RMV, UT filloi ligjeratat online, studentët dhe profesorët: kjo është zgjidhja e duhur në këto kushte

Rrethanat e jashtëzakonshme në të cilën po funksionojnë momentalisht të gjithë sektorët e shtetit, si pasojë e paraqitjes së virusit korona në Maqedoninë e Veriut, ka ndryshuar edhe funksionimi e mësimdhënies e ligjëratave arsimore, shkruan Portalb.mk.

Pas mbylljes së shkollave e universiteteve, si masë e rekomanduar e Ministrisë së Arsimit të Maqedonisë së Veriut, shkollat dhe universitetet kanë gjetur alternativa të tjera të mësimi në distancë, përmes ligjëratave online. Zëdhënësi i Universitetit të Tetovës, Selam Sulejmani, tha për Portalb se edhe ky universitet, nga ditët e para të shpalljes  së pandemisë botërore, ka respektuar të gjitha vendimet, rekomandimet dhe masat e publikuara nga institucionet kompetente në RMV dhe të Organizatës Botërore të Shëndetësisë – OBSH-së. Ai tha se, edhe UT ka filluar nga 23 marsi me aplikimin e klasave online.

“Kjo situatë e krijuar, që e ka eklipsuar mbarë botën, ka krijuar vështirësi serioze në mbarëvajtjen e procesit mësimor – shkencor edhe në universitete. Pas pezullimit të procesit mësimor (nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës – Qeveria e RMV-së), edhe në institucionet e arsimit të lartë, në këto kushte, ne kemi punuar pareshtur që t’i minimizojmë pasojat e kësaj pandemie përmes klasave online të lëndëve mësimore të cilat funksionojnë edhe më herët në kuadër të qendrës e-learning. Për këtë qëllim dhe në funksion të vazhdimësisë së veprimtarisë arsimore – shkencore në Universitetin tonë, prej ditës së hënë (23 mars 2020) e deri në një njoftim tjetër, në Universitetin e Tetovës do të zbatohet sistemi online i mbajtjes së ligjëratave në të gjithë programet studimore të trembëdhjetë fakulteteve tona”, tha Sulejmani.

Ai më tej shtoi se, këtë formë të re të ligjërimit e kanë aplikuar edhe më herët, me theks të veçantë, në angazhimin e profesorëve vizitues nga universitete prestigjioze ndërkombëtare, prezantimin e studimeve shkencore në forume, tryeza dhe konferenca e simpoziume shkencore, pjesëmarrjen në programet arsimore ndërkombëtare.

“Aktualisht kjo formë e mësimdhënies do të shtrihet në të gjithë procesin mësimor, deri në tejkalimin e situatës së krijuar. Duke kërkuar mirëkuptimin, në radhë të parë të studentëve, pedagogëve, dhe punonjësve të tjerë të përfshirë në këtë proces alternativ dhe duke i respektuar në përpikëri UDHËZIMET e  menaxhimit online të ligjëratave dhe ushtrimeve, ne të gjithë së bashku do të japim kontributin tonë të rëndësishëm për realizimin e suksesshëm të procesit arsimor – shkencor në Universitetin e Tetovës”, deklaroi zëdhënësi i UT-së.

Profesori, Fatmir Sulejmani, tha për Portalb se, ligjëratat online kanë filluar nga e hëna dhe janë duke u realizuar sipas udhëzimeve dhe orarit të zakonshëm. Ai vlerëson se nëpërmjet kësaj forme të mësimit në distancë, do të minimizohen humbjet në këtë situatë të jashtëzakonshme.

“Përndryshe, formimin e klasave përkatëse në GOOGLE CLASSROOM, Uniersiteti ynë, e ka bërë gati prej kohësh, për të lehtësuar kominikimin e ndërmjet mësimdhënësve dhe studentëve…  Mendoj se ligjëratat online, për shumë arsye…, në asnjë institucion arsimor, nuk arrijnë t’i zëvendësojnë orët e mbajtura në auditoret universitare. Por, në kushte si këto të tashmet, janë të mirëseardhura, sepse nëpërmjet tyre, humbjet do të minimizohen më masë të dukshme”, tha Sulejmani.

Adem Jashari, student i gazetarisë në UT, tha se është i kënaqur nga sistemi i ri i ligjëratave, megjithatë vlerësoi se nuk mund t’i zëvendësojnë ligjëratat klasike.

“Nga e hëna kemi filluar që të mbajmë ligjërata online në Universitetin e Tetovës dhe deri më tani kam ndjekur tre ligjërata, pra të gjitha ligjëratat e parapara deri më sot. Po mbahen rregullisht deri në këtë moment, por a do vazhdojë edhe në të ardhmen kjo dinamikë, ngelet për t’u parë. Për sa i përket drejtimit tim, pra drejtimit të gazetarisë mendoj se deri në një nivel e ka efektin e njëjtë, edhe pse kjo metodë në asnjë mënyrë nuk mund të zëvendësojë ligjëratat që mbahen nëpër sallat, apo amfiteatrot e universitetit”, tha Jashari.

Nga ana tjetër, Universiteti i Evropës Juglindore, njoftoi dje se ka krijuar platforma për mësimdhënie online. Nga ky universitet thanë se aktualisht realizohen 497 klasa aktive virtuale për secilin semestër. Posta elektronike konsiderohet si dokument zyrtar si për stafin akademik, ashtu edhe për stafin administrativ.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë informoi sot se në 24 orët e fundit janë regjistruar 29 raste të reja me virusin korona në vend, me çka numri i përgjithshëm ka arritur në 177. Deri më tani, 3 persona kanë ndërruar jetë si pasojë e virusit korona, ndërkaq një është shëruar.

Për informata më të detajuara për situatën me virusin korona, klikoni në këtë link: http://gdi.mk/corona/

LEXO: Në hotelieri kanë mbetur “pezull” 29.000 vende pune, kërkohen masa urgjente nga Qeveria

LEXO: SPGPM, SHGM dhe KEMM bëjnë thirrje për ta ndihmuar TV Vis

LEXO: Pesë mijë qytetarë të Maqedonisë kanë kërkuar ndihmë të kthehen në shtet, 2100 i kanë pranuar kushtet

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button