Stavrevski pranoi 33 amendamente të LSDM-së, 6 të RDK-së, 5 të PDSH-së

Qeveria pranoi 44 amendamente të gjithsej 1.225 të parashtruara nga opozita, prej të cilave 33 janë të LSDM-së, 6 janë të RDK-së dhe 5 janë të PDSH-së, deklaroi ministri i Financave Zoran Stavrevski.

“Me këtë rast, shuma e përgjithshme e mjeteve të cilat përfshihen me këto amandamente është 191 milionë denarë (3.1 milionë euro). Prej tyre, 154 milionë denarë apo 2.5 milionë euro janë për amendamentet e LSDM-së, 18.5 milionë denarë apo 300.000 euro i takojnë amendamenteve të RDK-së dhe rreth 18.5 milionë denarë apo rreth 300.000 euro janë për amendamentet e PDSH-së”, tha Stavrevski.

Sipas Stavrevskit, kjo është hera e parë në historinë e miratimit të buxhetit në Maqedoni që ministri i Financave të pranojë numrin më të madh të amendamenteve të opozitës me shumën më të madhe të parave.

“Kjo dëshmon konstruktivitetin dhe dëshirën tonë për gjetjen e zgjidhjes së kompromistë me qëllim që të miratohet buxheti i Republikës së Maqedonisë”.

Stavrevski shprehu bindjen se ky propozim do të jetë bazë për tërheqjen e amendamenteve, sepse siç tha, ka prononcime pozitive dhe negative nga ana e Qeverisë për çdo amendament me çka do të mundësohet vazhdimi i procedurës së seancës plenare të Kuvendit për të miratuar buxhetin. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button