KSHZ: Deri sot, 1.749.038 qytetarë të Maqedonisë kanë të drejtë vote

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) sot konfirmoi se në pajtim me 30 nëntorin, në listën zgjedhore me dokumente të vlefshme biometrike janë regjistruar 1.749.038 qytetarë të Maqedonisë. Nga ky numër, banorë të përhershëm të shtetit janë 1.686.130, ndërsa jashtë vendit jetojnë 62.908 qytetarë të Maqedonisë.

“Lista zgjedhore e Maqedonisë nënkuptohet se do të plotësohet, me të gjithë qytetarët të cilët deri 15 ditë para zgjedhjeve lokale, do të kenë dokumente të reja  biometrike, dhe do të bëhen qytetarë të moshës madhore. Falënderim i veçantë shkon deri te të gjithë partitë politike, OSBE-ODIHIR dhe institucionet shtetërore, të cilat kanë dhënë ndihmën e vetë në këtë projekt, që Lista zgjedhore e Maqedonisë të jetë tërësisht e formuar dhe ligjore, deklaroi nënkryetari i KSHZ-së, Bedredin Ibraimi.

“Grupi i punës rekomandon që në të ardhmen në pjesën e listës zgjedhore të vazhdohet në kontinuitet me këtë metodologji të punës, deklaroi Bedredin Ibraimi, kryesues i grupit të punës dhe shtoi se mbesin edhe 120.000 qytetarë brenda dhe jashtë Republikës së Maqedonisë që nuk kanë nxjerrë dokumente të reja.

Ministri Nikolla Todorov si përfaqësues i VMRO-DPMNE-së përsëriti qëndrimin e partisë se ata janë për zgjedhje korrekte dhe demokratike, veçmas në pjesën e listës zgjedhore e cila në tërësi duhet të jetë e pastruar para shpalljes së zgjedhjeve.

“VMRO-DPMNE nuk ka kurrfarë interesi të ketë çfarëdo parregullsie, përkundrazi ne mbajmë qëndrimin se zgjedhjet duhet të jenë korrekte dhe demokratike dhe në pajtim me dispozitat pozitive veçmas në pjesën e listës zgjedhore e cila në pajtueshmëri të kompetencave të KSHZ-së duhet të pastrohet dhe të mbyllet para zgjedhjeve, tha Todorov.

Damjan Mançevski nga LSDM theksoi se partia qëndron në përpjekjet për mbajtjen e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike. Përsëriti se për to është e rëndësishme që lista zgjedhore të pastrohet. LSDM mbetet në kërkesën për përmbushjen e tërësishme të rekomandimeve të OSBE/ODIHIR, por edhe të vazhdojnë aktivitetet e grupit të punës dhe vazhdimisht të ndiqet dinamika e pastrimit të Listës zgjedhore.

Përfaqësuesi i PDSH-së, Bekim Fazliu deklaroi se ai dhe partia e tij dyshojnë në informatat të cilat deri te KSHZ i kanë dërguar ministritë e Drejtësië dhe Punëve të Brendshme, dhe theksoi se është skeptik nëse ata kanë kryer punën e vet që u është dhënë.

Propozimi i KSHZ-së u votua me mbështetje të opozitës dhe partive në pushtet./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button