SHKRIMTARI SI ORAKULL

Shumë shkrimtarë kanë shkruar për sëmundjet dhe epidemitë, që shpesh e kanë ndryshuar rrjedhën e zhvillimeve historike, shoqërore, gjeopolitike, kulturore, artistike e gjuhësore. Murtaja përmendet nga Homeri në Iliadë, por edhe nga Sofokliu tek Edipi mbret. Aty Edipi i gjorë e kërkon fajtorin e murtajës, pa e ditur se vetë është fajtori. Për murtajën e shekullit XIV, që e tronditi Evropën dhe e imponoi temën e vdekjes, frikës dhe çmendurisë, kanë shkruar Bokaço dhe Petrarka. Murtaja e Kamysë është vepra më gjeniale mbi këtë epidemi. Në mitologjinë shqiptare ishte kukudhi që e sillte murtajën në tokë. Murtaja përmendet nga Pjetër Budi, kurse Pjetër Bogdani vdiq prej saj. Ajo përmendet në disa vepra të Kadaresë, kurse Jusuf Buxhovi, në veprën Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit, shkruan për përhapjen e murtajës në Gjakovën e shekullit tetëmbëdhjetë. Kryepeshkopi i Shkupit dhe zbuluesi i “Mesharit”, Gjon Nikollë Kazazi (1702 – 1752), ka lënë shënime për epideminë, që banorët e Gjakovës e kishin luftuar duke përdorur karantinën dhe imunizimin e njerëzve me dregëzat e nxjerra nga hunda e të sëmurit.

Shkrimtarët kanë shkruar edhe për kolerën, që shkakton shtrëngime në muskuj, dehidratim dhe kolaps. Ka shkruar për të Thomas Mann-i në tregimin Vdekja në Venedik, por edhe Gabriel Garcia Marquez, në veprën Dashuria në kohërat e kolerës, ku doktor Urbino e ka obsesion profesional luftimin e kolerës, një sëmundje prej së cilës ka vdekur i ati i tij. Kjo vepër, më shumë se sa për kolerën, flet mbi dashurinë që nuk mund të parandalohet. Studiuesit thonë se romani flet për tri sëmundje: kohën – që na vjedh ditët; dashurinë – që na vjedh oreksin dhe kolerën – që trupit të sëmurë ia vjedh lëngjet.

Kanë shkruar shkrimtarët edhe për tuberkulozin, sikurse Tomas Mani apo Aleksandar Dyma. Nga tuberkulozi, që është quajtur “sëmundja e poetëve”, vuajtën Shileri, Kafka e Migjeni.

Ka shkrimtarë që kanë shkruar për rolin e mjekut në shoqëri, sikurse Henrik Ibseni (1828 – 1906), tek Armiku i popullit (1882). Doktor Stokmani zbulon se uji i banjave, ku shërben si mjek, ka mikrobe që e rrezikojnë shëndetin e qytetarëve, prandaj e kërkon mbylljen e tyre. Pasi banjat ndikojnë në mirëqenien e qytetit dhe mbyllja ka kosto financiare, për sa kohë riparimi është i gjatë dhe i kushtueshëm, kundër tij nxitet fushatë denigruese, të cilës i bashkohen të mashtruarit dhe përfituesit, përfshirë edhe vëllain e tij. Mjeku i ndërgjegjshëm beson se e drejta i përket pakicës, kurse shumica përherë gabon duke i ndjekur prijësit verbërisht. Ai shpallet armik i popullit. Doktor Stokmani e kupton se në qytet, mbi të gjitha, mungon përgjegjësia qytetare. Kështu ai bëhet misionari që synon ta rrënojë një sistem. Doktor Stokmani, sipas Nolit, është “tipi sinthetik i të gjitha tendencave dhe ideologjive kryengritëse të shekullit nëntëmbëdhjetë”, kryemotivi i të cilit është “brezi i pastajmë, shoqëria e re e pritme, që përfaqësohet në këtë dramë nga fëmijët e tij”.

Kësi përvojash, si në veprën e Ibsenit, kanë përjetuar shumë mjekë që punuan për shërimin e njeriut dhe të shoqërisë.

Mjeku i njohur kroat, Andrija Shtampari, i cili për shkak të konceptit të tij mbi shëndetësinë publike u sulmua nga përfaqësuesit e mjekësisë përfituese, ka botuar një libër mbi historinë e mjekësisë. Aty shkruan për misionin dhe statusin e mjekut në shoqëri, për rolin e tij në çështjet publike e politike, por edhe për lidhjet e artit me mjekësinë. Në librin Mjeku, e kaluara dhe e ardhmja e tij (1946) ai shkruan edhe për disa vepra artistike, ku personazhet kryesorë janë mjekë. Arnold Bennet, në veprën Magjia e bardhë, shkruan për sukseset e ortopedisë. Sinclair Lewis, në Dr. Arrowsmith, e përshkruan jetën e një mjeku, që lufton kundër paragjykimeve të shoqërisë dhe shpirtit tregtar në mjekësi. Shkrimtari polak Zheromski, në veprën Të pastrehët, shkruan për një mjek që përfundon si i pastrehë, sepse nuk mund të ambientohet në shoqërinë ku askush nuk e pranon qasjen e tij të fisme. Knittel te Dr. Ibrahimi flet për një mjek nga Egjipti, i cili pasi shpërngulet në fshat i sheh padrejtësitë ndaj vendësve të tij, prandaj bën gjithçka për t’i ndihmuar ata.

Ka pasur mjekë që nuk njihen për merita në sferën e mjekësisë, por njihen si shkrimtarë gjenialë. Mjekë ishin: Fransoa Rable, Fridrih Shileri, Mihail Bullgakovi, Anton Çehovi, kurse sot edhe Khaled Hosseini.

Në shkencën e mjekësisë, falë letërsisë, janë futur disa terme. Njihet “kompleksi i Edipit”, që na kujton Sofokliun; “kompleksi i Elektrës”, që na kujton Orestia-n e Eskilit; “Sindromi Verter” që na kujton Vuajtjet e djaloshit Verter të Gëtes, kurse Sindromi i Lizës na kujton veprën Liza në botën e çudirave.

Epidemitë na kthejë vëmendjen edhe te librat që i kemi harruar. Me fillimin e pandemisë së koronavirusit njerëzit u rikthyen te librat mbi epidemitë, sëmundjet, viruset e bakteret. Ata filluan ta kërkojnë The Stand (1978) të Stephen King-ut, një vepër që, për shkak të situatës së krijuar, sërish u bë bestseller. Ajo flet për një epidemi të frikshme, shkaktuar prej një virusi vdekjeprurës. Për shkak të pandemisë u bë libër i kërkuar edhe romani i harruar Sytë e errësirës (1981) nga autori amerikan Dean Koontz. Çuditërisht, aty flitet për një virus me emrin “Wuhan – 400”. Në Wuhan shpërtheu koronavirusi. Po njerëzit filluan të lexonin edhe kryevepra të letërsisë botërore, si: Murtajën e Kamysë, Dekameronin e Bokaços apo Verbërinë e Jose Saramagos, që flet për një epidemi verbërie.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button