Maqedonia dhe Turqia kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm

Marrëdhëniet bilaterale midis Maqedonisë dhe Turqisë janë të mira dhe në shumë sfera arrijnë shkallë të partneritetit strategjik, ndërsa bashkëpunimi ekonomik ka dinamikë të vazhdueshme pozitive, vlerësuan në takimin e mbrëmshëm presidenti Gjorge Ivanov dhe ministri turk i Punëve të Jashtme, Ahmet Davuloglu. 

“Në vitin kur shënohet 20 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, vlerësimi i përbashkët është se marrëdhëniet bilaterale midis të dyja vendeve janë të shkëlqyeshme, se në shumë sfera arrijnë shkallë të partneritetit strategjik dhe se bashkëpunimi në sfera të caktuara, veçanërisht në atë ekonomik, ka dinamikë të vazhdueshme pozitive”, thuhet në kumtesën nga kabineti i presidentit Ivanov. 

Në takim u përshëndet dialogu i vazhdueshëm politik në të gjitha nivelet, si vërtetim i marrëdhënieve miqësore midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Turqisë. Presidenti Ivanov u falënderua për mbështetjen e vazhdueshme dhe parimore nga Republika e Maqedonisë për integrimet euroatlantike të Maqedonisë dhe shfaqi pritje se do të vazhdojë edhe në të ardhmen. 

“Duke pas parasysh faktin se Republika e Turqisë është midis dhjetë partnerëve më të rëndësishëm tregtarë të Republikës së Maqedonisë, të dy bashkëbiseduesit shfaqën kënaqësi nga trendi në rritje në bashkëpunimin ekonomik dhe pritje për rritjen e investimeve turke në vend”, theksohet në kumtesë. 

Në takim janë shkëmbyer mendime për konkludimet e Këshillit Evropian, si dhe për gjendjet aktuale në rajonin e EJL-së, por edhe për gjendjet në rajonin më të gjerë, Lindja e Afërt dhe Mediterani. Të dy bashkëbiseduesit e riafirmuan interesin dhe gatishmërinë për përforcim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit në të gjitha sferat e interesit të përbashkët dhe për mbështetje të ndërsjellë në planin rajonal dhe multilateral. 

Ministri turk i Punëve të Jashtme në takim u njoftua me prioritetet e kryesimit të ardhshëm të Republikës së Maqedonisë me dy iniciativa rajonale – PSIJE dhe Dialogun midis civilizimeve./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button