ABC-ja e virusit korona!

Nga koha e shfaqjes së virusit korona e deri sot kemi hasur në shumë definicione për atë se çfarë realisht është ky virus dhe sa e ka fuqinë, për këto dhe shumë pikëpyetje tjera, bazuar në Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe disa studime të studiuesve më kredibil në botë, jemi munduar të japim përgjigje, njofton Portalb.mk.

Çka është virusi korona?

Koronaviruset i takojnë një grupi të madh virusesh që shkaktojnë sëmundje të frymëmarrjes dhe disa here shfaqin edhe simptoma në sistemin e tretjes.

Ka lloje të ndryshme të koronaviruseve që qarkullojnë ndër shtazë, por ndonjëherë, për shkak të mutacioneve ose kontakteve mes njerëzve dhe shtazëve, ato mund të barten te njerëzit.

Koronavirusi njihet si COVID-19, dhe është lloj i ri i virusit korona. Është identifikuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 te një grup njerëzish me pneumoni që kanë pasur lidhje me një treg të ushqimeve të detit dhe kafshëve të gjalla në Wuhan të Kinës, një qytet prej 11 milionë banorësh.

Pra, ka nisur prej kafshëve dhe mandej është përhapur te njerëzit, të cilët më pas e kanë bartur te familjarët dhe stafi shëndetësor. Për një muaj, nga një qytet i vetëm virusi u përhap nëpër krahina në të gjithë Kinën.

Para disa ditëve, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) gjendjen aktuale me këtë sëmundje e shpalli si pandemi. Kjo nënkupton se është një “ngjarje e jashtëzakonshme” që përbën “rrezik ndaj shëndetit publik për shtetet e tjera përmes përhapjes ndërkombëtare të sëmundjes” dhe mund të kërkojë “përgjigje të bashkërenduar ndërkombëtare”.

Deri në këto momente, ku ka mbërritur ky virus?

Nga moment kur është shfaqur ky virus e deri sot, ka infektuar gjithsej 375,498 njerëz të 195 shteteve në botë.

Kina, vendi ku edhe e ka origjinën virusi korona mban vendin e parë sa i përket numrit të të infektuarve nga ky virus, edhe atë me 81,767 raste të konfirmuara me virusin korona. Pas saj me 63,927 raste qëndron Italija duke vazhduar kështu me SHBA-në, Spanjën, Gjermaninë e kështu me radhë.

Deri këtë javë, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian ia kaluan Kinës me numrin e rasteve të infektuara, për këtë shpesh here ka raportuar edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh).

Prej shteteve të cilat kanë raste të konfirmuara, më të afërta me Maqedoninë e Veriut janë Kosova (me 61 raste të vërtetuara), Serbia (me 249 raste të vërtetuara), Bulgaria (me 201 raste të vërtetuara), Shqipëria (me 123 raste të vërtetuara) dhe Greqia (me 695 raste të vërtetuara).

Si përhapet?

Marrë parasysh faktin se bota përballet për së pari here me një virus të tillë, shkencëtarët vazhdimisht bëjnë studime në këtë drejtim.

Bazuar në Qendrën për Kontroll të Sëmundjeve dhe Parandalimin e tyre, ky virus bartet kryesisht mes njerëzve që janë në kontakt të afërt me njëri tjetrin, gjegjësisht vazhdimisht po rekomandohet mbajtja e distancës (1 metër) gjatë kontaktit me njerëzit tjerë për shkak se një nga mënyrat për tu infektuar me këtë virus është përmes flluskave që dalin nga goja gjatë bisedës. Deri tash është cilësuar si një ndër viruset që ngjitet më lehtësisht se gjithë të tjerat.

Fatkeqësia e këtij virusi është sepse i njëjti përhapet edhe përgjatë kohës që bartësi i virusit nuk ka shfaqur asnjë simptomë të sëmundjes dhe i njëjti është në gjendje të mirë fizike dhe psikike, kjo fazë njihet si periudha e inkubacionit. Që sipas OBSh-së, llogaritet të jetë një periudhë prej 14 ditësh kurse ka zëra që cilësojnë se i njëjti mund të zgjasë deri në 24 ditë.

Ky virus mund të shfaqet edhe përmes prekjes së gojës, hundës apo syve menjëherë pas prekjes së një sipërfaqeje apo diçkaje që posedon virus, që i bije prekja e sendit i cili është prekur më parë nga një person i infektuar.

Si të mbrohemi?

PO. Lani duart tuaja për të paktën 20 sekonda, disa herë në ditë. Përdorni sapun dhe ujë, si dhe dezinfektues që përmbajnë së paku 60% alkool:

Para gatimit, pas përdorimit të tualetit, pasi të keni fryrë hundën, kolliteni ose teshtini.

MOS i prekni sytë, hundën dhe gojën me duar. Nëse dikush në afërsinë tuaj ka qenë në kontakt me virusin, shumë lehtë mund të transmetoni virusin përmes prekjes.

PO. Mësoni të gjitha simptomat e ngjashme me gripin: Temperaturë, kollë, vështirësi në frymëmarrje.

MOS mbani maskë përveç se nëse jeni i sëmurë. Maskat i mbrojnë të tjerët nga përhapja e virusit te një personi të infektuar, por nëse jeni i shëndetshëm, ndryshe nuk do ju ndihmojë.

PO. Mendoni për këtë, ndoshta vendet publike duhet të shmangen nëse jeni mbi 60 vjeç, keni probleme shëndetësore… Tani dihet që grupet e rrezikuara janë të moshuarit, ata me probleme të zemrës, sistemin e frymëmarrjes dhe diabetin.

MOS udhëtoni nëse keni temperaturë. Nëse sëmureni gjatë fluturimit, menjëherë informoni autoritetet. Kur të ktheheni në shtëpi, kontaktoni menjëherë mjekun tuaj.

Cilat janë simptomat?

Koronavirusi thuhet se është grup i viruseve, ndërsa simptomat aktuale devijojnë nga ato të njohurat. Sipas shkrimeve të profesionistëve, ekzistojnë tre simptoma kryesore të infeksionit me koronavirusin e ri: Temperatura, Kollitja, Vështirësi në frymëmarrje.

Sipas Qendrës Amerikane për Parandalimin e Sëmundjeve, simptomat shfaqen dy ditë pas kontaktit me personin e infektuar.

Kam simptoma… Çfarë të bëj?

E para që duhet bëhet në raste të tilla është vetë-izolimi, që nënkupton qëndrimi 24 orë në shtëpi për 14 ditë me radhë.

Akomodimi në një dhomë të veçantë (mundësisht), mbajtja e detyrueshme e maskës mbrojtëse (maskë kirurgjikale), vetë-kontrolli – matja e temperaturës së trupit të paktën dy herë në ditë,  komunikimi me familjarët në një distancë prej të paktën 2 metra, larja e shpeshtë e duarve për të paktën 20 sekonda, dhe ruajtja e higjienës personale dhe të përgjithshme të shtëpisë, ajrosja e shpeshtë e shtëpisë, sidomos dhoma ku qëndron personi që është në izolim shtëpiak, përdorimi i rregullt i dezinfektuesve me bazë alkooli dhe klori, të rriturit ose personat e sëmurë kronikë të mos shkojnë në punë, nëse shfaqen simptoma të tilla si ethe dhe temperatura e lartë, kollë, vështirësi në frymëmarrje, nganjëherë lodhje, dhimbje muskulore, diarre, personi të telefonojë shërbimin “Alo Mjeku”.

Numrat e telefonit ku mund të paraqiteni në rast se keni simptome

Kush është më i rrezikuar?

Me aq sa është arritur të vërtetohet deri në këto momente, fuqia për ta mundur apo për të mos e mundur këtë grip ka të bëje direkt me imunitetin e personit, pra ngjashëm si gripi sezonal.

Më të rrezikuar gjithashtu janë edhe të moshuarit, personat me shtypje të lartë të gjakut, sëmundje të zemrës apo diabet.

Kurse lajmi i mirë është që deri në këto momente nuk është raportuar ndonjë fëmijë me rrezik të lartë nga virusi korona.

Çka thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë për maskat?

faqen zyrtare të OBSh-së theksohet qartë se njerëzit pa simptoma të frymëmarrjes, sikur kollitja, nuk kanë nevojë për maskë mjekësore. Organizata më e madhe shëndetësore në botë këshillon përdorimin e maskave vetëm nga personat të cilët kanë simptoma.

Personat të cilët përdorin maskat, duhet të sigurohen që të njëjtat janë kualitative dhe përmbajnë filtër i cili parandalon grimcat që mund të hyjnë përmes gojës dhe hundës.

Qeveria e RMV-së… Sa ka ndihmuar në parandalimin e këtij virusi?

Edhe pse për disa qytetarë të shtetit këto masa janë vonuar. Megjithatë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndërmarrë një sërë masash për parandalimin e virusit korona.

Disa nga këta masa janë ndërprerja e procesit edukativo arsimor, është ndaluar puna në shtëpitë studentore si bibliotekat, teatrot, kinematë, muzetë dhe këndeve për fëmijë. Është ndaluar mbajtja dhe organizimi i tubimeve dhe ngjarjeve masive në hapësira të hapura dhe të mbyllura, të secilit lloj të tubimit qoftë ai publik apo privat. Qeveria ka mbyllur të gjitha objektet sportive, kafenetë, restorantet apo objektet tjera të cilat grumbullojnë njerëz.

Përveç masave të lartpërmendura, janë ndërmarrë edhe një sërë masash tjera, të cilat mund ti shihni duke klikuar këtu.

Shpallje e gjendjes së jashtëzakonshme në RMV

Përveç masave të lartpërmendura, disa ditë më herët Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut shpalli gjendjen e jashtëzakonshme me vendim të Qeverisë, të cilën pas disa orësh e nënshkroi dhe njëkohësisht zyrtarizoi presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.

Çfarë do të thotë gjendja e jashtëzakonshme?

Në aktin më të lartë juridik, Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në nenin 125 thuhet se:
“Gjendja e jashtëzakonshme miratohet kur të ndodhin fatkeqësi të mëdha natyrore apo epidemi. Vendimi me të cilin vërtetohet gjendja e jashtëzakonshme sillet me shumicë prej dy të tretave nga numri i përgjithshëm i deputetëve dhe vlen më së shumti 30 ditë. Nëse Kuvendi nuk mund të mblidhet, (siç është rasti momentalisht), vendim për gjendje të jashtëzakonshme sjell presidenti i shtetit dhe ia dorëzon Kuvendit për konfirmim, sapo të ketë mundësi të mblidhet.”

Çfarë do të thotë kjo?

Gjatë gjendjes ushtarake apo të jashtëzakonshme, Qeveria në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe me ligj sjell dekrete ligjore. Autorizimi i Qeverisë që të sjellë dekrete ligjore zgjat deri në përfundimin e gjendjes ushtarake apo të jashtëzakonshme, për të cilën vendon Kuvendi.

Kjo do të thotë se Qeveria do të ketë hapësirë të sjell dekrete ligjore pa kalimin e tyre në Kuvend. Të gjitha vendimet që do t’i sillte Qeveria gjatë gjendjes së jashtëzakonshme do të mund që menjëherë të hyn në fuqi dhe kjo do të thotë ballafaqim më urgjent dhe më efikas me infeksionin.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë informoi sot se në 24 orët e fundit janë regjistruar 29 raste të reja me virusin korona në vend, me çka numri i përgjithshëm ka arritur në 177. Sipas qyteteve, rastet e reja janë diagnostikuar në Shkup (20), Kumanovë (3), Veles (3), Prilep (2) dhe Dibër (1). Deri më tani, 2 persona kanë ndërruar jetë si pasojë e virusit korona, ndërkaq një është shëruar.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button