Andreas Shider: Fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut është sinjal për unitet në këto kohë të vështira

Vendimi për fillimin e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut është lajm i shkëlqyer për rajonin dhe për gjithë Bashkimin Evropian dhe është sinjal shumë  i nevojshëm për unitet dhe aksion të koordinuar në këto kohë të vështira, vlerësoi eurodeputeti austriak Andreas Shider.

“Me kënaqësi e uroj Maqedoninë e Veriut dhe të gjithë qytetarët e saj për këtë vendim të shumëpritur”, theksoi Shider, i cili është kryesues i Delegacionit të Parlamentit Evropian në Komitetin e Përzier Parlamentar BE – Maqedonia e Veriut.

Siç informon korrespondenti i MIA-s, Shider thekson se Komisioni Evropian dhe Këshilli kanë konfirmuar se vendi i ka përmbushur të gjitha kushtet për fillimin e negociatave për anëtarësim.

“Vendi ofroi rezultate materiale dhe të qëndrueshme në përpjekjet e saj reformuese, përfshirë edhe me arritjen e marrëveshjes për çështjen e emrit dhe me miratimin e ndryshimeve të nevojshme kushtetuese, si dhe miratimin e Ligjit për Prokurorinë Publike, para shpërndarjes së Kuvendit. Për këtë jemi shumë të kënaqur që nuk janë vendosur kushte plotësuese për vendin para konferencës së parë ndërqeveritare”, tha eurodeputeti austriak.

Ai theksoi se anëtarët e delegacionit të Parlamentit Evropian në Komitetin e Përzier Parlamentar BE – Maqedonia e Veriut dëshirojnë ta rifillojnë dialogun ndër parlamentar menjëherë pasi të konstituohet delegacioni i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

“Edhe pse është për të ardhur keq që zgjedhjet janë shtyrë si rezultat i gjendjes së jashtëzakonshme me Kovid-19, ne mbetemi të bindur se bashkë do të mund të ballafaqohemi me këtë sfidë globale”, shtoi Shider.

Ai theksoi se BE-ja është e gatshme që ta mbështesë Ballkanin Perëndimor me ndihmë urgjente për sistemet shëndetësore dhe të kontribuojë për rimëkëmbjen socio-ekonomike të vendeve të rajonit.

“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj që të bëhet anëtare e plotfuqishme e Bashkimit Evropian dhe presim dialog të frytshëm dhe konstruktiv parlamentar”, tha në fund Shider. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button