Pas BE-së, lirshmëri

Ka një liri të kahershme në lirshmërinë. Mendoj se njerëzit sillen lirshëm mu nga kjo ndjenjë e lirisë, të cilën e përjetojnë përgjatë lirshmërisë. Ashtu ajo është një proces që shpie kah ajo që njerëzit kaherë e duan dhe e kërkojnë; liria. Por, pasi edhe liria duhet të përkufizohet, lirshmëria përcillet me një proces tjetër; shtrëngim. Ka shumë variacione të teorive mistike, të cilat, rrugëtimin e shpirtit njerëzor, por edhe të gjinisë që e bart këtë shpirt, e shpjegojnë mu me lirshmërinë dhe shtrëngimin. Ashtu thonë se; të shtrënguarit për lirshmëri dhe të lirshmit në shtrëngim, nuk janë në rrugën e drejtë për ka liria. Por, se, të këtillët, janë të ngecur, në këtë rrugë. Mu nga shkaku i harrimit në vetë ato procese, e përgjatë kësaj duke harruar lirinë. Kjo është kështu, prej ndjenjave dhe instinkteve e deri te ekonomia dhe politika. Sa e sa njerëz lirohen deri në pa shtrëngim, ose shtrëngohen pa lirshmëri, për shembull; në shpenzime, duke humbur mu nga kjo gjë; lirinë e zgjedhjes. Ose përfundojnë duke qenë të robëruar mu atyre proceseve, ose e shpien veten në gjendje të palirisë dhe robërisë.

Të zbresim në tokë dhe të orvatemi që nëpërmjet kësaj të sqarojmë se çka ka ndodhur ose mund të na ndodhë. Të inkurajuar nga mundësia se kjo vlen edhe për njerëzit, por edhe për bashkësi të tëra, popuj dhe kombe.

Sebep asaj se tek ne e krejt kjo është përzier dhe tollovitur duhet që në shtresa të ndryshme ti ndjekim këto procese dhe të njëjtat ti identifikojmë. Një shtresim i plotë do sillte deri tek ajo që ky shkrim të dukej si një traktat i pakuptueshëm por mendoj se është patjetër që, së paku, termeve; bashkësi, popull dhe komb, të ia shtojmë edhe familje, parti dhe shtet. Ashtu një familje ose parti, lirohet në shtrëngim, deri në shkallë të një bashkësie ose populli dhe mandej nga kjo gjë, ose i robëron procesit, ose e humb lirinë e zgjedhjes nga mungesa e përgjigjes.

Mendoj se kjo i ndodhi partisë DPMNE, e cila në afat prej vetëm dy ditëve humbi një thua dhe një qytet të tërë (Prilep), përgjigjen (Dimovski nga Miletiqi) dhe lirshmërinë. Krejt këto ndodhën në seancë të kuvendit të Maqedonisë. Kurse lirshmëria humbi me bllokimin e sjelljes së buxhetit të shtetit. Me këtë bllokim doli në shesh se ky Stavrevski kishte ditur vetëm të zbraz buxhet por jo edhe ta shtrëngon ose ta sillte atë. Gjë që është karakteristikë dhe qasje themelore ndaj parave. Gjë që bile edhe një fillorist e bën për paratë e tij të xhepit.

Por lirshmërinë dhe shtrëngimin dikush i kërkon kurse disa ajo vet i gjen. BDI-së i ndodhi. Ashtu, atyre u ndodhi lirshmëria, mu kur ndjenë se duhet të shtrëngohen dhe ja kështu, të fundit dhe me këste, ti shpallin bile edhe kandidatët e tyre për kryetarë komunash. Kjo u ndodhi atyre nga komplesiviteti i ngecjes së eurointegrimeve. Eurointegrimet për kreun e BDI-së ishin një barazim me një të panjohur (çështja e emrit). Tani, me Bullgarinë dhe me problemet tjera, ajo për to u bë një barazim me shumë të panjohura.

Ende më keq për ta është se ata në këtë nuk kanë asnjë hapësire për shtrëngim,  shkaku se, konkluzat e BE-së, përveç me sekretariatin për çështje evropiane ndërlidhen edhe me shumë pjesë të BDI-së (Drejtësia, Komiteti për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, dhe sidomos Marrëveshja Kornizë e Ohrit). Prej 11 vjetëve të tëra që u arrit Marrëveshja Kornizë e Ohrit, nëntë vjet, sekretariati përkatës është në duar të BDI-së, e prej atyre nëntë vjetëve shtatë vite, me te udhëheq i njëjti njeri: Musa Xhaferi. Fat i keq plotësues për BDI-në është se me shtrëngim janë në kundërshtim me trendin e lirshmërisë që fillon të mbretërojë tek votuesit të cilët BDI i ka në shënjestër: Shqiptarët e Maqedonisë.

Thënien “pas meje, qamet” shqiptarët këtu, tani më kanë nisur politikisht ta përkthejnë si “pas BE-së, lirshmëri. Në sipërfaqe kjo ende duket e pakuptueshme dhe e çuditshme mu sikur përkthyesi në shqip i Kuvendit. Përkthyesi atë ditë hoqi të zinë e ullirit, kur, përnjëherë, iu dashtë të përkthen dy deputetë, përnjëherësh. Çka të përkthen të parën, çka të bëj me të dytën, përveç se të lirohet, siç edhe veproi. Ashtu edhe shqiptarët e këtushëm, me vite të tëra, shtrëngoheshin ta mbrojnë shtetin Maqedoni nga qeveria e Maqedonisë dhe përgjatë kësaj suksesshëm ia dilnin mbarë edhe në frontin tjetër, atë të shqiptarisë për në tërë rajonin.
Tani pas iniciativës qytetare AMAN kundër çmimeve, grevës së mjekëve dhe pas hovit që ka marrë opozita e bashkuar maqedonase, ajo barrë e shtrëngimit bie nga shqiptarët. E, pasi shqiptarët e Maqedonisë e përjetuan ditën që edhe Sali Berisha të merret, në të vërtetë, me shqiptari, tani lirshmëria vjen edhe në frontin tjetër.
Duket si e padrejtë që dikush të shtrëngohet e tjetri të lirohet, por mendoj se prapëseprapë në këtë është burimi i shpresës dhe i kthimit të sërishëm në rrugën e lirisë të këtij shteti të ndarë. Shteti i përngjan shumë një lidhjeje dhe marrëdhënie. Nëse nga çdokënd dhe nga dyja anët vjen shtrëngimi, atëherë ajo lidhje këputet. Në fakt e njëjta ndodh edhe në rastin kur të gjithë sillen lirshëm. Edhe atëherë lirohet deri në atë masë sa që; ajo nuk është më ajo, ose, hyjnë të tretët dhe e këpusin atë.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button