ANALIZË:  – Inspeksioni në terren, në gjah pas ‘përfituesve’ – industria ushqimore ‘me kapacitet të plotë’

Nga të ardhurat vjetore devizore në vlerë prej mbi 300 milion eurosh – në kolaps. Është e qartë se turizmi është një nga degët e para që janë prekur drejtpërdrejt dhe plotësisht nga koronavirusi. Dëmet në dhjetëra miliona euro ende nuk janë llogaritur. Nga ana tjetër, në kulmin e “histerisë konsumatore”, industria e përpunimit të ushqimit po punon me kapacitet të plotë, ndërsa tregtarët i “fërkojnë duart”! Inspektorët në terren, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

“Histeri” konsumatore – inspeksioni me kontrolle të shtuara…

Njëra nga masat kryesore për stabilitetin e tregut të produkteve ushqimore është ndalimi i përkohshëm i eksportit të miellit. Sipas vlerësimeve të biznesmenëve nga industria e mullisëve-bukëpjekësve, vetëm kapacitetet në këtë sektor, pa i marrë parasysh rezervat e mallrave, kanë sasi për të paktën një muaj, mirëpo paralelisht importohet edhe gruri.

“Ndalimi i eksportit të miellit dhe grurit do të zbatohet deri më 30 prill. Kjo bëhet me qëllim që të mos prishet tregu për shkak të rritjes së kërkesës. Produktet bujqësore mund të shiten në treg, por duhet të respektohen rekomandimet duke mbajtur distancë dhe duke blerë sasi të arsyeshme të produkteve. Kërkohen zgjidhje që me masa të ndërhyrjes të mbrohet bujqësia” – deklaroi ministri i bujqësisë, Trajan Dimkovski.

Për shkak të rasteve të rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore, të tilla si vajit për ushqim, bukës, miellit, sheqerit, qeveria ka vendosur që t’i ngrijë çmimet e produkteve themelore, konkretisht të bukës, kripës, vajit, qumështit dhe produkteve të qumështit, vezëve, miellit, mishit, makaronave, ilaçeve dhe mjeteve dezinfektuese. Çmimet duhet të kthehen në gjendjen në të cilën kanë qenë në ditën e deklarimit të pandemisë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, përveç për ato për të cilat ka dëshmi se kanë fatura hyrëse më të larta.

“Ky vendim u miratua për të mos e keqpërdorur situatën aktuale në treg dhe për t’i mbrojtur konsumatorët në kushte të kërkesës së shtuar në treg për këto produkte, të shkaktuar nga shpallja e pandemisë nga ana e OBSH-së. – deklaroi qeveria, e cila po ashtu njoftoi për përjashtim 100% nga detyrimet doganore për këto dhe për produkte të tjera, si sapunët, detergjentët, veshmbathjen dhe aksesorë për veshmbathje, pelenat për fëmijë dhe të rriturit, shamitë e letrës, leckat të rrotulluara të dorës, maskat plastike me filtra prej tekstil, mbulesat e tekstilit për nevoja kirurgjike, kostume kirurgjikale nga letra, maska letre etj.

Me kujdes ndiqet situata edhe me produktet e tjera të konsumit të gjerë.

“Qeveria e urdhëroi Drejtorinë Doganore, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomizimit me Ujërat, që ta monitorojë trendin e eksportit të vajit të rafinuar të lulediellit, orizit, produkteve konditore dhe të brumit (makaronat, biskotat dhe të ngjashme) në periudhën e ardhshme dhe ta informojë atë”.

Në kulmin e “histerisë konsumatore”, disa tregtarë i rritën çmimet e tyre në mënyrë të konsiderueshme, dhe kështu një litër vaj ushqimor arrin deri në 75 denarë. Një kilogram limon shitej madje për 210 denarë. Kjo situatë i mobilizoi autoritetet dhe ata e “shtrënguan rripin” edhe në tregtinë e pemëve.

“Është marrë vendim për markat për të cilat nuk do të mund të manipulohen çmimet e këtyre produkteve, ndërsa inspektoratit i janë dhënë kompetenca për të shqiptuar gjoba deri në 5,000 euro. Duhet të kihet parasysh se i ndjekim të gjitha faturat e importit, veçanërisht pas 11 marsit” – theksoi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Në kushte të jashtëzakonshme do të vlejnë dënime të jashtëzakonshme – njoftuan autoritetet.

“Të gjithë duhet t’i respektojnë masat. Dënimet për mosrespektim janë 5,000 euro, madje ka edhe dënime me burg deri në një vit, në përputhje me nenet 205 dhe 206 të Kodit Penal. Meqenëse është gjendje e jashtëzakonshme ne nuk i ndjekim ligjet e rregullta me të cilat veprojmë, që do të thotë se tani nuk e ndjekim kodin e kundërvajtjes”- njoftoi Drejtori i Inspektoratit të Tregut, Stojko Paunovski.

Industria e përpunimit të ushqimit dërgoi një mesazh se punojnë me kapacitet të plotë, të mobilizuara plotësisht.

“Edhe para kësaj krize, kemi pasur një nivel optimal të rezervave për të pasur vazhdimësi në prodhim. Ne do ta sigurojmë atë vazhdimësi. Kjo nuk do të përfundojë nesër, jemi në pritje të masave dhe mënyrave që të mos ndodh kjo, dhe besoni se nuk do të vijë…” – vlerësoi Gjorgji Petrushev nga Shoqata e bujqësisë dhe industrisë së përpunimit të ushqimit në Odën Ekonomike.

Menjëherë pas vendimit për “ngrirjen e çmimeve” të produkteve ushqimore, guvernatorja e BPM-së theksoi se këtë vit inflacioni do të mbetet i moderuar, madje edhe më i ulët se sa që ishte parashikuar.

Bizneset dhe sektorët e prekur…

Njëri nga sektorët më të prekur në vend është turizmi. Vetëm vitin e kaluar nga turizmi në Maqedoni janë realizuar të ardhura devizore prej 308 milion eurosh dhe kjo shumë po rritej vazhdimisht – si rezultat i rritjes së numrit të turistëve që vinin në vend dhe i rritjes së numrit të fjetjeve. Koranavirus të parin dhe më fuqishëm e goditi turizmin.

Me propozimin e Ministrisë së Ekonomisë kërkohet krijimi i një Fondi për turizëm, në të cilin do të derdheshin 715,000 euro dhe 500,000 euro të tjera nga Agjencia për Promovimin e Turizmit.

“Kur do të na dorëzohen dëmet e hotelierëve dhe të restoranteve, kafiterive, etj. këto mjete do të destinohen për ta. Në bashkëpunim me ministritë ekonomike, do t’i propozojmë Qeverisë dhe Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Autorit dhe të Drejtave Muzikore që t’i “ngrijnë” kërkesat e tyre nga hotelet dhe restorantet për periudhë prej 6 muajsh”, deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Në ndërkohë, u mbyllën dy aeroportet e vendit, u mbyllën edhe vendkalimet kufitare – praktikisht e gjithë sektori i biznesi është “nën dry”.

“Deri në maj janë anuluar të gjitha turnet në grup nga jashtë, numri i turistëve është ulur në mënyrë drastike dhe nuk ka pothuajse asnjë interes për ta vizituar vendin për shkak të kujdesit të shtuar. Anulohen edhe aranzhmanet e qytetarëve tanë që kanë planifikuar të udhëtojnë jashtë vendit për Pashkët. Situata është shumë alarmante” – njoftuan nga Shoqata e Hotelerisë dhe Turizmit – Oda Ekonomike e Maqedonisë.

Përveç turizmit, është goditur edhe biznesi i hotelerisë, ndërsa pasojat e kësaj si një “efekt zinxhir” do të ndjehen kryesisht nga transporti, industria e përpunimit të ushqimit, së bashku me veprimtarinë e prodhimit të pijeve alkoolike dhe jo-alkoolike.

“Menjëherë pas vendimit për t’i mbyllur restorantet, e bëmë këtë. Të gjithë punonjësit i dërguam në shtëpi. Vetëm në njërin nga objektet tona të hotelerisë punojnë 30 persona si kamerierë, banakierë, kuzhinierë, pastrues, dhe tani të gjithë në shtëpi. Nuk e di se si do të paguhen rrogat dhe kontributet për këtë muaj. Humbjet do të jenë të mëdha” – thotë Sasho. K, menaxher i një objekti të hotelerisë në Shkup.

Edh para se ta shpallte gjendjen e jashtëzakonshme në gjithë territorin e vendit, qeveria e ndaloi plotësisht funksionimin e objekteve të hotelerisë, kafeneve, restoranteve. Me vendosjen e “drynit në derë” ishte e qartë se ky biznes ishte i pari që u godit nga koronavirusi dhe se do të pësojë dëme të mëdha. Kjo gjendje mbetet edhe në periudhën vijuese – gjatë 30 ditëve të gjendjes së jashtëzakonshme.

Për informata më të detajuara për situatën me virusin korona, klikoni në këtë link: http://gdi.mk/corona/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button