PËR KË BIEN TENXHERET?

Duke shikuar albumin e fotografive të bëra gjatë shëtitjeve të mia në natyrë, u ndala te ajo e një zabeli të mbytur ferrash. Dhe, s’e di perse m’u lidh xhungla me seancën e parmbrëmshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila e gjeti stinën e lenxhirës më të frikshme që ka goditur ndonjëherë njerëzimin, për ta lënë vendin në mëshirën e atyre që nuk denjojnë ta dëgjojnë rropatjen e tenxhereve të popullit hallexhi!?

Sa i shkundur jam, i thash vetes! E ç’lidhje mund të ketë mbledhja e parmbrëmshme e Kuvendit të Kosovës me ferrat e zabelit, që kisha fotografuar kush e di se kur? Nëse ka ndonjë lidhje, ka me Krishtin me Kamçik të Nolit, me atë kështjellën e atdheut, ku qenë shtruar sarafët pa shpirt e pa besë, që tregëtonin e gënjenin, rrëmbenin e sfrutonin, me pretekstin se ashtu Atdheun e mbronin,  e shpëtonin

Dhe, posa nisa të bëhem merak për imagjinatën e sëmurë, që lidh ferrat e zabelit me kuvendin e hallakatur për marre të Zotit, m’u kujtua Fjalori i Gjuhës shqipe, të cilin e shfrytëzojmë mjeshtërisht për  mosmarrëveshje. Vetëm ky, thash, do t’më ndihmojë ta shauj kurreshtjen, ta verifikoj mirëfilli, nëse është e vërtetë se nënvetëdija nganjëherë është më e esëllt se vetëdija? Prandaj, ju ftoj t’i lexojmë bashkë përgjigjet që jep sovrani i gjuhës lidhur me kuptimet e figurshme të fjalëve zabel dhe ferrë:

ZABEL m. sh.

Pyll i vogël a pjesë e ndarë pylli… Zabel i dendur (i rralluar…). Zabel me dushk. 

FERRË f. sh.

Diçka e keqe. Njeri i keq që na pengon të ecim përpara, që na nxjerr vështirësi e telashe; Mbjell ferra nëpër këmbë…

Njeri që s’të lë të qetë: Është ferrë. E kam ferrë. Iu bë ferrë (rriqër, rrodhe. . .); Nuk i ka hyrë ferrë (gjemb) në këmbë nuk ka vuajtur fare, nuk ka hequr keq në jetë; nuk ka pësuar asgjë, s’ka pasur asnjë humbje. E kam ferrë për qafe dhe më shqetëson vazhdimisht, më bezdis shumë. E kam ferrë (gjemb, halë, shushull); E mori ferra fjalën u përhap fjala kudo, e morën vesh të gjithë. E mori ferra uratën mori fund puna, nuk rregullohet më. I mbiftë ferra në derë! I rëntë një e keqe e madhe, iu shoftë pragu! Ia mbylli derën me ferra i bëri gjëmën, e shoi krejt, e fiku… I vuri ferrën shtëpisë… Ferra e nisi, ferra e grisi. Hardhia e bën rrushin, ferra e merr uratën… Zog ferre (miu, shtrige). Ferrë gomari, gjembaç, rrëfeshk. Ferrë e keqe, drizë…

Shpjegime interesante, veçmas për fjalën ferë, jep dhe Fjalori i simboleve, miteve, endrrave, traditave, gjesteve, formave… i autorëve: J. Chevalier dhe A. Gheerbran. Në të fjala ferrë nënkupton pengesë dhe vështirësi. Në legjendat semite dhe të krishtera ferra nënkupton tokën e egër dhe të papunuar – tokën me ferra. Te meksikanët ferra lidhej me strallin dhe thikat për flijimin e njerëzve. Ferra ishte dhe mjet për shpimin e gjymtyrëve të trupit të viktimave, për t’ua blatuar më pas gjakun Hyjnive…

Të kuptuara drejt, shpjegimet e këtilla të urtësive popullore, mund t’i emancipojnë parësitë e papërgjegshme, t’i shkëpusë ata nga mendësia e ferrës, t’i ndërgjegjësojë që, para vendimmarrjeve të rëndësishme, ta kuptojnë: për kë bien tenxheret? Sepse: sa herë e merr ferra uratën, në vend të hardhisë që e bën rrushin, nuk rregullohen kollaj punët.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button