VV: Nëse takohet Thaçi me Dacicin e legalizon platformën!

Platforma e Qeverisë së Serbisë synon qartë që të krijohet një shtet brenda territorit të Kosovës, ka vlerësuar Glauk Konjufca, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai ka thënë se Serbia po kërkon që kjo pjesë e territorit të Kosovës të qeveriset nga Beogradi, si dhe të ketë autonomi në qeverisje, polici e drejtësi.

“Nëse Qeveria shkon më 17 janar në takim me Dacicin, ku do të hapej edhe tema e veriut të Kosovës dhe Platforma e Serbisë, ky do të ishte pranim automatik i pazarit për veriun. Kjo do të ishte një shenjë shumë e keqe e pranimit që pushteti sovran republikan brenda territorit tonë të ndahej me Beogradin”, ka thënë Konjufca.

Ai ka vlerësuar se nuk është aspak e këndshme se si BE-ja nuk u prononcua për këtë platformë antishqiptare.

“Kjo është e çuditshme kur e dimë se sa me zell BE-ja deklarohet kundër demonstratave të qytetarëve që i kundërshtojnë negociatat e padrejta me Serbinë. Përderisa BE-ja të mos marrë qëndrim të hapur kundër këtij dokumenti të Serbisë, ne gjithnjë do të kemi të drejtë të mbetemi të shqetësuar”, ka thënë Konjufca, në një konferencë për gazetarë.

Ndërsa, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti ka kritikuar kryeministrin Thaçi, i cili sipas tij, në njërën anë tregon se kush është Dacici e Nikolici, ndërsa në anën tjetër, në bisedime pranon që një pjesë e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe një pjesë e territorit të Republikës së Kosovës të jetë e liruar nga tatimet.

“Autonomia brina nuk ka. Me këtë se çka ka ndodhur me doganat, duhet ta bëjmë një dallim shumë të madh se çka kemi pasur më herët dhe çka kemi tash, duke pasur parasysh pretendimet e disave që thonë se në rregull se ata ashtu kështu kurrë nuk kanë paguar tatime”, ka thënë Ahmeti./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button