Pendarovski: Sot në orën 17:30 bëhemi edhe zyrtarisht anëtare e NATO-s

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, nëpërmjet një video paraqitje, informoi se sot në orën 17:30 do të bëhet pranimi zyrtar i vendit në NATO., njofton Portalb.mk.

Kreu i shtetit ka përshëndetur edhe vendimin e Këshillit Evropian për hapje të negociatave me Maqedoninë e Veriut, duke thënë se, në këto ditë të sfidave kur të gjithë jemi të kthyer kah më të afërmit tanë, shteti ynë bëri hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së qëllimit strategjik për hyrje në Bashkimin Evropian (BE). Liderët e vendeve anëtare, siç theksoi ai, vërtetuan se duhet t’i nisim bisedimet me Unionin. Komisioni Evropian do të kyçet në definimin e kornizës së bisedimeve, ndërsa konferenca e parë ndërqeveritare do të ndodhë sa më shpejtë që të jetë e mundur.

“Anëtarësimi zyrtar në NATO do të bëhet sot në Uashington, në kryeqytetin amerikan në orën 11:30 sipas orës amerikane. Edhe pse përskaj periudhës së vështirë përmes të cilës po kalojmë nuk mundemi t’u gëzohemi dhe t’i shënojmë këto ngjarje ashtu si i ka hije, megjithatë, bëhet fjalë për suksese historike të cilat pas tre dekadave pavarësi, përfundimisht e vërtetojnë sigurinë dhe e garantojnë të ardhmen tonë. Na qoftë gëzuar të gjithëve. E merituam!”, tha Pendarovski.

Më 17 mars të këtij viti Spanja ratifikoi protokollin për anëtarësimin e vendit në NATO. Me këtë përfundoi procesi i anëtarësimit, pasi Spanja ishte vendi i fundit që duhej të ratifikonte protokollin. Më herët këtë e kishin bërë edhe 28 vendet e tjera anëtare.

Procesi i ratifikimit të Protokollit nga shtetet anëtare erdhi pasi që ai fillimisht është nënshkruar më 6 shkurt në Bruksel, pas zgjidhjes së kontestit me Greqinë për ndryshimin e emrit dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës. Pasi të gjitha vendet anëtare të NATO-s ta ratifikojnë Protokollin në Kuvendet e tyre, Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtarja e 30 e NATO-s.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button