RMV, vendimi për datën e negociatave, kreu politik në vend jep këto mesazhe

Pas marrjes së lajmit nga Brukseli, se vendet anëtare kanë arritur marrëveshje për fillim të negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për anëtarësim në BE, kanë reaguar zyrtarët e lartë shtetëror në Maqedoninë e Veriut, njofton Portalb.mk.

Kryeministri teknik, Oliver Spasovski, në konferencën e përbashkët për media me ministrin e Jashtëm, Nikolla Dimitrov dhe zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, deklaroi se, ky sukses është fundi i pritjes sonë 15 vjeçare, dhe vendi mund të jetë  krenar sepse pritja ka përfunduar dhe reformat e suksesshme kanë hequr barrierat.

“Po bëhemi shtet i cili negocion për BE dhe i cili në periudhën vijuese do të duhet të kaloj nëpër transformimin e shtetit dhe shoqërisë, nëpër të cilën kanë kaluar të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Ky është sukses më se i merituar, kjo është mirënjohje të cilën duhet ta merrnin më herët. Me këtë vendim u përmirësua gabimi strategjik i samitit të tetorit të vitit 2019, kur nuk u arrit konsensus për vendim që u soll sot.  Do të fitojmë edhe luftën kundër koronës, sot më shumë se kurdoherë na duhet unitet dhe disiplinë, ta fitojmë armikun e padukshëm por shumë prezent, që të kthehemi sa më shpejtë në betejën tonë politike. Në proces të gjatë dhe të vështirë negociuese, për të cilin do të na nevojiten shumë ndryshime dhe harmonizim me standardet evropiane por edhe me cilësinë evropiane të jetës”, deklaroi Spasovski.

Ndërsa, ministri i Jashtëm, Dimitrov, tha se vendimi i Këshillit nuk erdhi lehtë por, as nuk është një dhuratë që i është bërë vendit. Por, për këtë tha ai,  “ne dhe ju, së bashku, me punë të mundimshme dhe sakrifica kemi punuar dhe e kemi merituar mundësinë që të tregojmë se i takojmë familjes evropiane”.

“Kemi bërë rrugë të vështirë të reformave, në rrethana të jashtëzakonshme, kur duhej të rikuperonim shtetin e kapur të së drejtës, arritëm Marrëveshjen e Prespës dhe miratuan amendamentet kushtetuese me obstruksione nga brenda dhe jashtë. Nuk ishte e thjeshtë, por treguam vizion, mençuri dhe guxim politik. Tani NATO dhe kapitulli i ri me Bashkimin Evropian janë realitet dhe ndoshta është mirë që këtë herë, ne politikanët t’ju falënderohemi juve, qytetarëve, për suksesin, për shpresën, besimin dhe punën e kryer mirë”, deklaroi Dimitrov.

Nga ana tjetër, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, ka shkruar në profilin e tij në Facebook se, vendimi për fillim të negociatave nga ana e Këshillit Evropian, është një vendim historik në këto kohëra të vështira për Maqedoninë e Veriut.

“Nuk ka më asnjë pengesë dhe as kushte. Komisioni Evropian duhet t’i zbatoj përgatitjet, ndërsa konferenca e parë ndërqeveritare do të mbahet sa më shpejt të jetë e mundur. Urime qytetarë, siç arritëm të ngrihemi në rrugën drejt NATO-s dhe BE-së, ashtu së bashku do të ballafaqohemi edhe me epideminë që po sulmon botë”, tha Zaev.

Vendimin për hapje të negociatave e kanë përshëndetur edhe krerët tjerë politik. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se, procesi për anëtarësim në NATO u përmbyll, ndërsa dera e Evropës u hap. Sipas tij, “kjo është e ardhmja e sigurt pa asnjë mëdyshje, pa asnjë hamendje, pa asnjë hezitim!”

Nga VMRO DPMNE thanë se, angazhimet evropiane janë  orientimi i tyre strategjik dhe paraqesin vendim themelor të përpjekjeve të përbashkëta  të qeverive  nga  nënshkrimi i Marrëveshjes për stabilizim dhe asocim nga viti 2001 deri tani,  sikur edhe  10 raportet e fundit pozitive të Komisionit Evropian.

Ndërsa, nga Lëvizja Besa, nëpërmjet një kumtese, thanë se ky është lajm shumë i mirë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, sepse dalëngadalë por sigurt janë duke realizuar synimin për arritjen e vlerave evropiane.

Кomisari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varheji, kumtoi sot përmes rrjetit social Tuiter se, vendet-anëtare të BE-së arritën marrëveshje politike për fillimin e negociatave inkuadruese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

LEXO: Zyrtare: Maqedonia e Veriut do t’i fillojë negociatat për aderim në Bashkimin Evropian (VIDEO)

LEXO: RMV, Shërbimet inspektuese kanë realizuar 11.358 mbikëqyrje të masave qeveritare

LEXO: Shoqata “Eko Logic” organizon aktivitete joformale edukative në internet

LEXO: RMV, 6 leksione se si të caktoni termin për testim për virusin korona

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button