Nxënësit shqiptarë dëmtohen nga thelbi

Nxënësit do të fillojnë gjysmë-vjetorin e dytë me librat arsimorë të shkollave fillore të projekteve të Ministrisë së Arsimit të Maqedonisë të cilat janë të mbushura me gabime, si ato gramatikore, teknike madje edhe të vetë gjuhës. Ata përmbajnë gabime të çuditshme, madje mund të shohim faqe të tëra në gjuhë turke.

Komisioni për evitimin e gabimeve në tekstet shkollore ende nuk ka alarmuar në ministri  propozimet për kaptinat dhe pjesët të cilat duhen të korrigjohen.

Librat me gabime të mëdha dhe përmbajtje fyese ndaj shqiptarëve kryesisht ndaj të gjitha etniteteve përveç asaj maqedonase me sa duket do të qarkullojnë me vite në duart e tyre.

“Këto tekste shkollore kanë afat të gjatë të përdorimit, dhe nuk mund të zëvendësohen me libra tjera përderisa nuk kalon afati kohor i paraparë për ato libra. Tekstet shkollore aktuale nuk mund të zëvendësohen tërësisht vetëm nëse në ato tekste ka cenime ndaj etniteteve dhe kulturave sepse këtë e rregullon ligji “ thotë kryetari i lidhjes së arsimtarëve Nuhi Dardhishta.

“Këto libra do të përdoren aq sa janë paraparë, gjegjësisht  afati i përdorimit është 5 vjet dhe nuk besoj se do të ndërrohen këto libra, sepse këtu ka gabime teknike. Ndoshta mund të editohen mirëpo librat të ndërrohen tërësisht jo”, tha Dardhishta.

Profesoresha e gjuhës dhe letërsisë Shqipe Teuta Kamberi Llalla , tha se diskriminimi ndaj nxënësve shqiptar nuk ndodh vetëm tek librat e shkollave fillore , por ajo është e shfaqur edhe në tekstet dhe materialet mësimore në shkollat e mesme.

“Në shkollën e mesme Ekonomike janë shpërndarë libra vetëm në gjuhën sllavo-maqedonase për paralelet ku mësonin nxënësit të etnisë shqiptare. Në shkollën e Gjimnazit libri i gjeografisë, historisë dhe gjuhës shqipe për vitin e II kishte probleme përmbajtjesorë dhe përkthimi ishte shumë i dobët. Libri i Gjeografisë na paraqiteshin harta dhe toponime në gjuhën sllavo-maqedonase dhe kishte të meta në terminologjinë për vendbanimet shqiptare. Libri i Historisë nuk kishte asnjë rresht ku të përmendej historia e popullit shqiptar, territoret, kultura, tradita, doket, etj. Në shkollën e Mjekësisë libri i kimisë analitike, biokimia, baza e përkujdesjes, janë në gjuhën sllavo-maqedonase në paralelet ku mësojnë fëmijët e etnisë shqiptare dhe turke.”

Ajo më tej shtoi se përveç kësaj, edhe librat të cilat janë në gjuhën shqipe, vërehen se janë përkthime shumë të dobëta dhe me cilësi të dobët.

Nga ana tjetër, nga Ministria e Arsimit, zëvendës ministri Safet Neziri tha se nga ana e ministrisë punohet në zhdukjen e gabimeve që gjenden në librat shkollore.

“Janë ndërmarrë disa hapa , është planifikuar të formohet komision për krijimin e nji libri të historisë. Për tejkalimin e përhershëm e problematikës së teksteve shkollorë, jo vetëm për gabimet gjuhësore, drejtshkrimore dhe gramatikore, por iniciativë e ministrisë që nëpërmjet botimit të disa librave të arsimit fillor nga Britania e madhe gjegjësisht Anglia, të cilat do të inkorporohen në sistemin arsimor në Maqedoni. Këto do të jenë komfor programeve arsimore dhe standardeve  me të cilat punohet në shtetet anëtarë të BE-së. Kjo do të jetë një hap konkret dhe shumë serioz për t’i eliminuar dukuritë negative dhe gabimet në tekstet shkollore”, tha Neziri.

Ai potencoi se deri sa të botohen tekstet e reja do të punohet me këto libra mirëpo  me versione të përmirësuara e jo këto të cilat janë me gabime. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button