SHBA-ja e zvogëloi ndihmën për Afganistanin

Departamenti amerikan i Shtetit tha se do të zvogëlojë për një miliard dollarë ndihmën për Afganistanin dhe se do të rishikojë bashkëpunimin e tij me këtë vend.

Njoftimi vjen pasi sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, gjatë një vizite në Kabul, më 23 mars, ka dështuar të bindë presidentin Ashraf Ghani dhe ish-shefin ekzekutiv të Afganistanit, Abdullah Abdullah, t’iu japin fund mosmarrëveshjeve që e kanë vënë në rrezik një marrëveshje për paqe, të nënshkruar muajin e kaluar.

Me këtë marrëveshje synohej t’i jepej fund luftës në Afganistan, e cila ka nisur qysh në vitin 2001.

Pompeo njoftoi për zvogëlimin e ndihmës përmes një deklarate të lëshuar të hënën vonë, transmeton REL.

Në të thuhet se Pompeo ka shkuar në Kabul me një mesazh urgjent dhe se ka biseduar drejtpërdrejt me udhëheqësit e këtij vendi “për t’i bindur për nevojën e kompromisit, për hir të popullit afgan”.

Sipas deklaratës, Shtetet e Bashkuara shprehin keqardhje të thellë që Ghani dhe Abdullah nuk kanë qenë në gjendje të bien dakord për një qeveri gjithëpërfshirëse.

Këtë muaj, edhe Ghani, edhe Abdullah e kanë shpallur veten president, pas zgjedhjeve të kontestuara të shtatorit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button