Slloveni, dy miliardë euro për qytetarët, pagat e funksionarëve shtetërorë zvogëlohen për 30 për qind

Në konferencë të posaçme për shtyp, Qeveria sllovene prezantoi masat e shumëpritura për të ndihmuar qytetarët dhe kompanitë që kanë pasoja financiare për shkak të koronavirusit, njofton korrespondenti i MIA-s nga Lubjana.

Kryeministri Janez Jansha tha se qeveria kishte hartuar “mega” pako ligjore, që parashikon ndihmë të përgjithshme prej dy miliardë eurove, me qëllim për të ndihmuar vendin ta përballojë krizën pa pasoja të mëdha.

Ai njoftoi se gjatë epidemisë, pagat e të gjithë funksionarëve shtetërorë të emëruar do të ulen për 30 për qind.

Për të kursyer vendet e punës, shteti merr obligim pagimin e kontributeve për të gjithë të punësuarit, ndërsa shpenzimet shëndetësore gjatë epidemisë do të mbulohen plotësisht nga Fondi i Shëndetësisë, e jo nga punëdhënësi.

Ata që janë të ekspozuar në rrezik për shkak punës së tyre gjatë kohës së epidemisë, do të marrin paga më të larta për 10 për qind deri në 200 për qind, ndërsa rekomandohet që kompanitë private të ndjekin të njëjtin shembull që punëtorëve në rrezik t’u rritet paga.

Shteti do të heqë pagesën e të gjitha faturave për pensionistët me të ardhura të ulëta, ndërsa ata me pensionet më të ulëta gjithashtu do të marrin shtesë solide, pra ndihmë shtesë financiare.

Ndihma është në dispozicion për ata që janë të vetëpunësuar. Nëse për shkak të epidemisë ata kanë zvogëluar ngarkesën e punës ose nuk kanë punë, shteti do të sigurojë ndihmë financiare në shumë prej 70 për qind të pagës minimale dhe do të lirohet nga pagesa e të gjitha faturave.

Numër i madh masash për të ndihmuar industrinë, bujqësinë dhe të gjithë sektorët e prekur nga epidemia e koronavirusit u publikuan në konferencën për shtyp.

Kryeministri u shpreh se kjo është vetëm pakoja e ndihmës së parë, ndërsa tashmë janë duke u përgatitur për një të dytë që do të modelohet sipas kërkesave të qytetarëve dhe kompanive, ndërsa gjatë periudhës së kaluar deri tek ata nëpërmjet adresës elektronike kanë arritur mbi 1.000 propozime dhe ide .

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button