Osmani bëri thirrje për unitet në luftën ndaj koronavirusit

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosoves ka ftuar akterët politikë që të lënë ndasitë dhe të bëhen bashkë në luftimin e koronavirusit.

Osmani, në profilin e saj në Facebook ka shkruar se ‘ne nuk mund të lejojmë që në këtë kohë tmerri të triumfojë virusi i përçarjes dhe jo forca e bashkimit ndaj së keqes’, transmeton REL.

“E sotmja është kohë e solidarizimit të plotë, jo e ndarjeve; është kohë e betejës ndaj virusit vdekjeprurës, prandaj heshtat tona duhet t’i drejtojmë kundër pandemisë dhe jo kundër njëri-tjetrit”, ka theksuar Osmani.

Reagimi i Osmanit vjen në kohën e mosmarrëveshjeve për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme midis presidentit Thaçi dhe partnerëve të koalicionit qeverisës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në Facebook, të dielën theksoi se në rast nevoje, institucionet duhet të jenë të gatshme që menjëherë të shpallin Gjendjen e Jashtëzakonshme.

Edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka mbështetur shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme dhe ka akuzuar partnertin e koalicionit për mosveprim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button