VMRO mbështet BDI-në, pa komandantë

Partia më e madhe në pushtet VMRO-DPMNE do ta mbështes partnerin e saj në koalicion, Bashkimin Demokratik për Integrim në komunat ku kandidati maqedonas nuk ka gjasa të fitoj, mirëpo këtë do ta bëjë në rrethin e dytë zgjedhor dhe vetëm nëse kandidatët për kryetarë komune nuk kanë qenë ish komandantë të Ushtrisë Clirimtare Kombëtare. Ky kushtëzim, siç mëson Portalb nga burime partiake, ka të bëjë kryesisht me dy komunat më të mëdha të banuara me shumicë dërmuese shqiptare, Tetovën dhe Gostivarin.

Kushtëzimet e partisë së kryeministrit Nikolla Gruevski duket se kanë hapur telashe të mëdha për pretendentët kryesore në garën brendapartiake në BDI. Në qytetin e Tetovës, VMRO-DPMNE ka “sugjeruar” partinë e Ali Ahmetit që të mos e kandidojë Hazbi Likën edhe pse ky i fundit në anketat e realizuara brenda elektoratit të BDI-së ka rezultuar dukshëm më i suksesshëm se Teuta Arifi dhe Fatmir Besimi. Nga ana tjetër, siç mëson Portalb, nga burime brenda BDI-së, në kryesinë qëndrore të kësaj partie ditëve të fundit ka pasur fërkime të mëdha rreth përzgjedhjes së kandidatit për Komunën e Tetovës.

Përveç se në anketat partiake, ish kryetari i kësaj komune, Hazbi Lika ka marë edhe mbështetjen e më shumë nëndegëve, por kundër Likës janë paraqitur drejtues të lartë të partisë të cilët janë në dijeni për “sugjerimin” e partnerit të koalicionit.

Me probleme të njëjta është ballafaquar edhe dega e Gostivarit ku poashtu VMRO-DPMNE ka dhënë preferencat e saj për kandidatin e BDI-së në këtë qytet. Partia e Gruevskit ka kërkuar nga BDI që të mos garojë as me Talat Xhaferin dhe as me Nevzat Bejtën për shkak të antipatisë që ka lindur tek elektorati i VMRO-DPMNE-së për shkak të së kaluarës së këtyre dy funksionarëve të BDI-së.

Në këtë qytet tani për tani, VMRO-DPMNE ka dhënë dritë jeshile vetëm për deputetin Nexhati Jakupi, ish ministër i ekologjisë. Edhe në Gostivar, këto ndikime të partnerit më të madh në koalicion kanë shkaktuar ndasi brenda BDI-së. Ditëve të fundit është thyer edhe lokali i zyrës së BDI-së në këtë qytet për çka jozyrtarisht është akuzuar kushëriri i deputetit Nexati Jakupi.

Ndryshe, kushtëzime nga ana e VMRO-DPMNE-së drejt BDI-së ka pasur edhe gjatë përzgjedhjes së funksionarëve shqiptarë në ekzekutiv. Ashtu siç fillimisht spekulohej edhe rezultoi me emrimin e ministrave në kabinetin qeveritar ku nuk zunë vend as Hazbi Lika i cili përmendej për ministrinë e mbrojtjes dhe as Talat Xhaferi për të njëjtin post. Më pas, Xhevat Ademi, për të njëjtën arsye, nuk arriti të emrohet nënkryetar i Parlamentit ku më pas dështoi edhe Hajrulla Misini. Ky i fundit edhe pse i përfolur për një kohë të gjatë, nuk ka marë ende vizën e Qeverisë për ambasador në Zhenevë, pozicion që tani e disa muaj, pas kthimit të Azis Pollozhanit ka mbetur i zbrazët. Arsyeja e vetme që përfolej në opinion dhe akoma nuk është demantuar zyrtarisht, ka qenë detyra e komandant “Shpatit” në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare.

Zyrtarisht të dy partitë në pushtet demantojnë të kenë biseduar për zgjedhjet e ardhshme lokale dhe për mbështjetjen e njëri tjetrit./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button