Thaçi e çoi te Kushtetuesja vendimin e qeverisë për kufizim të lëvizjes së qytetarëve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për anulimin e vendimit të djeshëm të qeverisë për masat e reja për parandalimin e përhapjes së pandemisë së koronavirusit, me të cilat, ndër të tjerash, parashihet kufizimi i lëvizjes së qytetarëve dhe automjeteve.

Siç transmeton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina, Thaçi në paraqitjen e sotme para mediave përsëriti që, sipas tij, masa e djeshme e miratuar nga qeveria e Albin Kurtit, paraqet shkelje të të drejtave kushtetuese dhe lirive të qytetarëve.

“Pas vendimit antikushtetues të qeverisë së Kosovës, si president i shtetit vendosa t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar mendim në lidhje me kufizimin e lëvizjes. Duke respektuar plotësisht mandatin tim, i kërkova Gjykatës Kushtetuese të sjell masë të përkohshme”, tha Thaçi.

Qeveria e Kosovës mbrëmë miratoi masa të reja për të parandaluar përhapjen e pandemisë Kovid-19, duke kufizuar lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve ndërmjet orës 10.00 të mëngjesit deri 16.00 dhe nga ora 20.00 deri në orën 06.00 të mëngjesit.

Sipas Thaçit, me këtë vendim kabineti i Kurtit ka ngjallur frikë dhe panik në mesin e qytetarëve.

“Vendimi i mbrëmshëm i Qeverisë provokon situatë të re, situatë frike. Sot, njerëzit janë të detyruar të dalin në mëngjes për të marrë furnizime për shkak të konfuzionit të krijuar. Ka turma. Kjo është arsyeja pse ato turma masive janë rreziku që provokon qeveria, duke krijuar panik në mes qytetarëve”, tha Thaçi, duke shtuar se ai i ka kërkuar Kurtit që të tërhiqte vendimin.

Në konferencën e djeshme për shtyp, pak para mesnatës, menjëherë pasi u njoftua vendimi i qeverisë, Thaçi u tha qytetarëve se nuk janë të detyruar të respektojnë masat e reja, ndërsa për policinë dhe forcat e sigurisë që nëse e bëjnë e respektojnë këto masa, ata vetë do të kryejnë vepër penale. Sot, ai u bëri thirrje qytetarëve që të ndjekin rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës dhe të mos dalin nga shtëpitë e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button