Inteligjenca artificiale do të ketë ndikim të thellë në skenën politike botërore në vitet 2020-ta dhe më gjerë

Për të përdorur IA-në drejt, ne kemi nevojë për bashkëpunim më të fortë mes institucioneve shtetërore – qeverive, agjencive të zbatimit të ligjit, gjyqësorit dhe parlamenteve – sektorit privat, akademisë, shoqërisë civile dhe publikut në përgjithësi.

Inteligjenca artificiale (IA) do të bëjë ndryshime drastike në shoqëritë e botës gjatë dekadës së re dhe më gjerë, duke shkuar përtej çdo revolucioni të mëparshëm teknologjik. Diskursi publik mbi efektet e IA është drejtuar kryesisht nga frika se ajo do të tejkalojë inteligjencën e njeriut në mënyrë të pakontrollueshme, si dhe nga shqetësimi se makinat e reja inteligjente do të zëvendësojnë njerëzit në çdo aspekt të jetës, nga drejtimi i automjeteve tek diagnostikimi i sëmundjeve dhe më shumë. Por IA gjithashtu do të ketë ndikim të thellë në politikën e ardhshme botërore. Ajo do t’u ofrojë qeverive mundësi për të aneksuar fushën dixhitale, duke siguruar alternativ për sistemet e hapura politike.

IA në emër të sigurisë kombëtare

Në dekadën e fundit kemi parë shtetet duke e tërhequr IA-në në orbitën e tyre, duke e arsyetuar atë në emër të sigurisë kombëtare. Ky fenomen kontrovers është më i dukshëm në Kinë se kudo tjetër në botë. Autoritetet në Pekin po përdorin IA për të ndërtuar shtetin Orwellian dhe tashmë kanë filluar të ndërtojnë një sistem duke përdorur mjete të mësimit automatik dhe mbikëqyrjes për të kontrolluar qytetarët brenda kufijve të shtetit kinez. Pekini do të jetë në gjendje të censurojë tema dhe sjellje të caktuara në mënyrë që të lejojë qarkullimin e lirë të informacionit për aktivitete ekonomikisht produktive, duke kufizuar ose eliminuar çdo gjë që mund të dëmtojë autoritetet dhe vetë sistemin. Po ashtu, IA është aq e mirë sa të dhënat në të cilat ka qasje dhe si e tillë ajo do të lejojë kontrollin parashikues mbi kundërshtarët e mundshëm të sistemit, i cili do të ngjasë me targetim të konsumatorëve të Google dhe Amazon, por do të jetë më i sofistikuar dhe efektiv. E gjithë kjo tregon se do të kemi një të ardhme dixhitale drakoniane.

Gjithashtu ka një interes në rritje për teknologjinë IA nga zbatuesit e ligjit dhe agjencitë e sigurisë kombëtare në të gjithë botën. Përhapja e teknologjisë IA në çështjet e sigurisë kombëtare mund të rrisë shpeshtësinë e episodeve siç ishte skandali në Meksikë, e cila kishte të bëjë me mbikëqyrjen e qeverisë mbi gazetarët. Kohët e fundit, në këndin juglindor të Evropës, projekti i Huawei për kryeqytetin e Serbisë Beogradin, i cili synon të instalojë kamera me aftësi të njohjes së targave të automjeteve dhe të fytyrave të njerëzve në qindra lokacione të qytetit, shkaktoi zemërim tek qytetarët. Ky mjet i mbikëqyrjes do t’i ofrojë qeverisë në Beograd një mënyrë për të eliminuar kundërshtimin politik. Derisa teknologjitë IA mund të jenë mjete të fuqishme për zyrtarët e zbatimit të ligjit për gjetjen e kriminelëve ose terroristëve, këto gjithashtu mund të shndërrohen në armë për të kontrolluar njerëzit. Për politikë-bërësit e jashtëm, këto raste sinjalizojnë intensifikim të “kontradiktave të Snowden-it” dhe nevojë për të mbrojtur privatësinë dhe të drejtat e komunikimit të mediave dhe shoqësisë civile në demokracitë joliberale.

IA dhe ekuilibri i fuqisë në skenën botërore

IA gjithashtu do të ndikojë në ekuilibrin e fuqisë në skenën botërore. Për disa dekadat e fundit, ekuilibri i fuqisë botërore është ruajtur me frenim bërthamor mes shteteve të armatosura me armë bërthamore. Tani ekziston një potencial që IA të shkaktojë garë mes shteteve se cili do të fitojë avantazh strategjik. Shtetet tashmë janë duke zhvilluar armë të pajisura me IA që do të rrisin aftësitë ushtarake, ndërsa ekspozojnë më pak ushtarë ndaj lëndimeve ose vdekjeve. Strategjia kombëtare e Kinës për IA tregon se sa seriozisht e marrin qeveritë këtë teknologji të re, duke vendosur baste të mëdha për të ardhmen e IA. Në një fjalim tre vjet më parë, Presidenti i Rusisë Vladimir Putin tha se vendi që fiton përparësi në teknologjinë IA “do të jetë sunduesi i botës”.

Vestackata inteligencija ke ima ogromno vlijanie vrz globalnata politika vo slednive deset godiniBurim: brinknews.com

Mënyra se si do të përdoret IA mund të ketë pasoja serioze në politikën boterore, veçanërisht nëse një shtet i caktuar ka aftësi më të mëdha se tjetri, i cili, si rezultat, mund të ndryshojë potencialisht ekuilibrin e fuqisë. Sfidat për ekuilibrin e fuqisë së një rajoni mund të ndodhin pasi disa shtete tërheqin teknologjinë IA në orbitën e tyre për të kthyer të metat strategjike historike përballë fqinjëve të tyre. Pak shtete do të jenë në gjendje të përdorin IA me përgjegjësi, sepse po të ishte e kundërta ato mund ta fusin veten në disavantazh strategjik përballë një shteti tjetër. Për shembull, Kina nuk e merr në konsideratë etiken e përdorimit të armëve të tilla. Prodhuesit e armëve të Rusisë kanë njoftuar se janë duke planifikuar që të zhvillojnë armë të pajisura me teknologjinë IA si raketa dhe armë të vogla. Institucionet dhe traktatet që sigurojnë paqen dhe stabilitetin në sistemin ndërkombëtar nuk kanë parashikuar se dikur në shekullin 21 ky sistem do të përfshin edhe IA-në. Sidoqoftë, është tejet e rëndësishme të ketë një konsensus mbi norma specifike mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, Kinës, Rusisë dhe fuqive të tjera në rritje të IA.

IA dhe aktorë jo-shtetërorë

Në shumë aspekte, këto fenomene të lartëpërmendura janë pjesë e një zhvillimi të natyrshem me rëndësinë në rritje të aktorëve jo-shtetërorë në sistemin ndërkombëtar të shekullit 21. Grupet kriminale dhe organizata terroriste që kërkojnë të kryejnë akte jomorale dhe të shkaktojnë kaos brenda shoqërive kanë përdorur mjete dixhitale për të çuar më tej objektivat e tyre në mënyra jokonvencionale.

Kërcënimi më i madh nga armët e pajisura me IA nuk është i kufizuar vetëm në shtetet. Kërcënimi do të vijë nga aktorët jo-shtetërorë nëse ato bien në duart e tyre, që nënkupton një asimetri në rritje mes ushtrive të shteteve dhe organizatave terroriste dhe grupeve kriminale në aspekte të luftës në të ardhmen. Aktorët jo-shtetërorë dhe shtetet në të ardhmen do të jenë në gjendje të luftojnë betejat virtuale përmes IA për të çaktivizuar njeri-tjetrin me kod keqdashës ose dezinformim. Me popullizmin tashmë në rritje dhe politika nacionaliste që gëzon ringjallje, IA mund të përdoret në të ardhmen për të synuar grupe të caktuara njerëzish të mbështesin informata të pavërteta ose të kundërshtojnë interesat e tyre, duke kërcënuar integritetin demokratik dhe reputacionin e institucioneve shtetërore.

Rruga përpara

Për të përdorur IA-në drejt, ne kemi nevojë për bashkëpunim më të fortë mes institucioneve shtetërore – qeverive, agjencive të zbatimit të ligjit, gjyqësorit dhe parlamenteve – sektorit privat, akademisë, shoqërisë civile dhe publikut në përgjithësi. Detyra është marramendëse, por jo e pamundur. Shtetet duhet të sigurohen se sektori privat, i cili mban përgjegjësinë për hartimin, programimin dhe zbatimin e teknologjive IA, mbështet standardet e të drejtave të njeriut. Shtetet gjithashtu duhet të investojnë në iniciativat e vetëdijësimit dhe edukimit të publikut për të zhvilluar kompetencat e të gjithë qytetarëve dhe veçanërisht të synojnë rininë, të përfshihen pozitivisht me teknologjitë IA dhe të kuptojnë më mirë ndikimin e tyre.

Revolucioni i ri teknologjik do të paraqesë sfida serioze për nocionin e konsolidimit të institucioneve demokratike dhe barazisë sociale, pasi praktikat e mbikëqyrjes të mundësuar nga teknologjitë IA mund të kufizojnë të drejtat dhe liritë civile. Është fusha e diplomacisë ndërkombëtare për të komunikuar përdorimin e përgjegjshëm të IA me pjesën tjetër të botës. Duhet të konsiderohet nëse përdorimi i IA do të thotë qeveritë apo autoritetet më të zgjuara dhe inovative apo mbikëqyrje masive dhe demokraci të shkatërruara? E vërteta e kësaj çështjeje është e paqartë, e cila është edhe shqetësuese edhe emocionuese. Përhapja dhe zhvillimi i IA dhe qasja në të dhëna në epokën e re paraqesin një labirint moral për qeveritë në të gjithë botën.

Burimi: Respublica

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button