilizimin dhe sigurinë në rajon.

“Me këtë zgjidhen çështje shumë të rëndësishme për nga aspekti strategjik dhe gjeo-politik. PDSH,  ashtu si deri tani, do të angazhohet edhe në të ardhmen për reforma të mirëfillta dhe eliminim të të gjitha dukurive negative brenda Republikës së Maqedonisë së Veriut”, deklarojnë nga PDSH.

Ata theksojnë se kanë realizuar qëllimin e kamotshëm për të drejtuar RMV-në drejt civilizimit perëndimor.

“I gjendur në këtë moment dëshiroj t’i përgëzoj të gjithë qytetarët që e mbështetën këtë proces, ndërsa këtu dua të theksoj se jam fort i nderuar që e drejtoj një parti që – me praninë e saj në skenën politike dhe, së fundi, me praninë e saj në pushtetin ekzekutiv – edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë ka ndihmuar në përmbushjen e këtij synimi të shumë brezave”, u shpreh Afrim Gashi, udhëheqësi i Alternativës.

Ai theksoi se anëtarësimi i vendit në NATO është meritë e gjithë qytetarëve të vendit.

“Kryefjala e veprimtarisë tonë politike që nga themelimi si parti ka qenë barazia nëpërmjet të zbatimit të Marrëveshjes paqësore të Ohrit dhe anëtarësimi i plotë i vendit tonë në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, deklarojnë nga BDI-ja.

BDI-ja vlerëson se ky sukses është meritë e qytetarëve, nga të cilët kërkon që të vazhdojnë të respektojnë masat e Qeverisë kundër virusit korona.

“Rënia e regjimit më 27 prill 2017, e mundësoi hapjen e rrugës tonë për antarsim në NATO!
Prandaj nuk duhet të harrojmë asnjëherë mbrëmjen e përgjakur në kuvend! Urime të gjithë qytetarëve të RMV-së”, u shpreh në rrjetet sociale sekretari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.

Gjithashtu me qitjen artilerie nga Armata e RMV-së ne kazermën “Ilinden” të Shkupi, u shënua simbolikisht anëtarësimi në NATO

“Qitja artilerie bëhet pas deponimit të protokollit inkuadrues në Departamentin amerikan të Shtetit, që ishte akti final për formalizmin e anëtarësimit të barabartë në NATO, me çka tërësisht u realizua ky përcaktim strategjik i shtetit tonë”, ceket në kumtesën nga Shtatmadhoria e Armatës.

Ndryshe, ambasadori spanjoll në SHBA, Santiago Kabanas, mbrëmë në Stejt Departament është takuar me zëvendëssekretarin shtetëror Filip Riker dhe e dorëzoi dokumentin origjinal të ratifikimit të Protokollit aderues për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Dokumenti këtë javë u votua në Senati dhe u nënshkrua nga mbreti i Spanjës Felipe i Gjashtë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button