Shmangni informacionet që ju shqetësojnë për koronën, ja si të ruani shëndetin mendor!

Burimi: KriThink 

Interneti ‘vlon’ nga informacione të ndryshme, të vërteta dhe të pavërteta, duke u nisur nga mënyrat se si mund të shërohet korona virusi e deri te pasojat që mund të kenë të prekurit me Covid-19. Përveç sensibilizimit dhe ngritjes së përgjegjësisë, qytetarët në këtë situatë kanë nevojë edhe për këshilla se si mund të trajtojnë stresin, me këtë të ruajnë edhe shëndetin e tyre mendor. Organizata Botërore e Shëndetësisë, publikoi një dokument që përfshin rekomandime për ruajtjen e shëndetit mendor. Sugjerimet e OBSH-së janë zhvilluar nga Departamenti i Shëndetit Mendor si një mbështetje për mirëqenien mendore dhe psikologjike gjatë periudhës së epidemisë së COVID-19.

Rekomandimet për popullsinë e përgjithshme përfshijnë edhe kujdesin ose shmangien e shikimit apo leximit të lajmeve që ju shkaktojnë ankth, panik apo frikë.

1.COVID-19 prek dhe ka të ngjarë të prekë njerëz nga shumë vende, në shumë rajone gjeografike. Mos e lidhni atë me ndonjë etni ose kombësi. Jini empatikë ndaj atyre që preken, nga brenda vendi. Të prekurit nga kjo sëmundje nuk kanë bërë asgjë të gabuar dhe meritojnë mbështetjen, ngrohtësinë dhe mirësjelljen tonë.

Jo rrallë nëpër rrjetet sociale lexojmë fyerje të personave që janë infektuar me virusin, duke i konsideruar si të pakujdesshëm. Përgjithësimi dhe etiketimi apo futja në ”një thes” e  të gjithë personave të infektuar për pakujdesi nuk është në të mirë të askujt, përkundrazi rëndoni më shumë anën psikike të këtyre njerëzve. Hasim edhe komentet të tipit “ju na e sollët”, “ju jeni shkaku që ne vuajmë”, duke iu referuar kinezëve, vetëm pse atje në fillim shpërtheu virusi.

2.Mos iu drejtoni të prekurve nga kjo sëmundje si “rastet COVID-19”, “viktima”, “familjet me COVID-19” ose si “të sëmurët”. Ata janë “njerëz të prekur nga COVID-19”, “njerëz që po trajtohen për COVID-19”, “njerëz që po shërohen nga COVID-19” dhe pas shërimit ata do t’i kthehen jetës së tyre, punës, familjeve dhe të dashurve të tyre.

3.Shmangni ose reduktoni shikimin, leximin ose dëgjimin e lajmeve që ju bëjnë të ndiheni në ankth ose që ju japin shqetësim; kërkoni informacione vetëm nga burime të besueshme dhe  kryesisht për të ndërmarrë masa praktike për të përgatitur planet tuaja dhe për të mbrojtur veten dhe të dashurit tuaj. Kërkoni përditësime të informacionit në kohë të veçanta gjatë ditës, një ose dy herë. Raportimet e papritura dhe pothuajse të vazhdueshme të lajmeve për epideminë mund të shkaktojnë shqetësim. Kërkoni fakte. Mblidhni informacione në intervale të rregullta nga faqja e internetit e OBSH-së dhe platformat e autoriteteve, në mënyrë që të dalloni faktet nga thashethemet.

Dokumenti

Në një artikull CNN-i, ka trajtuar historitë e personave te të cilët leximi i vazhdueshëm i lajmeve rreth virusit Covid-19 ka shkaktuar ankth të madh. “Kur ndjehem në ankth, mendimet e mia mund të dalin jashtë kontrolle dhe  filloj të mendoj për përfundim me kaos”, thotë njëri prej rasteve që ka qenë viktimë e lajmeve konspirative dhe të pa vërteta. Ndërsa një tjetër thotë:“ Para një muaji klikoja thurjet(hashtags) dhe shikoja gjepurat e pa verifikuara konspirative dhe kjo më bënte të kem ankth, të ndihem e pashpresë dhe të qaja”.  Pra, nga çfarë kuptojmë, informacionet dhe mënyra e transmetimit të tyre është shumë e rëndësishme dhe ndonjëherë vendimtare për shëndetin e dikujt.

Ndërkohë edhe institucionet kompetente në vend kanë marrë masa sa i përket personave që kanë probleme me shëndetin mendor gjatë kësaj periudhe si dhe kundër lajmeve të rreme. Ministria e Shëndetësisë është vënë në dispozicion të atyre që kanë nevojë për mbështetje psikologjike gjatë kësaj periudhe. Kjo Ministri, në rrjetin social Facebook shpërdau numra telefoni, ku qytetarë dhe grupe të prekshme pacientësh mund të kërkojnë mbështetje.
“Ofrojmë mbështetje psikologjike telefonike për ata qytetarë dhe grupe të prekshme pacientësh që kanë nevojë për këtë lloj mbështetje:
-Mbështetje psikologjike e prindërve të fëmijëve parashkollorë dhe shkollorë
-Mbështetje psikologjike e të rriturve në izolim
-Mbështetje psikologjike për qytetarët e Komunës së Dibrës dhe Komunës Qendra Zhup, në bashkëpunim me Spitalin e Përgjithshëm Dibër
-Mbështetje psikologjike për pacientët e shtruar në spital për shkak të COVID-19.
Pacientët paraqitur në Termini im për këshillimin psikologjik dhe psikoterapinë në takimin e caktuar do të kontaktohen nga një psikolog, sipas mundësisë edhe me video lidhje me ndonjë nga rrjetet sociale”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Nga ana tjetër edhe Ministria e Punëve të Brendshme ka paralajmëruar  mediat dhe përdoruesit e rrjeteve sociale të mos shpërndajnë dhe përhapin lajme të pa verifikuara ose “të rrejshme” për virusin Covid 19, me çka krijohet shqetësim dhe panik në mesin e qytetarëve.

“ Lajmet e rreme që krijojnë panik të pabazuar kanë efekte afatgjata si në situatën shoqërore ashtu edhe në shëndetin kolektiv të qytetarëve. Abuzime të tilla do të sanksionohen me ligj pasi në këtë mënyrë shqetësohen qytetarët dhe krijohet panik i panevojshëm. Nuk do të ketë kompromis në sanksionimin e atyre që me vetëdije përhapin lajme të rreme. U bëjmë thirrje përdoruesve të mediave dhe mediave sociale të mbështeten vetëm në të dhënat e lëshuara zyrtarisht nga institucionet përkatëse. Për të gjithë informacionin e nevojshëm ata duhet të kontaktojnë Ministrinë e Shëndetësisë, Sektorin e Qeverisë për Marrëdhëniet me Opinionin ose institucione të tjera përkatëse, të cilët e mbajnë publikun të informuar me të dhëna të përditësuara disa herë në ditë.”, thuhet në njoftimin e MPB-së, publikuar në rrjetin social Facebook.

Për të luftuar lajmet e rreme dhe mënjanimin e frikës që shkaktojnë media të caktuara, qytetarëve iu ka ardhur në ndihmë edhe ueb-faqja speciale CriThink-ut kushtuar pandemisë nga korona-virusi i ri Kovid-19. Qëllimi i kësaj faqeje është t’i prezantojë burimet e verifikuara të informacioneve me interes publik dhe t’i dokumentojë llojet e ndryshme të dezinformatave, si formë e edukimit të qytetarëve, të cilët duke qenë të informuar do të mund të jenë më rezistues ndaj manipulimeve dhe panikut.

Rekomandime tjera nga OBSH, për tejkalim të situatës stresuese gjatë pandemisë:

  • Ruani lidhjet dhe kontaktet në rrjetet tuaja sociale. Edhe në situata izolimi, përpiquni sa më shumë që të jetë e mundur të ruani rutinën tuaj personale ditore. Nëse autoritetet shëndetësore kanë rekomanduar të kufizoni kontaktin tuaj fizik shoqëror për të kontrolluar epideminë, mund të qëndroni të lidhur përmes postës elektronike, rrjeteve sociale, bisedave me video dhe telefonit.
  • Gjatë kohës së stresit, kushtojuni vëmendje nevojave dhe ndjenjave tuaja. Angazhohuni në aktivitete të shëndetshme që ju pëlqejnë dhe ju qetësojnë. Stërvituni rregullisht, ruani oraret e rregullta të gjumit dhe hani ushqim të shëndetshëm. Shikojini gjërat në perspektivë. Agjencitë e shëndetit publik dhe ekspertët në të gjithë vendet janë duke punuar kundër epidemisë për të siguruar kujdesin më të mirë për ata që janë prekur.
  • Raportimet gati të pandërprera të lajmeve për epideminë mund të shkaktojnë
    shqetësime. Kërkoni përditësime të informacioneve dhe udhëzime praktike në momente specifike gjatë ditës nga profesionistë të shëndetit dhe faqja e internetit e OBSH-së (WHO webiste) dhe shmangni dëgjimin ose ndjekjen e thashethemeve që ju bëjnë të ndiheni në ankth.

Për lexuesit

Organizata Botërore e Shëndetësisë, institucioni më i besueshëm shëndetësor, e vetëdijshme për ndikimin e lajmeve të pa verifikuara dhe të rreme e ka vendosur ndër rekomandimet e para, kujdesin për lajmet që ndikojnë në shëndetin mendor. Hidhini një sy rekomandimeve të OBSH-së dhe mundësisht veproni sipas tyre. Veproni edhe sipas asaj që ju vetë mendoni se ju bën të ndiheni më mirë. Kaloni kohë me të dashurit tuaj, lexoni librat të cilët ndoshta i keni gjykuar nga titulli dhe kushtojini kohë sa më shumë vetes dhe higjienës personale. Shmangni faqet, portalet, njerëzit e rrjeteve sociale të cilët ndjeni se ua shtojnë ankthin dhe frikën. Lexoni vetëm media, të cilat e dini se me siguri japin informacione të sakta, të verifikuara dhe sigurisht qëllimi i së cilave nuk është që ju të paguani senzacionalizmin e tyre me ankthin, stresin, pra me shëndetin tuaj mendor.

Ky artikull është pjesë e raportimit special të Krithink-ut për dezinformatat në lidhje me epideminë e koronavirusit Kovid-19. Klikoni në linkun për lajmet më të fundit dhe për informacione të verifikuara në këtë fushë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button