Tetova shpërblen talentët e sportit

Lidhja sportive shkollore në Tetovë, në bashkëpunim me Komunën e Tetovës dhe Shoqatën “Fisi”, të enjten kanë mbajtur manifestimin përmbyllës të ndarjes së dhuratave për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme për vitin 2012.

Dhuratat janë ndarë për pjesëmarrjen dhe suksesin e tyre në shumë fusha të sportit, në gara ekipore dhe individuale. Brenda këtij viti, ky bashkëpunim ka rezultuar me një sërë aktivitetesh sportive, të cilat kanë përfshirë grupmoshat më të reja. Aktivitet sportive janë organizuar nëpërmjet një agjende të dendur në shumë drejtime, në vrapim malor, atletik, kamping veror, ecje malore, basketboll, volejboll, futboll të vogël dhe në disiplina tjera atraktive, siç janë; alpinizmi, kalërimi, garat në shah, biçiklizëm dhe not.

“Sporti mbetet një nga segmentet tepër të rëndësishëm të shoqërimit për brezin më të ri. Pjesëmarrja në jetën sportive e nxënësve mundëson që ata të zbulojnë aftësitë e tyre në fusha të caktuara dhe më pas t’i kultivojnë ato”, tha kryetari i komunë së Tetovës, Sadi Bexheti.

Jeta sportive, tha ai, iu jep mundësinë të rinjve të shoqërohen, të njihen mes veti dhe të zgjerojnë bashkëpunimin në funksion të një perspektive sa më të mirë shoqërore.

Sipas tij, edhe ky manifestim është në funksion të stimulimit dhe të përkrahjes për gjithë ata të rinj që kanë shënuar rezultate në sportet ekipore dhe individuale.

“Përgëzojmë Lidhjen Sportive Shkollore në Tetovë dhe shoqatën “Fisi” , të cilat në bashkëpunim me Komunën e Tetovës u kanë krijuar mundësi nxënësve të shfaqin talentin e tyre në sporte të ndryshme”, tha kryetari Bexheti./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button