Mustafa: Kur dëgjoj zyrtarë të LVV-së çfarë flasin, më vjen ta gjykoj veten për koalicionin që bëmë me ta

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e ka vlerësuar të gabueshëm mbështetjen e tij për koalicionin LVV-LDK.

Mustafa ka shkruar se i vjen ta gjykojë veten për mbështetjen që i ka dhënë koalicionit kur dëgjon disa zyrtarë qeveritarë të Vetëvendosjes.

“Më vjen ta gjykoj veten për gabimin që e bëra kur e mbështeta këtë koalicion me këta njerëz që s’kanë asnjë përgjegjësi për pozitat që i mbajnë por vazhdojnë me fushatë dhe propagandë, për çfarë do t’ua kishin lakmi edhe regjimet më diktatoriale”, ka shkruar Mustafa në Facebook, transmeton Kallxo.com.

E njerëzit e afërt me kryeministrin Kurti, Mustafa i ka quajtur papagaj duke shtuar se vendet fqinje tashmë kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme pas përhapjes së virusit COVID-19.

Publikimi i plotë:

Të gjithë ne po kalojmë një situatë të rëndë dhe sfiduese me virusin COVID-19. Numri i të prekurve po rritet, pavarësisht angazhimit të përkushtuar të personelit mjekësor dhe masave tjera qeveritare.

Sot ndodhi viktima e parë.

Do të isha i lumtur në qoftë se i kemi aktivizuar të gjitha potencialet dhe nëse kemi siguruar disiplinë karshi rrezikut që po na kanoset.

Vendet fqinje po aplikojnë të gjitha masat, përfshirë gjendjen e jashtëzakonshme dhe orën policore.

Para pesë ditësh edhe unë dhashë idenë për aplikimin e masave të jashtëzakonshme, sepse isha dhe jam i bindur se askënd s’duhet ta pengoj që të gjithë ta bëjnë punën e vet në këtë situatë. Se nuk është koha ti masim muskujt, se kush është më i forti, por të bashkojmë muskujt, të krijojmë sinergji, ku 1+1 bëjnë 3.

Çështja u trajtua me konspiracion nga Kryeministri.

Problemi i tij dhe i papagajve që e rrethojnë u thjeshtëzua se kush duhet të jetë më i fuqishëm, ai apo Presidenti, por jo se si te mbyllet cikli i të gjitha masave. Bile u tentua nga të krisurit e oborrit qeveritar që kjo të cilësohet si tentim për grushtshtet.

Sipas kësaj logjike, grushtshteti paska ndodhur në Bullgari, në Maqedoninë e Veriut, në Serbi. Se kryeministri I Shqipërisë duhet shkarkuar pasi u tha qytetarëve, nga ndjenja e përgjegjësisë për të krijuar rend, se nëse sillemi kështu s’do kemi vend ku ti shtrojmë të sëmurit e as vend ku ti varrosim. Me këtë logjikë do duhej të shkarkohet edhe Kancelarja e Gjermanisë sepse “i tmerroi” qytetarët kur foli për përmasat prej 60-70 përqind që mund të ketë kjo pandemi në Gjermani. Me këtë logjikë duhet të anulohet Ligji për Buxhetin, sepse ai u aprovuar duke aluduar në situatë të jashtëzakonshme nga qeveritarët.

Mirëpo as ideja për masa të jashtëzakonshme e as ajo kundër, nuk e ndali hovin e këtij virusi dhe vdekjen e parë nga ai.

Prandaj, kur dëgjoj disa zyrtar të lartë qeveritar të VV-së se me çfarë papërgjegjësi flasin dhe si konstruktojnë aleanca, më vjen ta gjykoj veten për gabimin që e bëra kur e mbështeta këtë koalicion me këta njerëz që s’kanë asnjë përgjegjësi për pozitat që i mbajnë por vazhdojnë me fushatë dhe propagandë, për çfarë do t’ua kishin lakmi edhe regjimet më diktatoriale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button