Pas çdo vështirësie vjen lehtësimi

“Thuaj: “Neve nuk na godet asgjë tjetër, përveç çka na është caktuar nga Allahu; Ai është ndihmëtari ynë. Prandaj, vetëm Allahut le t’i mbështeten besimtarët.” (Teube, 51)

Në këtë kohë kur gati e gjithë bota është duke përjetuar një panik real ose artificial nga “Virusi Corona”, duke qenë të vetëdijshëm për seriozitetin dhe përmasat mbarëbotërore që ka marrë kjo epidemi, e pashë të arsyeshme të ndaj me ju disa mesazhe, me shpresën që Allahu xh.sh., të na qetësojë sadopak zemrat tona, e të bëjmë atë që është më e mira për të dyja botët. Në vazhdim do të analizojmë se si duhet të jetë diskursi jonë ndaj kësaj çështjeje, e cila është mjaft e rëndësishme për ne.

Ajo që duhet të na karakterizojë në këtë kohë të trazuar është pikërisht besimi te Allahu xh.sh. dhe mbështetja te Ai. Besimi te Krijuesi i jetës dhe i vdekjes, i të dukshmes e të padukshmes, i virusit dhe i tërmetit, i gjithçkaje tjetër që ne e dimë dhe shumëçkaje tjetër që ne nuk e dimë. Le t’i kujtojmë vetës tonë se ka një Zot që ne i besojmë, se ka një kader (përcaktim) që nuk mund t’i shmangemi dhe se streha me e sigurt në këtë kohë është streha e Krijuesit që di gjithçka dhe bën çfarë të dojë.

Ajo që duhet të jetë më se e nevojshme në këto momente është marrja e masave preventive nga parandalimi i kësaj epidemie që është higjiena personale dhe e ambientit. Pastërtia është një nga hapat më të rëndësishëm për ta sfiduar këtë pandemi. Përkujdesja ‎për higjienën personale, familjare dhe kolektive është masë që duhet ndërmarrë ‎paraprakisht. Feja Islame i jep një rëndësi të madhe higjienës personale dhe të ambientit ku jetojmë e punojmë, duke e konsideruar higjienën dhe pastërtinë si pjesë të besimit.

I Dërguari i Allahut dhe shokët tij, në raste të jashtëzakonshme përdornin metodën e karantinës. Ai e pranonte praninë e sëmundjeve ngjitëse dhe merrte masa kundër tyre. Është shumë më rëndësi të përmendet, se sahabët e mençur ishin të vetëdijshëm dhe të bashkuar në mendimin, se çështja e mbrojtjes së shëndetit ishte më e rëndësishme, se përfitimet e tjera publike dhe se kjo nuk ishte në kundërshtim me besimin në kader.

I Dërguari i Allahut ka rekomanduar të merren masa dhe të ndalohet hyrja në vendet ku është përhapur sëmundja, kurse në anën tjetër e ka ndaluar largimin nga vendi i sëmundjes, madje ndonjëherë i ndërpriste edhe kontaktet me njerëzit e sëmurë. Për shembull, njëherë besnikërinë e një personi të sëmurë e ka marrë me shkrim duke pasur parasysh gjasat e ngjitjes së sëmundjes, megjithatë një njeriu të sëmurë prej sëmundjes së lëkurës duke e kapur për dore i ka mundësuar që të ushqehet dhe e ka urdhëruar duke i thënë: “Ha në emër të Allahut dhe duke u siguruar tek Ai.”

Edhe pse arsyet kryesore të këtyre veprimeve të ndryshme të të Dërguarit të Allahut nuk janë të qarta, nuk ka dyshim se qëllimi kryesor ka qenë themelimi i një balance të ndjeshme, ndërmjet masave të marra kundër mosngjitjes së sëmundjeve dhe mospërjashtimit të të sëmurit.

I Dërguari i Allahut në aspektin e mbrojtjes së njerëzve nga sëmundjet ngjitëse ka siguruar një disiplinë dhe edukatë të posaçme, sidomos në mbrojtjen prej grimcave që dalin nga pështyma dhe këlbaza. Edhe vetë kur teshtinte, e mbulonte fytyrën e vet me dorë ose me rrobë dhe parandalonte shpërndarjen rreth e përqark të grimcave të pështymës.

Në kontekstin e pastërtisë së mjedisit ka urdhëruar: “pastroni shtëpitë dhe lagjet tuaja” dhe se “largimi i gjithçkaje që pengon nga rruga është sadaka”, madje ndonjëherë edhe personalisht ka pastruar mesxhidin. “Largohuni nga tri gjëra që janë shkaktare të mallkimit: bërja e nevojës së vogël në burimet e ujit, në mes të rrugës dhe në hije” janë fjalë që përshkruajnë rëndësinë e kësaj çështjeje. Edhe pastërtia e ushqimeve dhe pijeve ishte shumë e rëndësishme për shëndetin. Urdhrat e të Dërguarit të Allahut, për mbulimin e enëve të ushqimit apo enëve të pijeve, mbulimi i enëve të ujit, kujdesi i tij për pirjen e ujit të pastër dhe inkurajimi i shpërndarjes së ujit tek njerëzit si element kryesor për pastërtinë, ishin disa nga masat që merrte në këtë drejtim.

Padyshim që, ndalimi i hyrjes në zonën e infektuar me epidemi dhe po ashtu ndalimi i daljes prej saj, pastërtia trupore dhe e ambientit, kontrolli mjekësor në rast dyshimi dhe njoftimi i autoriteteve, evitimi i çdo lloj veprimi të panevojshëm i cili mund të çojë në marrjen apo përhapjen e virusit etj., janë rregulla jo vetëm shëndetësore por edhe fetare, andaj ne si besimtarë duhet të japim shembullin e respektimit të rregullave shëndetësore, si porosi fetare dhe si bindje ndaj autoriteteve kompetente.

Besimtari nuk duhet të kaplohet nga frika dhe paniku intensiv i shkaktuar nga sprovat që mund ta prekin atë, ose njerëzit përreth tij. Duhet të jemi të vetëdijshëm se sprovat me të cilat sot ballafaqohemi, nuk janë vetëm sprova tona dhe të shekullit që po jetojmë, porse edhe para nesh shumë të tjerë janë ballafaquar me sprova të tilla. Andaj, në të gjitha këto momente dhe situata të pakëndshme besimtari, duhet të tregoj durim dhe qëndrueshmëri. Ai nuk dorëzohet kollaj, sepse e di që kjo është e kalueshme, madje edhe e shërueshme. Për durimin me maturi që e tregon besimtari do të shpërblehet shumëfish nga i Madhi Allah. Muhammedi a.s. thotë: “Çdo muslimani që lëndohet nga ndonjë e keqe, Allahu do t’ia fshijë gjynahet siç bien gjethet e pemës.” “Nëse dikush në kohën e një murtaje (sëmundjeje ngjitëse) qëndron në vendin e tij duke shpresuar me durim shpërblimin e Allahut dhe duke besuar se asgjë nuk do t’i bjerë atij, përveç asaj që Allahu ka shkruar (caktuar) për të, ai do të marrë shpërblimin e një dëshmori.”

Ne si besimtarë besojmë me të vërtetë se duaja është thelbi i adhurimit, se ajo na afron te Allahu Fuqiplotë, se ajo mund te jetë shkak edhe për kthimin mbrapsht të caktimit, atëherë më shumë se kurrë ne jemi të ftuar të kthehemi te lutjet drejtuar Allahut Fuqiplotë dhe përjetimi i tyre me shpirt e me zemër. Pejgamberi a.s., na ka mësuar si të lutemi në këto situata.

“Me emër të Zotit, të atij Zoti që pranë emrit të të Cilit nuk ka gjë që të dëmton në qiell e në tokë dhe Ai (Zoti) është Dëgjues dhe Shikues.” (3 herë) “O Zot më ruaj nga lebroza, nga çmenduria, nga murtaja dhe epidemia dhe nga të gjitha sëmundjet e këqija.” “O Zot na ruaj nga largimi i të mirave Tua, nga kthimi i shëndetit në sëmundje, nga sprovat e papritura dhe nga çdo zemërim Yt.”

O Allah, na mbro nga kjo sëmundje që është ‎përhapur gjithandej. O Zot, na ruaj nga fatkeqësitë dhe sëmundjet të cilat nuk kemi mundësi t’i ‎largojmë! Na ruaj dhe na mbro nga çdo e keqe që mund të na godasë! ‎ O Allah, na dhuro qetësi në besim, shëndet në trup dhe na ruaj nga dënimi Yt!

“Me të vërtetë, pas vështirësisë, vjen lehtësimi!” (Inshirah, 5)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button