Kohë për të festuar, por festa do të presë

Sa e çuditshme që dy ngjarjet më të rëndësishme historike të cilat i pritëm me dekada të tëra u realizuan tani, kur të gjithë prioritet kryesor e kemi vetëm shëndetin. Përfundimisht, pas shumë peripecive, pas shumë mundësive të lëshuara dhe devijimeve arrogante nga rruga, pas një përkushtimi maksimal për tu bërë miq me fqinjtë dhe për të zgjidhur kontestet problematike, ja ku erdhi dita kur jo vetëm anëtarësimi në NATO por edhe hapja e negociatave për aderim në UE bëhet realitet. Të dy rastet po që janë të veçanta dhe shumë domethënëse, janë mundësi që i kemi pritur dhe veçanërisht në kohën e fundit, kemi punuar shumë për t’i arrirë. Por ja që fati e deshi pikërisht atë që e konsideronim më të rëndësishme ta nxjerrim tani në plan të dytë, sepse ashtu si që është thënë gjithmonë, është pikërisht shëndeti ai që është më i vlefshmi nga të gjithë.

Dhe tani në vend që të festojmë dhe të gëzohemi për këto dy fitore të mëdha, ne megjithatë duhet të tregojmë durim. Do të ketë kohë për të festuar, do të ketë kohë për gëzim. Tani është koha për t’u treguar të përgjegjshëm dhe për të mbrojtur vlerën më të rëndësishme, shëndetin tonë, shëndetin e secilit prej nesh dhe rreth nesh.

E di që shumica janë mërzitur duke ndenjur në shtëpi dhe duke respektuar masa të cilat sa vinë bëhen më rigoroze. Ka ndalesë për lëvizje të qytetarëve të grupmoshave të caktuara. Ka ndalesë të përgjithshme të lëvizjes së të gjithë qytetarëve për fundjavë nga ora 16:00 deri në 5:00. Ka masa të ndryshme të cilat janë sjellur për të mirën e përgjithshme, për mbrojtjen e shëndetit tonë. Respektoni këto masa. Mundohuni të nxirni më të mirën prej tyre.

E mirë është kafeja në kafenetë për të cilat na ka marë malli. Por e mirë është kafeja edhe në shtëpi. I mirë është socializimi ynë me shoqërinë për të cilën poashtu na mori malli e me të cilët tani kontaktojmë vetëm me rrjetet sociale. Por i mirë është edhe socializimi në shtëpi.

Ata që pjesën kryesore të ditës e kanë kaluar në punë vetëm para disa javësh, të gjithë ne që fëmijët tanë i kemi parë ndonjë ditë vetëm dy orë, ndonjë ditë një orë, ndonjë ditë fare, tani kanë kohë të çmuar për të kaluar me ta. Fëmijët tanë deri tani janë edukuar në shkolla, nga mësueseit e tyre, vlerën e të cilave e shohim pikërisht tani, që duhet të bëjmë një pjesë të punës së tyre. Gjatë këtyre javëve kemi rastin të shohim vërtet se ku kanë arrirë me mësimet fëmijët tanë, çfarë kanë mësuar, çfarë mësojnë, ku u duhet përkrahje, ku u duhet ndihmë për të ecur përpara.

Mundësia për të dedikuar kohën tonë në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve tanë ka qenë një luks i vërtetë për shumicën prej nesh. Fëmijët tanë, fëmijët e njerëzve të punësuar, e kanë ndjerë vërtët shumë mungesën tonë, ashtu si e kemi ndjerë edhe ne mungesën e tyre. Për fëmijët tanë janë kujdesur të tjerët, gjyshet, gjyshërit, dadot, edukatorët e çerdheve, mësuesët e shkollave, por ne shumë shumë pak. Në kohëra të kapitalizmit modern, kalimi i kohës kualitative me fëmijën tënd është luks që rrallë na ofrohet, prandaj le ta shfrytëzojmë këtë mundësi për aq sa zgjat. Ndoshta do e kuptojmë më mirë vlerën e të gjithëve që punojnë me fëmijët tanë derisa ne jemi të zënë me sigurimin e mbijetesës. Ndoshta do e kuptojmë vlerën e gjyshërve që meren gjithë ditën me ta, i ushqejnë e i veshin, i ndihmojnë me detyrat, i bartin nëpër kopshte e nëpër shkolla, nëpër aktivitete muzikore e fizike, çdo ditë, çdo javë, pa u ankuar. Ndoshta do e kuptojmë rolin e rëndësishëm të mësimdhënësit që ndonjëherë na duket se nuk bën sa duhet për fëmijët tanë, me gjithë përkushtimin e tyre edhe gjatë këtyre ditëve kur na dërgojnë detyra me email e telefon, për të mbajtur në kondicion njohuritë e fëmijëve tanë. Tani që jemi vet mësimdhënës të fëmijëve tanë dhe e shohim sa vështirë shpjegohen thyesat ekuivalente ose numrat e përzier për fëmijët e vegjël, ashtu që ata ta kuptojnë se për çfarë bëhet fjalë, ndoshta do e kuptojmë sa vështirë është këtë ta shpjegojë mësuesi me 36 nxënës në klasë, në kushte shumë më pak të volitshme se ato të shtëpive tona.

Në çdo të keqe ka ndonjë të mirë. E mira e kësaj situate mund të jetë ajo që të mësohemi të jemi falenderues për të gjithë ata që bëjnë shumë për ne e e ne megjithatë, në të shumtën e rasteve këtë nuk e vërejmë, nuk e vlerësojmë, nuk e konsiderojmë diçka të madhe. Ndoshta kjo situatë do e rrisë empatinë mes nesh, vlerën e njerrëzores, kur paraja nuk e ka vlerën që e kishte dy muaj më parë, sepse gjërat për të cilat kemi harxhuar pasuri të tëra, tani u bënë papritur krejtësisht irrelevante.

Koha e izolimit na ofron mundësi për të reflektuar për të gjitha këto gjëra dhe për të kuptuar rëndësinë e prioriteteve të cilat jo gjithnjë arrijmë ti vendosim si duhet në jetë. Le ta shfrytëzojmë këtë kohë për tu bërë persona më të mirë, që kur të paraqitet mundësia e ardhshme të mos festojmë vetëm NATOn e UEnë por të festojmë edhe faktin që jemi bërë njerëz më të pjekur.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button