Zyrtare: Maqedonia e Veriut do t’i fillojë negociatat për aderim në Bashkimin Evropian (VIDEO)

Vendet e BE-së arritën marrëveshje politike për të filluar negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, njofton Portalb.mk.

Vendet-anëtare të BE-së arritën marrëveshje politike për fillimin e negociatave inkuadruese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, kumtoi komisari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varheji.

“Nga zemra i përgëzoj të dyja vendet. Kjo gjithashtu u jep sinjal të qartë vendeve të Ballkanit Perëndimor: E ardhmja juaj është në BE”, shkroi Varheji në llogarinë e tij zyrtare në Tuiter.

Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së sot në video – konferencë debatuan për hapjen e negociatave inkuadruese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Qëndrimi i KE-së për këtë çështje është i qartë: të dyja vendet kanë bërë reforma dhe janë të gatshme t’i fillojnë negociatat”, shkroi Varheji.

Dje, të gjitha 27 vendet-anëtare, pas negociatave të vështira, ranë dakord që metodologjia e propozuar e rinovua e Komisionit Evropian për anëtarësim është e kënaqshme dhe se përparimi i reformës së Maqedonisë së Veriut është i mjaftueshëm për të hapur negociatat e aderimit në Bashkimin Evropian.

Konferenca e parë ndërqeveritare duhet të mbahet “sa më shpejt është e mundur”, qëndron në projekt konkluzionet e vendeve-anëtare.

“Në dritën e progresit domethënës të arritur dhe përmbushjes së kushteve të përcaktuara njëzëri nga Këshilli, në Qershor 2018, Komisioni rekomandoi në paketën e tij të zgjerimit 2019 që Këshilli të hap negociatat e pranimit me Shqipërinë. Në përgjithësi, Shqipëria ka rritur përpjekjet e saj dhe ka patur rezultate të mëtejshme të prekshme dhe të qëndrueshme në fushat kryesore të identifikuara në Përfundimet e Këshillit të Qershorit 2018. Si rrjedhojë, bazat e rekomandimit të Komisionit për vitin 2019 për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë mbeten të vlefshme”, saktësonte raporti.

Konferenca ndërqeveritare shënon hapjen zyrtare të kapitujve, dhe Komisioni Evropian së pari duhet të hartojë një kornizë bisedimesh, e cila gjithashtu duhet të miratohet nga vendet-anëtare. Duke pasur parasysh pasigurinë për shkak të koronavirusit, askush nuk guxon të caktojë data tani.

Maqedonia e Veriut gjithashtu do të duhet ta përgatisë pozicionin e saj negociues përpara fillimit të këtij procesi.

Përfundimet parashikojnë hapjen e negociatave edhe me Shqipërinë, por  për këtë vend janë dhënë një numër kushtesh për hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Diplomatët në Bruksel sqarojnë se ky ndryshim është për shkak të qëndrimeve të shteteve anëtare.

Pasi të jetë miratuar vendimi, hapet një procedurë me shkrim për miratimin e tij zyrtar nga të gjitha vendet-anëtare, me çka vendimi hyn në fuqi. Procesi mund të zgjasë deri në fund të javës, kur mbahet një samit i udhëheqësve të BE, të cilët gjithashtu do të japin miratim politik.

Në mbledhjen e tetorit të Këshillit europian, presidenti francez Emanuel Macron vuri veton duke lënë pezull shpresat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, ndërsa kërkoi një rishikim të procesit të bisedimeve dhe vetë zgjerimit.

Komisionit europian ju kërkua që të përgatiste një dokument të ri, i cili u prezantua në Bruksel në fund të muajit shkurt nga komisioneri Harvelyi.

Me hartimin e metodologjisë së re, Franca u shfaq e gatshme të hiqet dorë nga bllokimi i hapjes së bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në konferencën e sigurisë në Mynih, në muajin shkurt, presidenti francez Emmanuel Macron e lidhi vendimin e ardhshëm të vendit të tij, pikërisht me raportin e Komisionit.

“Tani të gjithë presim në mars raportin e Komisionit rreth procesit për të dy vendet. Pra, duhet të shohim çfarë do të thotë Komisioni për progreset e pritura në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut për këto çështje, dhe në varesi të kësaj, konsideroj se në raport me para-kushtet që kisha vendosur, nëse rezultatet janë pozitive dhe është vendosur besimi, do të bëhet e mundur që të marrim vendim për hapjen e bisedimeve”, nënvizoi presidenti francez.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button