MASHA

Mrika që po kthehej në shtëpi rrugës e vuri re se një derë e madhe ishte hapur krah e më krah dhe aty, te dera, një hap brenda,  ishte një mashë mbetur në pluhur. Mrika e mori mashën. Ishte e re. Shikoi kah shtëpia, në oborr, mos po luan ndonjë njeri që t’ia japë. Në këndin e shikimit të saj nuk dukej djaloshi i ulur nën hijen e manit, sepse ishte një mur i ulët që kopshtin e ndante nga oborri. Ajo e dëgjoi një këngë që vinte nga kopshti, po s’ia vuri veshin. Pastaj e pa një dritare hapur. Tha: “Mund ta vjedhë dikush këtë mashë, që do ta kenë lënë fëmijët duke luajtur” dhe bëri zë: “Oj e zoja e shtëpisë!”, duke shpresuar se do të dilte ndokush nga shtëpia ta merrte. Pranë saj kalonin njerëz që shkonin në punën e vet dhe që e kthenin kryet kur thërriste ajo. Mrika vazhdonte të thirrë. Thirr, thirr, po përgjigje nuk merrte. Dikur një grua doli në dritare dhe thirri: “O Dush, ku mbete hej!”. Gruaja as që ia vari vajzës. Mrika nisi të lodhej nga pritja me mashë në dorë dhe nëpër mend i sillej bindja se mashën s’e merr kush. “Kush ka plasur për një mashë?”, tha më në fund. Vendimi ra: “Shkova”, tha Mrika. mirëpo sa mori ta hedhë mashën aty ku ishte e ta bënte hapin e parë, para saj u gjet një djalosh para saj. Ishte i ri, si ajo. Ajo e shikoi me bisht të syrit. Në sytë e tij vërejti diçka të jashtëzakonshme. Diç magjepsëse që të tërheq dhe ti s’ke më kontroll mbi veten.

Mrika e zgjati mashën kah djaloshi.

“Mashën”, tha, “e pashë këtu e thashë mos po e merr dikush”, kurse djaloshi e shikoi drejt në fytyrë. “Sugurisht ti je Dushi, të cilin po e thirr ajo zonja nga dritarja”?

“Mashën?…”, pyeti djaloshi i habitur.

“Po, mashën”, përsëriti ajo dhe gjeti mundësi ta shikojë drejt në sy.

“S’më tregove a je ti Dushi që po e thirrin? A jeton në këtë shtëpi?”, pyeti Mrika duke mos mundur ta fshehë shqetësimin dhe buzën e poshtme që nisi t’i dridhej ngapak.

“Po”, tha, “këtu jetoj. Unë jam Dushi.

Mrika deshi të thotë diçka, po s’ia doli. Iu tha goja dhe iu muar zëri. Ndenji sikur t’i ishin marrë duar e këmbë. Iu duk se u ndal koha.  Djaloshi qëndronte para saj edhe ai i habitur. Ata ishin krejt afër, por i ndante një heshtje e thellë. Më në fund Mrika e përsëriti atë që e tha në fillim:

“Mashën” dhe e zgjati dorën.

“E kujt është kjo mashë?”, pyeti Dushi.

“S’e di. Këtu e gjeta, pranë derës suaj kah kaloja. E thashë, mos po e merr dikush”, iu përgjigj Mrika. Kësaj radhe u përpoq ta mbajë më gjatë shikimin nga sytë e Dushit, ndonëse dridhërima të tmerrshme që ia përshkonin shtatin përbrenda e kërcënonin. Ajo nuk mundi të qëndrojë gjatë përballë djaloshit. I lëshoi sytë për dhe.

“Këtu e gjete?”, pyeti djali, meqë edhe ai i plagosur nga shigjeta e Erosit, s’dinte si ta vazhdojë bisedën që aq shumë i duhej për ta mbajtur vajzën më gjatë aty.

“Po, të thashë”, ia ktheu Mrika. Edhe ajo donte të flasë me djalin, po s’ia gjente dot fijen me të cilën do ta bënte gërshetën e bukur të bisedës së gjakuar. Pastaj mori frymë thellë dhe qëndroi heshtur. Ajo tash ishte diku tjetër. Ishte diçka si ëndërr që njeriu e sheh syhapur. Në thellësitë e zemrës së saj po ndodhte një proces i ndërlikuar. Do lule të zjarrta iu duk se po binin nga qielli i kthjelltë. “O zot, çfarë sysh”! Për një çast iu sollën në shiritin e mendimeve sytë e të gjithë njerëzve që i njihte. Asgjë. Ishin vetëm sy që e bëjnë punën e tyre. Sy të rëndomtë. Që shikojnë për punën e vet. Aq. Dhe, kur iu kthye këtyre syve, syve të djaloshit, puna ndryshonte fare. Kishte në këta sy diçka që e shqetësonin, diçka magjike, diçka që të lidh për ta, që ta pushton tërë hapësirën e botës së ëndrrave e ti pastaj jeton vetëm me ta dhe je e bindur se të ka çuar zoti midis bukurisë. Mrika u pushtua e tëra si kalaja që pushtohet nga brenda, pa kurrfarë sulmi. Jo nuk ishte pa sulm. Ishin sytë e Dushit nga të cilët fluturuan aq shumi shigjeta të Erosit. Sa e sa djem i ishin afruar, ia kishin lëvduar tenin e bardhë e skofiar, shtatin e lartë, zërin e ëmbël, vetullat e hapin e lehtë si të gazelës, mirëpo Mrika u kishte dhënë udhën që të gjithëve, jo me të keq, por me maturi e takt dhe doemos edhe me një buzëqeshje karakteristike që t’i këput shpresat. Sepse asnjëri nuk shkaktoi ndonjë turbullirë në shpirtin e saj me sytë e tij, një aso turbullire për të cilën kishte dëgjuar nga gratë se i ndodh femrës papritur dhe e robëron. Kjo turbullirë po i ndodhte tash para syve të Dushit.

Mrika u mundua të dalë nga ëndrra e nga turbullira. Iu kujtua masha. Një cikërrimë. Por ja që nuk kishte qenë masha ajo, por Fryma e Shenjtë e kishte sjellë këtu për këtë djalë. Vajza vazhdonte të rrijë me mashë në dorë. Kurse djali ishte shtangur aty para Mrikës me dorën e majtë në xhep. Pranë tyre fluturuan dy kumri, disa zogj u lajmëruan nga dega e pemës më të afërme, kurse dielli të dy të rinjve ua praronte fytyrën. Dushi duke i mbyllur kapakët e syve më shpesh se rëndomë nga drita e fortë ia lipi mashën.

“Ma jep”, tha dhe pasi ia mori prej dore shtoi “të pyes në shtëpi” dhe u largua me hapa të shpejtë. Mrika mbeti aty e palëvizshme. As mendja nuk i shkonte të ndërmarrë diçka. Nuk ishte në gjendje të mendojë: a dëshiron të dalë nga kjo situatë e magjishme në rëndomësinë e saj, a do të kthehet djaloshi që nuk i dukej real dhe po u kthye ç’mund të bëhet. Ajo ishte drejtuar kah shtëpia për mashën, kurse masha u dorëzua. Një grua e zgjati dorën nga dritarja dhe e mori mashën prej Dushit. Me atë rast i këmbyen disa fjalë dhe gruaja ia ktheu mashën djalit. Dushi u kthye kah dera e madhe dhe bëri me gisht kah Mrika.

Kënga e zogjve u bë më e theksuar nga degët e pemës më të afërt. Nga ana tjetër i shihte pulat si shporronin me këmbë aty afër, duke nxjerrë dhe dhe pasi gjenin ndonjë krimb, ndonjë rrënjëz apo ndonjë grimcë rëre, vazhdonin rrugën duke kokorizur. Për një çast iu kujtua se ajo kishte mbetur si e shtangur pranë dyerve të mëdha të hapura dhe mjaftonte ta shohë ndonjë sy i keq që t’i nxjerr fjalë. E ishte vajzë, e re. Në katund mezi presin të gjejnë diçka, së paku sa e zeza e thoit që të të bëjnë përrallë. Fshatarët janë të tillë, mizën e bëjnë buall dhe po s’pate bisht ta ngjesin po pate ta heqin. Ajo u drodh. Çka kërkon që rri e pret këtu? Vajza e madhe, gjashtëmbëdhjetë vjet i ka bërë, rri para derës së një shtëpie të huaj, flet me një djalë… E ku ta dish se çfarë mendon ajo guruaja që foli me Dushin, mendoi Mrika. Ajo i shkundi duart nga pluhuri që i kishte mbetur prej mashës së gjetur në dhé dhe mori të niset, por në atë çast dëgjoi zërin e djaloshit:

“Prit, prit!… Masha”, “tha nëna , nuk është jona. Prit!”

Mrika jo që deshi, por këmba s’i luante. Ti Mrikë, i tha vetvetes, nuk je në vete. Ec përpara, shiko punën, se bëri e më pa dikush me atë mashë kanë për ta ma nxjerrë shpirtin. Megjithatë ajo priti kurse në faqe i kishin dalë nga një pipth trëndafili të  kuq, në të dy anët nga turpi. Ajo u përpoq t’ia bëjë me dije Dushit se është e brengosur për situatën në të cilën u gjet kështu pa pritur, prandaj i tha:

Me të vërtetë nuk desha të humbë masha. Ështe e re”. Nuk dukej e bindhsme. Fjalët e tradhtonin: i dilnin me dridhërimë, edhe buzët e tradhtonin: prej tyre i rridhnin buzëqeshjet e ëmbla, edhe sytë e tradhtonin: ia zbulonin fshehtësinë të cilën përpiqej ta mbajë në thellësitë më skajshme të shpirtit. E çarmatosur fare, ajo e ftoi në ndihmë instinktin femëror, që shpesh u ndihmon vajzave e grave kur gjenden në ngushtica. U përpoq ta gjejë sa më shpejt shtegun prej nga do të kërcente e do të ikte vrap. Do të futej në këndin e saj në shtëpi.  Atje do të qante, do të qante e do të mendonte qetas për ngarjen e tashme ose më mirë për ëndrrën dhe disi do të çlirohet nga barra, sepse nuk i besohej se do të ketë mundësi të bëhet gjysma e një çifti me këtë djalë. Instinkti i tha të niset, jo me vrap, po të ecën natyrshëm se kështu edhe djaloshi do të hiqte dorë e do të hynte në shtëpi, kurse mashën do ta hidhte ose do t’ia çonte nënës.

Vonë ishte. Djaloshi tashmë ishte para saj i buzëqeshur. Sytë e ti të kaltër e të thellë si liqenë mali e gurëcuan në vend vajzën përsëri. Mrika e gjetur në këtë situatë, duke mos ditur kah t’ia mbajë tha:

“Nuk qenka juaja, a?

“Jo”, tha djaloshi, “nuk është”.

“Atëherë…” deshi të thotë diçka Mrika.

“Atëherë kurrgjë”, e ndërpreu djaloshi. “Të falenderoj për kujdesin që tregove. Më la mbresa ky kujdes”, tha djali. “Por s’ma tregove emrin”.

“Mrikë e kam emrin”.Nga ana e saj Mrika i mori këto fjali si porosi se ky takim mori fund. Se këtu ndaheshin rrugët e tyre. Dhe bindja e saj u përforcua kur ai i tha:

“Mund ta marrësh mashën, po deshe!”

“Falemnderit”, ia ktheu Mrika, “Jo, nuk më duhet” dhe herë pas here e shikonte me bisht të syrit.

Ai ishte mbështetur në njërën anë të kornizës së derës, kurse ajo qëndronte në këmbë. Mrikës i erdh një zë nga brenda. Mblidhe veten, tha, e shikoje. Megjithëse zemra i shtoi të rrahurat dhe sytë e lëshuan një perde të bardhë nga shqetësimi, Mrika psherëtiu njëherë dhe e ngriti kryet dhe shikoi. Sytë e tij të çuditshëm, me një bukuri të vërtetë të liqenit malor të vendosur nën vetullat si harqe pak si të ngritura anash, prapë i dërguan do valë magnetike çuditërisht tërheqëse. Ajo ishte nën pushtetin e plotë të tij Erosit. Ndërkohë djali ia dha një komplimet:

“Mrikë… Emër i bukur… Por ti je më e bukur”!

Zogjtë nga dega u paraqitën sërish dhe atëherë Mrika e pa se një burrë po kalonte aty, shkonte në punë të vet dhe ajo, ndonëse të rrahurat e zemrës iu shpeshtuan tha:

“Mirë pra… Unë po shkoj…”.

“Prit”, tha djali, “po më pëlqen emri”, bëri djali, “vërtet po më pëlqen. Tingëllon shqip. Bukur, për besë.” Vajza u step dhe po përpiqej ta rrokë zërin e tij të natyrshëm, mirëpo tingujt i vinin në nota. Mrika ishte bërë e verdhë si luleshqerre dhe nuk dinte si të gjindet para këtij djali me sy të mrekullueshëm. Vetëm ata pipthat e kuq të trëndafilit nuk i hiqeshin prej faqeve. Ndjehej sikur të ishte para një gardhi të dendur me trëndafila i cili u del ashtu befas e papritur vashave nga përrallat. Kush e di se çfarë pune të keshë, te ky gardh do të ndalesh. Se punët tjera bëhen, kurse kjo bukuri nuk përsëritet, nuk përsëritet.

Mrika e pa hijen e djaloshit që po zgjatej teposhtë drejt kurtit të tij, disa metra. Njëherë u dha pas saj dhe u tret ashtu kot, si thonë

Ishte verë, verë e nxehtë, kurse pasdita e kishte mbledhur një nxehtësi të madhe dhe tash kur dielli po nxitonte të lëshohej prapa mali e t’ia lëshojë vendin freskisë së natës, Mrika po i nënshtrohej edhe një rrezatimi tjetër që vinte nga prania e djaloshit kështu që djersa kishte filluar t’i pikojë prej duarve. Pastaj lugut të kurrizit. Prapa shpinës së saj dëgjoi gurgullimën e ujit dhe iu duk se e vërshoi djersa. E ktheu kokën prapa – ishte përroi, përroi i cili verës vinte dhe gurgullonte sipas radhës që e caktonin fshatarët për ujitje. Kah kalon lagjes që rënkon nën barrën e vapës së rëndë,  përroi kur vjen e sjell një gëzim të veçantë dhe njerëzve u duket se ujët ka ardhur t’ua freskojë shpirtin e përvëluar. Mrikës i erdhën tingujt e gurgullimës si fjalë, si fjalë që vinin nga do kënde të fshehta, nga thellësitë e vapës përcëlluese, dhe paloheshin njëra mbi tjetrën duke sajuar përgojimin për të, për një vajzë të pakujdesshme që qëndronte para një djali të panjohur. Tashmë iu duk se të gjitha gratë kishin dalë në dritare, prapa dyerve, pranë rrethojave dhe kapnin atë në flagrancë; iu duk, se ato po flisnin dy nga dy, duke akuzuar atë: “Hej moj motër, në çfarë kohësh po jetojmë… ku kemi arritur… vajza vetë t’i shkojë djalit te dera”!…

Djali rrinte te dera mbështetur në kornizën e derës dhe nuk e gjente mënyrën më të mirë si ta ndalte edhe pak Mrikën. Vajza vlonte përbrenda. Nga ankthi i ëmbël që i kishte pushtuar të dy ngrihej heshtja që i ndante përsëri. Një heshtje që dukej se po zgjat sa amshimi. Asaj iu duk se ishte rritur me këngën e zogjve, me shporimën e pulave nëpër pluhur dhe me gurgullimën e përroit dhe me atë djalin para vetes. Tash i dukej se Fryma e Shenjtë e solli për dore aty. “Do të ndalem edhe pak”, mendoi.

Hija e djalit të cilin dielli, që shkonte me vendosmëri drejt majave të malit, po e kapte pjesërisht, tashmë ishte bërë e gjatë, e gjatë dhe shkonte te dhjetë hapa. “O zot!”, u kthjell ajo, iku dita, u tret dhe ja mbrëmja është krejt afër, kurse unë jam ende këtu. Çka do të thonë në shtëpi?”, mendoi prapë ajo, por nuk kishte fuqi të nxirrte zë. Gjendja e saj mund të përshkruhet si ndonjë ëndërr e çuditshme, në të cilën të paraqitet engjëlli i shpëtimit, të rri krejt afër, por ti s’ke fuqi as t’ia zgjasësh dorën, se dorën s’mund ta lëvizësh dhe as t’i bësh zë, se zëri s’të del.

Nga brenda, nga thellësitë e shpirtit i erdh t’i drejtohet perëndisë. “O zot!” i bëri zëri i brendshëm, “ç’po ndodh me mua?!” Shqetësimi ishte shumë i madh, po përveç kësaj këtu ishte edhe brenga nga shkaku i vonesës. Atë e kishin çuar te do kushërinj të largët të cilët jetonin në fshatin e afërm. Të çonte një amanet. Dhe të kthehej sa më shpejt se punë kishte mjaft. Por e mori djalli këtë punë. E pat. Ajo ndjeu një dridhmë sikur rryma e dobët kur të zë. E ngriti kokën t’i thotë djalit se po shkon, se është vonuar, se nuk e di se çka ka ndodhur. Atëherë djali e py fytyrën e saj. Iu duk e bukur si hëny e plotë pesëmbëdhjetë. Menjëherë mrekullia i derdhi para tij notat e këngës popullore “Ulu mal, sa të dalë hana”… Dhe u frikësua se mali mund të ulej e hëna mos t’i dalë, kjo hënë të cilën e gjeti para derës së tij. Pastaj një zë gruaje e thirri:

“O Dush, Dush-ooo! Hajde more”!

Ajo e zhytur kështu në ujët e shqetësimit fare s’e kishte dëgjuar kur e kishin ftuar djalin. Por sërish e pa gruan në dritare që i bënte me dorë të ngutej djali.  Ndoshta edhe ia kishin thënë ndonjë fjalë pse kishte ndenjur te dera. Nuk e dëgjoi as përshëndetjen e ndarjes nga djali, por e pa si po i afrohej ai dritares.

Prapë e ndjeu gurgullimën e përroit, zogjtë në drurin më të afërt kishin rënë në strofullat e veta. Edhe pulat. Ajo u ndje krejt e vetmuar kur hetoi se po ecte me ngut rrugës për në shtëpi. Vajza e shkretë deshi t’ia tregonte nënës në hollësi se ç’i kishte ndodhur, por nën vazhdimisht e ndërpriste.

“Hajt se je e re! Plot djem është kjo botë. Do ta gjesh edhe më të mirë se ai. E di se kush janë ata. Nuk është ku ta dish se çfarë oxhaku”!

“Ani se”… bëri Mrika. “Megjithatë e dua. Kurrë nuk do të dua tjetër”!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button